Disa të diplomuar nga Serbia qendrore të padukshëm në Kosovë

0
133
views

Problemi i njohjes së ndërsjellë i diplomave të universiteteve të Serbisë dhe të universiteteve të Kosovës në territorin e Serbisë qendrore ekziston që nga viti 1999. Problemi do të duhej të zgjidhej me nënshkrimin e marrëveshjes për njohjen e diplomave në 2011, e cila hyri në fuqi më 1 prill të vitit pasardhës. Ajo u zgjerua në vitin 2015. Megjithatë, implementimi i marrëveshjes është ndalur dhe kjo është arsyeja pse serbët nga Kosova që kanë diplomuar në universitete në Serbi nuk mund të nostrifikojnë diplomat e tyre në Kosovë. Për këtë ata mbesin pa punë dhe mundësi për të avancuar në profesion në sistemin e Kosovës.

Shkruan: Millosh Timotijeviq (Miloš Timotijević)

SRPSKI: Pojedini diplomci iz centralne Srbije nevidljivi na Kosovu

Që nga Marrëveshja e Brukselit në vitin 2013 dhe integrimi i institucioneve serbe në sistemin e Kosovës, punësimi në sistemin e Kosovës më nuk është një temë tabu. Kufijtë janë thyer. Por, një nga parakushtet në shumë konkurse për vende pune është që me dokumentacion të dorëzohet një diplomë e nostrifikuar. Që të verifikohen diplomat universitare, ato fillimisht duhet të nostrifikohen. Institucionet e Kosovës janë përgjegjëse për procesin e nostrifikimit të diplomave të Serbisë. Por, ky proces është “ngrirë”.

I vetmi verifikim që zhvillohet pa pengesa është për Universitetin e Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Kosovës. Por, kjo në sistemin e Kosovës është bërë falë vendimit të Qeverisë së Kosovës në vitin 2015 për të njohur diplomat e këtij universiteti në mënyrë që pronarët e tyre të mund të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës. Megjithatë, për Qeverinë e Kosovës, kjo ishte një “masë kalimtare e përkohshme” deri te “integrimi i plotë” i Universitetit shtetëror të Serbisë në sistemin e Kosovës.

Ndalimi selektiv i punësimit

Nga ana tjetër, shumë të diplomuar që jetojnë në Mitrovicë, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë dhe mjedise të tjera serbe kanë diploma të universiteteve që funksionojnë në territorin e Serbisë qendrore. Nuk është i njohur numri i tyre, por është e njohur për komunitetin lokal që, për shembull, Universiteti i Nishit dhe Beogradit janë shpesh pika grumbullimi të studentëve nga Kosova. Edhe pse këto diploma nuk janë faktor vendimtar për studentët kosovar për të fituar një vend pune në sistemin e Kosovës. Për më tepër, më parë janë pengesë për një gjë të tillë.

Studentja e diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Jellena Simiq (Jelena Simić) është ballafaquar me çështjen e punësimit në vitin 2018.

Ajo thotë se nga 2015 deri në 2018 ka punuar për Komisionin e Pavarur për Media, i cili është pjesë e institucioneve të Kosovës dhe financohet nga buxheti i Kosovës. Punonte si anëtare e bordit, ku kishin nevojë për një person me diplomë fakulteti.

Në atë kohë, askush nuk vinte në dyshim diplomën e saj. Por, e gjeti veten në problem kur aplikoi për një vend pune në qershor 2018 në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, për pozitën e Zyrtarit për Informim dhe Media.

“Kur dorëzova dokumentet, më është kërkuar diploma e nostrifikuar. Unë nuk e kisha. Kjo ishte arsyeja pse nuk e gjeta veten në raundin e dytë. Më është thënë që diploma ime as që mund të merrej në konsideratë dhe se për këtë arsye aplikacioni nuk kishte asnjë bazë ”, thotë Simiq, duke shtuar se ajo i ishte drejtuar në mënyrë joformale një mike të saj, e cila punon në zyrën e Avokatit të Popullit në Kosovë.

Kur u pyet a u përpoq të nostrifikonte diplomën e saj, Simiq thekson se ajo njëkohësisht ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit të Kosovës, ku ka marrë përgjigje se kjo ministri aktualisht nuk pranon aplikacione dhe se një procedurë e tillë nuk ekziston, si dhe se rasti i saj është i izoluar.

