Connect with us

Shqip

Biljana dhe Verica nga Graçanica pa kulm mbi kokë dhe pa para për ilaçe

Avatar

Published

on

Biljana i Verica

A jemi imun ndaj varfërisë, përveç kur është absolute? Si mbijetojnë njerëzit e zakonshëm gjatë pandemisë së koronavirusit? A brengosen vetëm për shëndetin apo edhe për diçka tjetër? Sa janë të shpejta institucionet për të ndihmuar ata që janë në gjendje të rrezikuar sociale? Sa i mbron sistemi njerëzit e zakonshëm? A mund të jetojë një familje me dy anëtarë me një pagë kur kostoja e jetesës është më e lartë se ajo pagë? Storja e Bilana Stojkosi (Biljana Stojkoski) dhe vajzës së saj shtatëmbëdhjetë vjeçare Verica Stefanoviq (Verica Stefanović) nuk është asgjë tjetër veçse përgjigja në këto pyetje. Që nga viti 2011, kur u kthyen në Kosovë, dhe pasi ishin larguar nga Prishtina, dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë. Nga paga që Bilana fiton si teknike e higjienës, ajo nuk arrin të mbuloj të gjitha detyrimet komunale dhe të sigurojë për veten dhe vajzën e saj kushtet dhe artikujt themelor të jetesës. Ajo vuan nga astma, ndërsa nga fillimi i pandemisë shëndeti po i përkeqësohet pasi nuk mund të përballojë koston e barnave që duhet t’i marrë rregullisht. Për shkak të mungesës së oksigjenit, sipas fjalëve të saj, ndodh ta humb vetëdijen, kështu që së fundmi ka marrë djegie pasi, duke u përpjekur për të mbajtur baraspeshën ishte kapur për pllakën e nxehtë të shporetit.

Biljana i Verica

Thonë se para pak kohësh kanë pranuar dru për ngrohje nga Komuna e Graçanicës, e nga Ministria për Komunitete dhe Kthim kanë paralajmërime të përditshme se do t’i vizitojnë “nesër”. Siç thonë ato, “e nesërmja” ende nuk ka ndodh. Deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga Komuna e Graçanicës dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.

I vizituam. Pjesën më të madhe të ditës Bilana e kalon në dhomën e banesës ku biseduam me të. Por me të hyrë në këtë dhomë, do të ndjeni erën e rëndë të tymit nga shporeti me dru që përdorin për ngrohje. Muret e ulëta janë të mbuluara me blozë të errët. Edhe për një person që nuk ka probleme shëndetësore, qëndrimi dhe frymëmarrja në këtë dhomë janë të vështira.

Bilana e nis tregimin nga jetesa në Prishtinë, prej nga është. Pas luftës iku në Nish, ndërsa në vitin 2011 u kthye për të punuar si pastruese në KBC Prishtinë, kështu që rruga përsëri e ktheu atë në Kosovë.

Për këto dhjetë vjet, ajo që ka ndryshuar në jetën e saj kanë qenë qiradhënësit si dhe shëndeti i saj, fatkeqësisht jo për të mirë. Për shkak të problemeve me astmën, Bilana ka vështirësi në të folur, kështu që ishte vajza e saj, Verica, që në shumicën e rasteve na e shpjegonte situatën në të cilën ndodhen aktualisht.

Për vite, Bilana dhe Verica zhvendosen nga një banesë në tjetrën.

“Më parë kemi jetuar në Laplasellë, por qiraja atje ishte e lartë, rreth 120 euro. Mami në atë kohë bënte dy punë që t’ia dilnim me pagesë. Pas kësaj, kemi gjet shtëpi që duhej ta ruanim, por në të nuk kishte kushte jetese, nuk kishte as banjo, as çezme, as ndonjë gjë tjetër. Në dimër laheshim në një kusi, ndërsa në verë pas shtëpisë mbulonim gjithçka dhe aty laheshim. Kushtet ishin me të vërtet të tmerrshme”, thotë ajo.

Pas pak kohe iu desh të largoheshin edhe nga ajo shtëpi.

