Connect with us

Shqip

Evidencat jo të besueshme të vetëvrasjeve në Kosovë

Avatar

Published

on

samoubistvo

Besohet se gjatë 5 viteve të fundit 29 persona kanë bërë vetëvrasje në katër komuna në veri të Kosovës. Arsyeja për pasiguri është se Policia e Kosovës, Agjencia e statistikave të Kosovës dhe Njësiti rajonal i hetimeve i Policisë së Kosovës – Mitrovicë veri disponojnë me të dhëna të ndryshme për këtë çështje. Të dhënat e Njësisë rajonale të hetimeve më së miri përputhen me raportimet ne media për rastet individuale dhe njohuritë në teren, andaj informatat e tyre janë marrë si më të besueshmet. Ndërsa nga ana tjetër, informatat e besueshme për dukuritë siç janë vetëvrasjet kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për hartimin e strategjive adekuate parandaluese.

Sipas të dhënave të Agjencisë së statistika të Kosovës vetëm një person ia kishte marrë vetës jetën në veri të Kosovës në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës – 14, ndërsa evidenca e Njësitit rajonal të hetimeve të Mitrovicës veri tregon se ishte fjala për 29 raste.

Sipas raporteve vjetore për numrin e të vdekurve të Agjencisë së statistikave të Kosovës, vetëm një person kishte bërë vetëvrasje në territorin e katër komunave në veri në 5 vitet e fundit, dhe atë në vitin 2017 në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të cilat CBS i mori nga Policia e Kosovës, nga viti 2015 në Rajonin e Mitrovicës veri (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok) ishin gjithsej 14 vetëvrasje (2015 – 4, 2016 -4, 2017 – 1, 2018 – 3, 2019 – 1, 2020 – 1).

Edhe pse kishim kërkuar nga Policia e Kosovës në Prishtinë që të na i dorëzojnë këto të dhëna sipas komunave, me ndarjen e informatave sipas përkatësisë etnike, moshës dhe gjinisë së personave, si dhe datat e kryerjes së vetëvrasjeve, këto informata nuk na janë dorëzuar.

Të dhënat që na janë dhënë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës (Mitrovicë e Veriut), nga ana tjetër tregojnë se ky numër është gati dyfish më i madh – 29 raste të regjistruara.

Nga Agjencia e statistikave të Kosovës (ASK) në përgjigjen CBS-së si arsye për mospërputhjen e informatave në raportet e tyre dhe raportet e Policisë së Kosovës kanë përmendur se numri i vetëvrasjeve në raportet e tyre është marrë në bazë të raportimeve të familjarëve në zyrat e regjistrit civil, e të cilat në baza mujore ia dorëzojnë këto të dhëna ASK-së, si dhe të enteve shëndetësore të regjistruara në këto zyra.

“Agjencia e statistikave të Kosovës nuk ha hartuar asnjë raport e as analizë për kalkulimin gjithëpërfshirës të të gjitha rasteve të vdekjeve, por vlerësohet se nuk janë raportuar të gjitha rastet e vdekjeve, në veçanti ato në komunitetet joshqiptare”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas të dhënave të ASK-së, në pesë vitet e fundit në Kosovë janë kryer 175 vetëvrasje (2015-36, 2016 – 41, 2017—32, 2018 -27, 2019-39), ndërsa nga ana tjetër sipas të dhënave të Policisë së Kosovës në Prishtinë ky numër është 197 (2015- 60, 2016-42, 2017 – 32, 2018- 37, 2019-26). Duhet ta theksojmë se në evidencën e Policisë së Kosovës në Prishtinë mungojnë 15 vetëvrasje të cilat i ka regjistruar Njësiti hetimor i Mitrovicës së Veriut.

