Dy pasaporta – të dyja në vendin e fundit në Evropë

0
291
views
Illustration: Milenko Todorović

Serbët që jetojnë në Kosovë, edhe pse zakonisht kanë dy pasaporta, nuk udhëtojnë shumë jashtë vendit. Përkatësisht, si për pasaportat e Kosovës ashtu edhe për pasaportat e lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e MPB-së të Serbisë, nuk vlen liberalizimi i vizave. Në rreshtat për vizë para ambasadave të huaja në Prishtinë, shqiptarët dhe serbët presin bashkë dhe pajtohen për së paku një gjë – që janë qytetarë të rendit të dytë.

Shkruan: Jovana Stojanoviq (Stojanović)

Pothuajse çdo mëngjes para ndërtesës në rrugën Azem Jashanica nr. 66 në Prishtinë krijohet një rresht i gjatë njerëzish që presin. Përkatësisht, në këtë adresë, lëshohen vizat për tri shtete, Austri, Zvicër dhe Gjermani.

Në kohën që mbërritëm, ishin rreth 30 njerëz në oborr, ndërsa shumë më tepër në rrugë. Të rinj dhe të moshuar, shqiptarë dhe serbë, pjesëtarë të komuniteteve të tjera të Kosovës, shtyhen njëri pranë njëri-tjetrit dhe presin t’i thërrasin. Në këtë rresht është edhe bashkëbiseduesi ynë, i cili donte të mbetej anonim, dhe të cilin ne do ta paraqesim si Aleksandër.

Ky serb i ri nga Mitrovica tashmë dy muaj pret vizën dhe shpreson që së shpejti do udhëtoj drejt Gjermanisë. Në pasaportën e tij, të lëshuar nga Republika e Serbisë, janë dy fjalë që i pamundësojnë regjimin pa viza – Drejtoria Koordinuese. Kjo është arsyeja pse ai duhet të qëndrojë para ambasadës.

Një nga problemet më të rëndësishme për serbët lokalë këtu janë dokumentet e udhëtimit. Në të vërtetë, për personat që jetojnë në territorin e Kosovës, janë pasaporta të posaçme të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë.

Kur u hoq regjimi i vizave për Serbinë në vitin 2009, ky privilegj anashkaloi serbët e Kosovës. Me frikën e migrimeve të mundshme të paligjshme të personave nga Kosova, Këshilli i Bashkimit Evropian, me Rregulloren EC nr. 539/2001 kërkoi që të themelohej Drejtoria Koordinuese dhe përjashtimi nga regjimi pa viza, gjë që edhe u bë në atë kohë.

Ilustrimi 1. Ekstrakti nga Rregullorja EC No. 539/2001 për regjimin me viza për pasaportat e Drejtorisë Koordinuese, burimi: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:52009PC0366&from=EN

Deri në vitin 2009, pasaportat e Republikës së Serbisë ishin të njëjta për të gjithë dhe po ashtu edhe për serbët e Kosovës, të cilët i merrnin ato nga MPB e Rashkës. Duke pas parasysh që pasaportat e lëshuara deri në vitin 2009 janë afër skadimit, shumë serbë pyeten çka më tej dhe si të marrin dokumente të reja udhëtimi.

Problemi është se bartësit e kësaj pasaporte nuk kanë mundësi ta vazhdojnë atë. Shumë e shohin zgjidhjen në marrjen e një pasaporte që do t’iu lëshohej në ndonjë qytetet jashtë Kosovës. Por kjo do të thotë që sistemi duhet të mashtrohet.

Kur një person nga Kosova kërkon ndërrim vendbanimi, kontrollet e policisë janë shumë më të rrepta dhe më të shpeshta krahasuar me nëse dikush nga qytete e Serbisë qendrore e bën këtë. Për shembull, kur dikush dëshiron të ndryshojë vendbanimin nga Rashka në Kralevë, kjo punë mund të përfundojë brenda pak ditësh, pa asnjë kontroll të madh.

Nga ana tjetër, kjo nuk do të ndodhë për dikë që dëshiron të ndërroj vendbanimin nga Kosova në qytetin e Kralevës. MPB-ja e Kralevës do të shkoj disa herë për tu siguruar që personi në të vërtetë jeton atje. Përveç kësaj, ata do të kërkojnë vërtetimin nga fqinjët ose të afërmit tek të cilët lajmërohet.