“Por, problemi nuk është i njëjtë për të gjithë. Unë njoh disa njerëz që kanë diploma nga Universiteti i Beogradit e që punojnë në institucionet e Kosovës. Kjo do të thotë që kjo ndalesë zbatohet në mënyrë selektive – vlen për disa njerëz, e për disa jo”, shton ajo.

Simiq gjithashtu tha se me siguri do të parashtrojë ankesë  në Zyrën e Avokatit të Popullit në Kosovë, por se nuk ka pritje të mëdha në lidhje me zgjidhjen e rasteve të tilla.

Duke gjurmuar pas informatave të bashkëbisedueses tonë rreth kontaktimit me Zyrën e Avokatit të Popullit edhe redaksia jonë kontaktoi këtë zyrë për të mësuar më shumë nëse Avokati i Popullit ka pranuar ankesa nga të diplomuarit që kanë përfunduar fakultetin në Serbinë qendrore ose Vojvodinë dhe çfarë mund të bëhet për këtë çështje. Ne i parashtruam pyetjet me shkrim, por asnjë përgjigje nuk është pranuar deri sot.

Procesi i “ngrirë”

Procesi i verifikimit dhe certifikimit të diplomave, në bazë të marrëveshjes nga viti 2011, filloi më 15 shkurt 2012 dhe zgjati deri më 14 qershor 2014. – thotë për redaksinë tonë Kumrie Gagica nga Qendra kombëtare e Kosovës për njohje akademike dhe informacionin në Ministrinë e Arsimit të Kosovës.

Ajo rikujton se me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, ishte kontraktuar organizata joqeveritare nga Holanda, SPARK, për të menaxhuar pjesën teknike të procesit të njohjes së diplomave, ndërsa Asociacioni i Universiteteve Evropiane (AUE) u përfshi si “autoritet për certifikimin e diplomave”.

Aplikacionet dërgoheshin në zyrën e SPARK-ut në Ministrinë e Arsimit të Kosovës, më pas në AUE në Bruksel, dhe AUE merrte vendimin për njohjen e këtyre diplomave, me ç’rast lëshonte një dokument që konfirmonte autenticitetin e diplomës.

Më tej sqaron se procesi i certifikimit ishte kryer në katër cikle – cikli i parë i aplikimit nga shkurti deri në qershor 2012; cikli i dytë nga korriku deri në dhjetor 2012; cikli i tretë nga janari deri në qershor 2013 dhe cikli i katërt nga korriku deri në shkurt 2014.

“Kjo do të thotë se që nga 2012 deri në 2014, diplomat e Serbisë u njohën përmes këtij projekti” – shtoi më tej Gagica.

“Marrëveshja e vitit 2016 ende nuk është zbatuar, edhe pse palët kanë ndërmarrë disa veprime përgatitore. Më 25 shkurt 2016, Bashkimi Evropian kontraktoi organizatën nga Holanda, SPARK, për ofrimin e ndihmës teknike në njohjen e diplomave të arsimit të lartë, por projekti ende nuk ka filluar të zbatohet me sukses, kështu që procesi i certifikimit të diplomave është ende “i ngrirë”,” përfundoi ajo.

Ajo më tej vlerësoi se “çështja e njohjes së diplomave midis Kosovës dhe Serbisë është një çështje që duhet të adresohet në nivelin më të lartë politik”, dhe se Ministria e Arsimit e Kosovës do të vazhdojë të punojë “pasi të jetë marrë çfarëdo vendimi për këtë çështje”. 

Edhe nga Zyra për Kosovë dhe Metohi kemi kërkuar përgjigje me shkrim pse nuk zbatohet marrëveshja dhe nëse është diskutuar apo diskutohet rreth zgjidhjes së këtij problemi.

Në përgjigje thuhej se problemi u paraqit pasi Prishtina nuk e pranoi listën e institucioneve të arsimit të lartë të akredituara në Republikën e Serbisë sepse në të gjendej edhe Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Kosovës, për të cilin autoritetet e Prishtinës pretendojnë se i përket sistemit të Kosovës.