Një tjetër mangësi e evidencës së Agjencisë së statistikave është se është e pamundur të përcaktohet çfarë përkatësie etnike ka personi që ka bërë vetëvrasje në komunën e caktuar. Më saktësisht, raportet vjetore për numrin e të vdekurve përmbajnë të dhënat se në cilën komunë është shënuar rasti i vetëvrasjes, si dhe pasqyrë të përgjithshme të përkatësive etnike të personave që kanë bërë vetëvrasje, por duke mos paraqitur të dhënat në cilën komunë një person i komunitetit të caktuar ka bërë vetëvrasje.

(P.sh. në vitin2017 janë shënuar 32 raste të vetëvrasjeve, 31 të kombësisë shqiptare dhe një serbe. Në Komunën e Mitrovicës së Veriut është kryer një vetëvrasje, ndërsa në komunat tjetra me shumicë serbe nuk është shënuar asnjë rast, andaj vetëm mund të hamendësojmë nëse është fjala për personin me kombësi serbe, megjithatë kjo nuk është një indikator i besueshëm pasi në këto komuna jetojnë edhe persona me kombësi të tjera).

Edhe nga Policia e Kosovës kemi kërkuar të na e sqarojnë arsyen e mospërputhjes së të dhënave të tyre me raportimet në media nga tereni (më konkretisht, Policia e Kosovës ka regjistruar një rast të vetëvrasjes në vitin 2020, ndërsa mediat kanë raportuar për tri raste potenciale të rasteve të vetëvrasjeve në janar, shkurt dhe qershor. Sipas evidencës së Njësitit rajonal të hetimeve të Mitrovicës së Veriut janë regjistruar madje 5 raste, si dhe arsyeja pse nuk na janë dhënë të dhëna shtesë që kanë të bëjnë me komunën, gjininë, moshën dhe përkatësinë etnike të personave që kanë bërë vetëvrasje.

“Policia e Kosovës në fillim të gjitha rastet e vetëvrasjeve i heton dhe identifikon si “vdekje të dyshimta”, vetëm pas përfundimit të hetimit ato klasifikohen si vetëvrasje, vrasje, vdekje natyrore, varësisht nga rezultati i hetimit dhe të dhënat që marrim nga mjekësia ligjore, andaj as të gjitha rastet e paraqitura në kohët e fundit nuk kanë marrë epilog përfundimtar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

“Gjithashtu ju sqarojmë se vetëvrasja nuk është vepër penale (nxitja për të bërë vetëvrasje, asistenca dhe mbështetja e vetëvrasjeve janë vepra penale), prandaj në letrën tonë mungojnë të dhënat që keni kërkuar”, shtohet në përgjigjen e tyre.

Në kërkesën vijuese – që të na sqarohet nëse përgjigja e tyre do të thotë se Policia e Kosovës nuk disponon me këto të dhëna, si dhe që as evidenca e tyre nga vitet paraprake gjithashtu nuk përputhet me raportimet ne media dhe njohuritë nga tereni – nuk kemi marrë përgjigje.

Përderisa Policia e Kosovës nuk kishte të dhëna për komuna, moshë, gjini, përkatësi etnike dhe datë se kur është kryer vetëvrasja, Drejtoria rajonale me kërkesën tonë të parë ka paraqitur evidencën sipas stacioneve policore për të katër komunat në veri, e cila përmbante edhe këto informata.

Megjithatë, pasi i kemi njoftuar për mospërputhje të të dhënave me raportime nga tereni, na është dorëzuar evidenca e Njësisë rajonale të hetimeve e cila kishte të bënte me të katër komunat por pa përmendur të dhënat shtesë të cilat na ishin dorëzuar më parë.

Sipas të dhënave të tyre, gjithsej 29 persona kanë bërë vetëvrasje në territorin e katër komunave në veri nga viti 2015, gjë që është për 15 vetëvrasje më shumë krahasuar me të dhënat e paraqitura nga Policia e Kosovës në Prishtinë (2015 – 8, 2016 – 5, 2017-3, 2018-3, 2019-5, 2020-5).