Se sa i mundimshëm është procesi i marrjes së vizës e dinë të gjithë ata që presin para ambasadës. Për largimin në shumicën e vendeve të BE-së, bartësit e pasaportave të Drejtorisë Koordinuese drejtohen tek ambasadat në Prishtinë. Këtë e dëshmon edhe bashkëbiseduesi ynë, Aleksandri, i cili aktualisht është duke pritur miratimin e vizës. Historia e tij është e ngjashme me shumë të tjerë, dhe ka të bëjë me largimin nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

Aleksandri thekson: “Vendosa të largohem nga Mitrovica e Kosovës sepse mendoj se ky qytet, edhe pse i bukur dhe shumë i dashur për mua, nuk jep asnjë shans për një jetë normale dhe prosperitet”. Aleksandri thotë se vendimin për t’u larguar nga vendi ia lehtësoi fakti qe e dinte se e pret një punë e sigurt në profesionin e tij, madje në firmën e të afërmve të tij.

Për të aplikuar për vizë, duhet fillimisht të caktoni një termin. Kjo kryesisht bëhet në mënyrë elektronike, përmes faqeve dhe shablloneve që i kanë të gjitha ambasadat. Ndërkohë pason mbledhja e dokumenteve.

Nëse, për shembull, keni një pasaportë të Kosovës, atëherë keni nevojë për një numër të madh dokumentesh si: shtetësia e Kosovës, një ekstrakt nga administrata tatimore e Kosovës, një ekstrakt – ekuivalent me certifikatën e lindjes, një vërtetim për bashkësinë familjare, certifikata e martesës, kontrata e punës, një raport bankar për të ardhurat në 6 muajt e mëparshëm etj.

Theksojmë se vizat e punës dhe ato turistike dallojnë pak a shumë lidhur me disa dokumente, ndërsa në momentin e aplikimit paguhet taksa për vizë në shumë prej 60 eurosh.

Aleksandri aplikoi në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. Ai është ende duke pritur miratim të vizës. Respektivisht, afati i lajmërimit është një vit nga dita e dërgimit të kërkesës. I riu dërgoi një aplikacion për vizë në formë elektronike.

Më tej thuhet “në emailin kthyes, me të cilin Ambasada Gjermane konfirmoi se kam aplikuar me sukses, shkruante të mos dërgoj e-maila të tjerë sepse kjo do t’jua vështirësonte punën atyre. Dhe se është shumë më mirë të pres që ata të më lajmërojnë kur e kam terminin, sepse termini patjetër do të vjen”.

Një lloj kornizë kohore është që ambasadat të miratojnë vizat për një periudhë prej 60 ditësh. Ky nuk është rregulli, kështu që ndodh që disa të presin disa muaj, ndërsa disa njerëz ta marrin me procedurë të përshpejtuar.

Si shembull, do të marrim Ambasadën e Italisë në Prishtinë. Kjo ambasadë në faqen e saj jep një mundësi për të caktuar termin për dorëzimin e dokumenteve vetëm pas 3-4 muajsh.

Nëse planifikoni të veroni në këtë shtet dhe keni pasaportë të Drejtorisë Koordinuese ose pasaportë të Kosovës, filloni të mendoni për këtë që nga fillimi i vitit të ri, menjëherë pas festave. Lënë shakatë mënjanë, edhe nëse gjeni termin, nuk do të thotë se do të merrni vizën.

Me dëshirën për të kuptuar sa shpesh udhëtojnë serbët nga veriu i Kosovës dhe ku, kemi hartuar një pyetësor në një mostër prej 300 personash përmes platformës “Gugl Forms”, ku pyetësorët janë shpërndarë në mënyrë të shënjestruar përmes rrjeteve sociale.

Përveç kësaj, kemi shqyrtuar qëndrimet e qytetarëve të veriut të Kosovës në lidhje me liberalizimin e vizave dhe cilën pasaportë posedojnë. Pra, 55% e të anketuarve kanë pasaportë të lëshuar nga Drejtoria Koordinuese.

Më pas, 10% kanë pasaportë të Kosovës dhe 10% kanë pasaportë të lëshuar nga Republika e Serbisë në qytetet e Serbisë qendrore. Udhëtojnë më së shumti për arsye turistike, 89.7%, 17.2% për punë dhe 6.9% për studim.

Ndër të tjera, serbët nga Kosova në pyetjen ku udhëtojnë më së shpeshti përgjigjen: Mal të Zi (72.4%), shtetet evropiane (41.4%), Maqedoni (27.6%), Bosnje dhe Hercegovinë (13.8%), Greqi dhe Turqia me nga 6.9% dhe të tjera. Më së shumti për arsye turistike, që përfundon te fqinji – Mali i Zi, për shkak të lehtësisë së udhëtimit dhe ish shtetit të përbashkët.