“Nuk kishim shumë kohë për të kërkuar, gjetëm një banesë të vogël, një dhomë e vockël me kuzhine të vogël dhe banjo ku mund të prekësh muret derisa kthehesh, aq ngushtë ishte dhe kushtonte 110 euro. Ajo me të vërtetë nuk kishte për të paguar, jetuam aty për dy muaj dhe pastaj gjetëm një shtëpi për 80 euro, por në fakt ishte një kuzhinë verore që u shndërrua në shtëpi, edhe aty kishte lagështirë, frynte nga të gjitha anët, madje as nuk mund të ngrohej, ishte vështirë për të jetuar aty. Pronarëve iu erdh vendimi për rrënim, prandaj na u desh të largoheshim edhe nga aty. Gjetëm një shtëpi tjetër, edhe aty kishte lagështirë, mamanë e pengon çdo gjë për shkak se i zihet fryma, edhe nga aty u desh të largoheshim, tani kemi ardhur këtu. Mund ta shihni edhe vet si është shporeti. Na duhet një orë derisa të ndizet, pastaj deri sa të ngrohet dhoma … Për më tepër, është shfaq lagështia në dhomën tjetër. Mund të ndodh se zënia e frymës i përkeqësohet nga kjo”, shpjegoi ajo.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, Bilana nuk ka qenë në gjendje të blejë ilaçet që deri në atë kohë i merrte me recetë në Nish ose qytete të tjera në Serbinë qendrore.

“Kur kemi dikë për t’i dërguar ose kur shkojmë ne, i marrim me recetë, por është me të vërtetë shumë rrallë, një pompë këtu kushton mbi 3000 dinarë dhe është me të vërtetë shtrenjtë, sepse kur e marr me recetë në Nish ose Beograd, për shembull, është rreth 1000 dinarë me recetë”, thekson Verica.

Në vitin 2018, Bilana mori një kredi për të pajisur Vericën për shkollë dhe ende po e shlyen atë.

“I është dashur të merrte një kredi për të më pajisur për shkollë. Tani për dy vjet, asaj i merren nga 10-11 mijë nga pjesa e parë e pagës. Pjesa e parë e saj është 15-1600 dhe pastaj i hiqet kësti dhe neve na mbeten 4-5000. Dhe pastaj nuk ka asgjë për të paguar. A të paguhet një pjesë të shërbimeve komunale, qiraja apo të ndajë diçka për neve për të ngrënë në shtëpi? Pastaj kështu mbesim në borxh dhe nga data 15 deri në 20, kur e merr pagën, duhet të paguajë qiranë dhe të paguajë shërbimet, e neve nuk na mbetet asgjë. Sinqerisht po ju them, në fund të muajit gjithmonë marrim borxh që te kemi diçka për të ngrënë”, shpjegon Verica.

Shton se për këtë arsye nuk ia kanë dal të paguajnë qiranë dhe kjo është arsyeja pse është akumuluar borxhi.

“Duhet të kuptohet ndonjëherë që ajo është nënë vetushqyese dhe se edhe unë kam provuar të punoj dhe kam punuar dhe se ajo, përveç punës, shkonte nëpër shtëpi për të pastruar për të fituar ndonjë dinarë, madje kujdesej për një gjyshe për 10 euro. Nuk kishte për të paguar shpenzimet, me të vërtet nuk kemi të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar gjithçka brenda një muaji, për një jetë normale”.

Biljana i Verica

Nëse dikush ju pyet se çfarë keni nevojë, çfarë do të përgjigjeshit?

Bilana dhe Verica kanë një përgjigje identike për këtë pyetje. As para, as ndihmë, as që t’i mbajë dikush, por:

“Kulm mbi kokë që të mos rëndemi, zhvendosemi nga banesa në banesë, që të mos ndërrojë shkollën vazhdimisht dhe që të mos e pyesin profesorët – e tani ku jeton?“.

Prandaj, siç thonë, disa herë iu drejtuan vetëqeverisjes lokale për ndihmë, por pa sukses.

“Çdo vit shkonim në Komunën e Graçanicës për t’u kërkuar ndihmë, çfarëdo qoftë, të njëhershme, çka do. Kemi pyetur edhe për banesë, që me të vërtetë na duhet. Shkuam atje, por kaq ishte, ‘shkruaj një kërkesë’, ne shkruajmë kërkesën, ‘do të ju njoftojmë’ dhe me kaq mbetet. Si duket nuk ekzistojmë fare për ta. Një herë kishin dalë në terren tek ne për një ndihmë të njëhershme, për të parë se ku jetojmë dhe panë që jetojmë në një shtëpi të mirë, por nuk është e jona, ne paguanim qiranë. Ju e shihni këtë këtu tani, është e ndërtuar mirë, por nuk është e jona, paguajmë qiranë. Nuk jam mosmirënjohëse, kulmi është kulm, por kjo nuk është e jona dhe ne paguajmë qiranë, nuk mund të them se kjo është shtëpia ime, se do të qëndroj këtu. Na thanë ‘do të ju kontaktojmë dhe kjo ishte gjithçka, kurrë nuk u lajmëruan”, shpjegoi Verica.