Raportet kundërthënëse të institucioneve të Kosovës për këtë çështje dhe arsyetimet e pranuara në redaksinë tonë ngrenë pikëpyetje edhe për besueshmërinë e të dhënave që kanë të bëjnë me pjesën tjetër të Kosovës.

Ekzistimi i një evidence unike dhe të besueshme të rasteve të vetëvrasjeve në Kosovë mbetet i dyshimtë.

“SI në çdo veprimtari tjetër, besueshmëria e informatave ka rëndësi vendimtare për hartimin e strategjive adekuate për veprim lidhur me një dukuri të caktuar”, thekson psikologja dhe asistentja në Katedrën e psikologjisë në Fakultetin e filozofisë në Mitrovicë, Senka Kostić [Senka Kostiq]. Ajo shton se duhet të ekzistojë baza jo vetëm në sistemin e policisë, por edhe jashtë saj.

Gjegjësisht, është i domosdoshëm bashkëpunimi i qendrave për punë sociale, spitaleve, qendrave sportive dhe policisë.

“Vetëvrasja është akti i marrjes së jetës vetes, e cila shkaktohet nga vështirësitë psikike. Personat zakonisht kanë problem me depresionin, ankthin, ballafaqohen me një sëmundje të rëndë ose ndonjë formë të krizës aksidentale (humbja e personit të dashur, lindja e fëmijës me pengesa në zhvillim, ndërprerja e një lidhje ose shkëputja e martesës e ngjashëm)”, thekson ajo.

Përveç kësaj, Kostiq shton se nuk mund me një siguri të plotë të dallohet personi që do të bëjë vetëvrasje, porse mund të jemi më të ndjeshëm ndaj nevojave të individëve, të ju ofrojmë ngushëllim, bisedë dhe ndihmë kur e kërkojnë.

Thekson se ndaj personave me vështirësi psikike duhet pasur vëmendje të veçantë kur fillojnë të ndjehen mirë pasi në atë kohë, siç thotë, janë në momentet më kritike për të bërë vetëvrasje “pasi qetësia dhe kënaqësia e tyre buron nga ndjenja se kanë krijuar planin si të dalin nga vështirësitë”.

“Faktorët e mjedisit nuk mund të ndikojnë drejtpërdrejt në vetëvrasje, por mund të jenë faktor të qenësishëm e që janë të rëndësishëm për cilësinë e jetës së personit”, thekson Kostiq dhe shton se “Kosova është një ambient ku ka një mori faktorësh të cilët mund të kontribuojnë në statusin më të keq psikik të personit (i cili rrugëdaljen mund ta kërkojë në vetëvrasje)”.

Ajo nënvizon se duhet marrë parasysh edhe se periudha pas konfliktit në Kosovë po zgjat shumë “dhe për shkak të së cilës gjenerata të shumta janë rrit dhe zhvilluar në një mjedis apatik, jostabil, të rrethuar me mungesë të shpresës, me liri të kufizuar të lëvizjes, me ndjenjën që fqinji i parë mund të jetë armiku më i madh – gjë që sjell te ndjenja e pasigurisë”. Të gjitha këto mund të kontribuojnë “në zhvillimin e një personaliteti depresiv, apatik, me ankth i cili daljen mund ta kërkoj në vetëvrasje”, konkludon Kostiq.

Përveç se vetëvrasja ende paraqet tabu në shoqërinë tonë, gjendja e pazgjidhur politike, juridike, administrative dhe ekonomike, e cila është aktuale në veri të Kosovës, edhe më shumë rëndon punën në parandalimin e paraqitjes së vetëvrasjeve, konsideron Kostiq.

“Problem të veçantë në Kosovë paraqet mungesa e qendrës e cila merret me parandalimin e vetëvrasjeve, ndërsa me trajtim të vetëvrasjeve merremi vetëm kur ndodh tentim vetëvrasja e kjo duke iu ofruar ndihmë në psikiatri këtyre personave”, thekson ajo.

Përktheu Bruno Neziraj

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Preporučeno