Një rrethanë lehtësuese është mundësia e hyrjes në këtë vend vetëm me letërnjoftim.

Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës nuk i njohin pasaportat e Drejtorisë Koordinuese. Pra, një person që posedon pasaportë të Drejtorisë Koordinuese nuk mund të fluturojë nga aeroporti i Prishtinës. Dhe kur një person merr një vizë, fluturon nga Shkupi ose Beogradi, sepse në atë rast e di se me siguri do të shkojë në destinacionin e dëshiruar.

Edhe pse shtetësia e dyfishtë është e garantuar me dispozitat e Ligjit mbi Shtetësinë, personat me pasaportë të Drejtorisë Koordinuese nuk mund të fluturojnë nga ky aeroport.

Gazetarja e portalit Kossev, Millica Andriq Rakiq (Milica Andrić Rakić), kishte trajtuar këtë temë derisa ka punuar në organizatën joqeveritare Aktiv. Millica sqaron se në të dy sistemet, në sistemin legjislativ të Kosovës dhe Serbisë, ekziston e drejta për shtetësi të dyfishtë.

Millica Andriq Rakiq, FOTO: Facebook

Pastaj thekson se kjo e drejtë do të respektohet meqë shqiptarët e Kosovës kanë një diasporë të madhe dhe nuk është në interes të tyre të kushtëzojnë qytetarët e tyre të kenë vetëm një shtetësi.

“Kushdo që mbetet këtu, me siguri do të ketë dokumentacion të dyfishtë. Besoj se dokumentet e udhëtimit të Serbisë duhet të barazohen me të tjerat. Drejtoria Koordinuese duhet të shpërbëhet si një organ brenda ministrisë së punëve brendshme dhe të shikohet një mënyrë tjetër për nxjerrjen e këtyre dokumenteve”, thotë Andriq Rakiq.

E pyetur çka duhet të bëhet që pasaportat e Drejtorisë Koordinuese të bëhen pa viza, Millica thotë që “Serbia, po të dëshironte, do të mund të gjente mënyrën për të mënjanuar disa nga brengat të cilat i kishte Bashkimi Evropian kur kërkoi që pasaportat e Drejtorisë Koordinuese të përjashtoheshin nga regjimi i liberalizimit të vizave”.

Pastaj, thotë se këtu i referohet kontrollit konkret të të dhënave në terren dhe mundësisë e migracionit të paligjshëm. “Serbia nuk ishte në gjendje të garantonte saktësinë e të dhënave sepse nuk kishte policinë në territorin e Kosovës që do të garantonte që personat jetojnë aty”.

Rreziku i migracionit të paligjshëm pushon së qeni një argument i vlefshëm, duke pas parasysh se Prishtina ka dëshmuar se kjo më nuk paraqet kërcënim. Në Bashkimin Evropian ekziston frika nga migrimi i paligjshëm dhe ndryshimet sociale, gjë që kjo ndjeshëm mund të pengojë fitimin e liberalizimit të vizave.

Ajo që mbetet është një negocim midis Bashkimit Evropian dhe Serbisë lidhur me garancinë e të dhënave. “Kjo do të kërkonte një qasje mjaft fleksibile me Policinë e Kosovës. Kjo është diçka e realizueshme, por nevojitet një vullnet i jashtëzakonshëm politik, për të cilin aktualisht nuk ka parakushte në Serbi”.

Në faqen e internetit schengenvisainfo.com mund të gjeni informata interesante për numrin e vizave të lëshuara. Sipas këtyre të dhënave, Kosova renditet në vendin e lartë, të 25-in në botë për nga numri i aplikimeve për viza në vendet e zonës së Shengenit.

Sipas të dhënave për vitin 2017, ambasadat në Prishtinë kanë pranuar pak më shumë se 90.000 aplikacione, ndërsa u lëshuan gjithsej 63.424 viza. Kërkesa më e madhe ishte për Gjermani, pak më shumë se 29.000. U miratuan 23.573 viza.

Analisti politik nga Prishtina, Shpëtim Gashi, konsideron se liberalizimin e vizave për pasaportat e Kosovës e bllokojnë disa shtete anëtare të BE-së, të udhëhequra nga Franca. Ai thotë: “Duket se këto vende kanë frikë nga migrimi masiv nga Kosova nëse ata miratojnë liberalizimin e vizave. Megjithatë, korrupsioni dhe sundimi i ligjit janë po ashtu bazë për shtyrje”.