Shton se arsye për refuzim është edhe se ajo nuk mund të nxjerr dokumentet personale të Kosovës.

“Çdo vit kur ndahen banesat, ne shkojmë atje dhe aplikojmë, por ata gjithmonë më thonë se letrat e mia janë problemi. Unë nuk kam asnjë letër të Kosovës, kam një certifikatë të lindjes të Serbisë dhe ata më bëjnë një problem për këtë. Pra, nuk duan të na ndihmojnë dhe të na ndajnë ndonjë banesë, garsonjerë, asgjë, sepse unë nuk kam dokumente të Kosovës”, thekson ajo.

“Nuk jeni të vetmit”

Thekson se i kanë kërkuar “çfarëdo letre të Kosovës për babanë”, por që babai i saj nuk ka asnjë lidhje me Kosovën.

“Gjithmonë na refuzojnë për shkak të kësaj, çfarëdo ndihme që kërkojmë, ata na refuzojnë për shkak të kësaj”, thotë Verica.

Ajo ka lindur në Nish dhe mban mbiemrin e babait të saj, por jeton me nënën e saj, e cila e mban. Prindërit e saj nuk ishin as të kurorëzuar dhe thotë se nga ai nuk merr as ushqiminë:

“E vetmja gjë që kam prej tij është mbiemri i tij”.

“Ata nuk kanë mirëkuptim për këtë dhe kur ne ua themi këtë, ata përgjigjën “ka edhe shumë nëna që presin me dhjetëra vite që babai të nënshkruajë, kemi shumë raste të tilla, nuk jeni të vetmet”.

Nga ana tjetër, thotë se nuk mund të llogarisë në ndihmën e babait:

“Nuk mund t’i kërkoj ndihmë babait, çfarë dëgjoj për të është se ai nuk e ka as për vete, kështu që është e qartë për mua, nuk kemi pasur një jetë të mrekullueshme me të, por nuk mund të kërkoj nga dikush që nuk ka, pasi e di si është kur nuk ke asgjë. Nuk mund të kërkoj diçka të pamundur, siç më kërkojnë letra ata mua për shembull”.

“Tani kemi pranuar dru nga Komuna e Graçanicës, nuk jemi mosmirënjohëse, natyrisht i falënderojmë për këtë”, theksoi ajo.

Të dyja shtojnë se aktualisht kanë shpresat më të mëdha në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, por edhe pse deri tani kanë paralajmëruar se do t’i vizitojnë, kjo nuk ka ndodhur ende.

“Na kanë kontaktuar nga Ministria për Komunitete dhe Kthim para disa ditësh dhe na thanë se do të vinin ose sot ose nesër atë ditë. I kemi pritur dhe ata nuk erdhën. Na u lajmëruan dhe thanë se nuk mund të vinin se iu kishte dal diçka dhe se do të vinin nesër. I pritëm të nesërmen, nuk erdhën. Kam fol me një gazetare dhe ajo tha se kishte kontaktuar ministrinë dhe se i kishin thënë se do të vinin dje (më 4 dhjetor). Krejt shpresat i kemi varur në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe shpresojmë më shumë tek ata”, shpjegon Verica.

Në pritje të përgjigjes së institucioneve, theksojnë se shumë njerëz i kanë kontaktuar dhe kishin ofruar ndihmë. Janë siguruar ilaçet për Bilanen, njerëzit u kanë sjellë para, ushqim, rroba …

Biljana i Verica

“Qëndrimi dhe mbijetesa”

Ftesat për serbët në Kosovë për të qëndruar dhe mbijetuar në shtëpitë e tyre janë të shpeshta dhe kjo është një moto e njohur e shpallur dhe qëllimi i veprimit politik të zyrtarëve serbë në Beograd, si dhe në Kosovë. Çfarë do të thotë kjo për Bilana Stojkoskin, dhe vajzën e saj 17-vjeçare, të cilat janë kthyer dhe duan të qëndrojnë dhe të mbijetojnë, por nuk mund ta përballojnë këtë?

“Mos u zhvendosni”, e si, kur nuk kam kulmin tim mbi kokë, kur duhet ta mbështes me rrogën time atë, veten, qiranë, rrymën… si? E si të qëndroj?”, pyet Biljana.

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Preporučeno