Në përgjigje gjithashtu pretendohet se që nga lidhja e Marrëveshjes në vitin 2011 e deri më sot autoritetet e Prishtinës nuk kanë njohur asnjë diplomë të vetme prej 13 sosh me certifikatë të Asociacionit të Universiteteve Evropiane (AUE), përderisa shtojnë se Serbia kishte zgjidhur pozitivisht 80% të diplomave të dorëzuara (28 nga 38 diploma).

Më tej deklarojnë se bllokimi në zbatimin e marrëveshjes do të mbetet në fuqi përderisa Prishtina të mos njohë të gjitha institucionet e akredituara të arsimit të lartë të Republikës së Serbisë, përfshi edhe universitetin me seli në Mitrovicën e Kosovës.

Vazhdimi i dialogut Beograd-Prishtinë është i nevojshëm për të zgjidhur këtë çështje, shtuan nga Zyra për Kosovë dhe Metohi.

Të bllokuar në sistem

Një shembull tjetër i pasojës së dështimit në nostrifikimin e diplomave është ai i të intervistuarit tonë i cili dëshironte të mbetej anonim (emri i njohur për redaksinë). Bashkëbiseduesi ynë është i punësuar në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut. Pasi përfundoi Fakultetin e Drejtësisë në Beograd dhe u kthye në Mitrovicë, gjithashtu kishte kryer punën praktikë dyvjeçare në prokurorinë në sistemin e Serbisë, që ishte parakusht për të paraqitur provimin e jurisprudencës.

Para integrimit në sistemin e Kosovës ishte punësuar në Gjykatën Themelore, e pas këtij procesi, të gjithë punonjësit e gjykatës u integruan, përfshirë edhe ata që kishin diploma nga Beogradi, Nishi, Kragujevci, Novi Sadi dhe vendet tjera në Serbi.

Megjithatë, problemet filluan në vitin 2018 kur bashkëbiseduesi i jonë ishte dashur të hynte në provimin e jurisprudencës. Edhe pse ai siguroi dhe dorëzoi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, emri i tij nuk u shfaq në ueb faqen e Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës. Pasi u sigurua se nuk ishte bërë asnjë gabim, ai mori informacion nga Ministria se ai nuk kishte një diplomë të nostrifikuar dhe se ky proces mund të zgjas me vite.

“Shikuar nga ana juridike, nuk ekziston ndalesa e nostrifikimit të diplomave, por de fakto me vite pritet përgjigja. Këtë ma kanë thënë njerëzit që dinë për këtë problem”, tha djali i ri me të cilin folëm.

Pas konsultimit me njohësit e situatës, atij iu tha që procesi ishte ngadalësuar dhe se rrethanat tani kishin ndryshuar edhe pse ishte arritur një marrëveshje.  

“Në të vërtetë, e gjithë kjo më ka dekurajuar, veçanërisht pasi kam parasysh se njerëzit që filluan të nostrifikojnë diplomat nuk kanë arritur të bëjnë asgjë në këtë proces”, tha ai.

Pasi ai gjithashtu posedon edhe diplomë masteri nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, ai u përpoq të nostrifikojë diplomën përmes rrugës anësore, por për momentin nuk ka asnjë informacion nëse është procesuar diploma e dorëzuar.

Kështu, edhe pse ai tashmë është i punësuar në institucionet e Kosovës, bashkëbiseduesi ynë thotë se është bllokuar në vendin e tij të punës dhe se nuk mund të avancojë më tej prej tij, pikërisht sepse nuk mund të nostrifikojë diplomën e tij.

Ai theksoi se problem për të marrë pjesë në provimin e jurisprudencës ishte në veçanti diploma nga Universiteti i Beogradit.

Për shkak të procesit të “ngrirë” të njohjes së diplomave dhe dialogut, disa në Kosovë janë të bllokuar në pozitat e tyre, të tjerët nuk mund të hyjnë në sistemin e Kosovës. Aplikacionet për punë ndoshta janë refuzuar edhe përpara se të shqyrtoheshin CV-të nga ana e komisioneve.

Artikulli u shkrua në kuadër të projektit “Zhvillimi i gazetarisë hulumtuese te gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë”, të cilin e zbatojnë Bota bardh e zi dhe Instituti për zhvillim territorial. Ky grant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë”, të cilin e financon Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhon Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Artikulli është përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e CBS dhe InTER.

Përktheu Bruno Neziraj.

POSTAVI ODGOVOR

Please enter your comment!
Please enter your name here