Një tjetër pyetje interesante është se cila pasaportë ka vlerën më të madhe, respektivisht kalueshmëri, pasaporta e Kosovës ose Drejtorisë Koordinuese. Millica Andriq është e bindur se do të kalojmë më mirë me pasaportën e Drejtorisë Koordinuese.

Ndër të tjera, thotë se bartësit e kësaj pasaporte mund të udhëtojnë pa viza në disa shtete që nuk janë në dispozicion të pasaportave të Kosovës, përfshi Rusinë, Kinën, shtetet e Amerikës së Jugut, disa shtete afrikane etj.

Përveç kësaj, Millica beson se do të ndodh një trend në rritje i marrjes së pasaportave të Kosovës në rast të liberalizimit për pasaportën e Kosovës, veçanërisht te serbët e rinj.

Shpëtim Gashi gjithashtu beson se pasaporta e Kosovës është një nga më të pavlerat në botë. “Së pari, ju duhen viza për pothuajse të gjitha shtetet. Së dyti, ka një numër shtetesh, siç është Spanja, të cilët nuk i njohin fare këto dokumente.

Shpëtim Gashi, FOTO: Facebook

Pasaporta serbe e lëshuar nga Drejtoria Koordinuese është ngjashme me atë të Kosovës sepse vizat janë të nevojshme vetëm për këto dy pasaporta në Evropë. Kjo pasaportë është shumë më e dobishme se e Kosovës sepse njihet nga të gjitha shtetet. Për shembull, mund të shkosh në Spanjë me pasaportë të Drejtorisë Koordinuese, ndërsa nuk mundesh me atë të Kosovës”.

“Kosova nuk do të marrë liberalizimin e vizave përderisa krimi i organizuar udhëheq institucionet dhe derisa të dënuarit për krime lufte vendosen në pozita të larta qeveritare”, konsideron Shpëtim Gashi.

Ky analist beson se një ditë kur të ndodh liberalizimi i vizave, ajo do të zbatohet në mënyrë të barabartë për pasaportën e Kosovës si dhe pasaportat e lëshuara nga Drejtoria Koordinuese. Ai konsideron se kjo mund të ndodhë më së voni për dy vjet.

Pasaporta e Drejtorisë Koordinuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë do të mund të bëhej pa viza, po të bëhej ndryshimi i Rregullores së sipërpërmendur të Bashkimit Evropian në nenin 4.

Respektivisht, po të hiqej referenca e veçantë që ekziston për Republikën e Serbisë, e cila i referohet regjimit të vizave për pasaportat e Drejtorisë Koordinuese. Përndryshe, me nenin 3 lejohet lëvizja e lirë nëpër zonën Shengen. Aty janë të listuara shtetet që kanë të drejtë në këtë.

Procedura e ndryshimit zgjat të paktën 6 muaj. Kjo do të thotë se në qoftë se ndodh liberalizimi i vizave për pasaportat e Kosovës, është e nevojshme të fillohet procesi i dytë që do të lidhet me ndryshimin e kësaj rregulloreje, shpjegon Millica Andriq.

Një analizë interesante sa vlen pasaporta e kujt, mund të gjendet në faqen e internetit Henley and Partners passport index. Sipas këtij vlerësimi, pasaporta e Kosovës radhitet e 95-ta në shkallën prej 1 deri në 104 dhe vlen sa edhe pasaportat e Kongos dhe Sri Lankës.

Pasaporta e Serbisë radhitet në vendin e 38, ndërsa i Shqipërisë në vendin e 48-të. Pasaportat më të vlefshme janë ajo e Japonisë, Koresë së Jugut dhe Gjermanisë, pronarët e të cilave mund të udhëtojnë në më shumë se 188 shtete pa viza. Pasaporta të cilën e lëshon Drejtoria Koordinuese sipas të gjitha gjasave nuk është njohur si dokument, prandaj edhe nuk gjendet në këtë listë.

Vitin e kaluar organizata joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, publikoi të dhëna interesante për numrin e pasaportave të lëshuara në Kosovë. Sipas analizës së tyre të titulluar “Zona e pasaportave të veçanta”, në periudhën nga gushti 2009 deri në qershor 2016 Drejtoria Koordinuese ka lëshuar 97.809 pasaporta.

Nga ana tjetër, deri në gusht të vitit 2016, Qeveria e Kosovës ka lëshuar 2.586 pasaporta për komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Në një studim tjetër të kryer nga organizata joqeveritare Crno-beli svet (Bota bardh e zi) nga Leposaviqi nën titullin “A ka harruar Marrëveshja e Brukselit qytetarët?”, thuhet se ka dallime të konsiderueshme në lidhje me posedimin e pasaportave në mesin e banorëve të veriut dhe jugut të Kosovës.

Pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e RS, për të cilat nevojitet viza, kanë 34% të të anketuarve nga veriu dhe 17.6% të të anketuarve nga jugu. Pasaporta të lëshuara nga stacionet e policisë për Mitrovicën e Kosovës ose ndonjë qytet tjetër në Kosovë, pa viza, kanë 21% të pjesëmarrësve në hulumtim nga veriu dhe 12% nga jugu i Kosovës. Pasaporta të Kosovës kanë 6.3% të të anketuarve nga jugu dhe 8.0 nga veriu.

Pasaportë të Republikës së Serbisë të lëshuar në qytetet e Serbisë qendrore kanë 2.67% të të anketuarve nga veriu i Kosovës dhe 1.67% nga jugu i Kosovës, thuhet ndër të tjera në këtë hulumtim.

Megjithatë, shumë persona nga Kosova nuk duhet të presin në rreshta për viza. Mediat në Prishtinë para disa vitesh raportuan se shumë politikanë, biznesmenë dhe njerëz të tjerë me ndikim kanë shtetësi dhe pasaporta shqiptare, të cilat nuk i nënshtrohen regjimit të vizave me BE-në.

Për shembull, Tirana me dekret të veçantë i ka dhënë shtetësinë shqiptare Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Shpend Ahmetit dhe shumë të tjerëve. Çfarë lloj pasaporta kanë përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova nuk kemi arritur të zbulojmë, por pak njerëz këtu besojnë se ata nuk ia kanë dal të gjinden dhe ndërkohë të marrin një pasaportë të Serbisë pa viza.

Cili ishte qëndrimi i Zyrës për KiM kur kemi të bëjmë me pasaportat dhe liberalizimin e vizave, nuk ishim në gjendje të kuptojmë? As pas më shumë se një muaji të pritjes që të na e caktojnë bashkëbiseduesin për këtë temë, nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.

Nga Zyra disa herë deri më tani përmes mediave ose në kumtesat e tyre kanë shprehur qëndrimin e tyre për këtë temë. Në një nga raportimet e mëparshme të tyre, Portali Kossev transmetoi edhe deklaratën e tyre si vijon:

“Disa shtete diskriminojnë bartësit e këtyre dokumenteve, duke i trajtuar ndryshe nga qytetarët e tjerë të Serbisë. Institucionet kompetente të Republikës së Serbisë vazhdimisht tërheqin vërejtjen për papranueshmërinë e kësaj forme të diskriminimit”.

Për shkak të trazirave të vazhdueshme politike, të dy sistemeve dhe shumë fatkeqësive, jeta vazhdon. Çështja e pasaportave nuk zgjidhet. Ndër të tjera, me shumë probleme me të cilat ballafaqohet komuniteti serb ballafaqohet edhe pala shqiptare.

Pritje të gjata, rreshta para ambasadave, stresi gjatë mbledhjes së letrave dhe paratë e shpenzuara për të gjitha këto janë pasqyrim i procesit të aplikimit për vizë. Vetëm njerëzit nga kjo zonë, pavarësisht nëse kanë pasaportë të Kosovës apo pasaportë të Drejtorisë Koordinuese, nuk kanë të drejtë të udhëtojnë nëpër zonën Shengen.

Dukej se regjimi i vizave për pasaportat e Kosovës do të përfundonte vitin e kaluar. Megjithatë, në korrik të vitit 2018, Parlamenti i Bashkimit Evropian hodhi poshtë propozimin e Komisionit Evropian që kishte rekomanduar heqjen e regjimit të vizave.

Kështu që sot, në rreshta para Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, afër njëri-tjetrit qëndrojnë shumë Aleksandra, Shpëtima, Millica dhe të gjithë ata që ndjekin ndonjë ëndërr evropiane ose thjesht duan të shkojnë për pushime në këtë vend.

Artikulli u shkrua në kuadër të projektit “Zhvillimi i gazetarisë hulumtuese te gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë”, të cilin e zbatojnë CBS dhe InTER. Ky grant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë”, të cilin e financon Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhon Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Artikulli është përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e CBS dhe InTER.

Përktheu nga serbishtja: Bruno Neziraj

POSTAVI ODGOVOR

Please enter your comment!
Please enter your name here