Fabrikat në terr

0
141
views
Foto: Pixabay.com
Foto: Pixabay.com

Fabrika e poçave elektrik në Llaplasellë, e shpallur si investim i madh në prag të zgjedhjeve të vitit 2017, u hap dhe pastaj shumë shpejt, me habinë e publikut lokal, u mbyll pa një shpjegim të qartë. Hapja e vendeve të reja të punës në Kosovë është një temë e preferuar parazgjedhore e politikanëve, ndërsa numri i premtimeve të realizuara është minimal. 

Shkruan: Maria Stanojkoviq (Marija Stanojković)

SRPSKI: Fabrike u mraku

ENGLISH: Factories in the Dark

Drita të fikura, dryni në derën e sallës së madhe dhe oborri i mbuluar me bar. Kështu duket sot objekti për të cilin as fshatarët e Llaplasellës nuk janë më të sigurt nëse është një sallë sportive apo fabrikë. As nuk merret kush me sport këtu, e as nuk prodhohet gjë. E duhej.

Vendet e para të punës në sektorin real në komunën e Graçanicës, pas vitit 1999, u hapën pikërisht këtu. Pak më shumë se para një viti e gjysmë, në sallë u vendosën makinat për prodhimin e poçave elektrik, ndërsa një nga të punësuarit ishte elektricisti 25 vjeç Lazër Kostiq (Lazar Kostić):

 “Në fillim ishte një eksperiencë e këndshme. Prodhonim llamba për rrugë dhe reflektorë. Punuam për më shumë se një vit. Por, nuk na paguan. Dhe kështu gjithçka u shpërbë”.

Historia e një investimi që u shpërbë, e që duhej të punësonte më shumë se 40 punëtorë, fillon në fund të vitit 2016, rastësisht ose jo, në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Në atë kohë Komuna e Graçanicës me Vendim për dhënien e hapësirës komerciale në shfrytëzim ia jep me qira ish sallën e sportit në Llaplasellë investitorit Millosh Jokanoviq (Miloš Jokanović), pronar i firmës “Power of nature plus”.

Me këtë rast, Jokanoviq premtoi investime të mëdha nga foltorja e sallës së Kuvendit:

“Publikisht them se projekti nuk do të dështoj, qëllimet reale dhe tregu janë të siguruara dhe vendet e punës për 47 punëtorë janë punë e kryer. Buxheti për zbatimin e këtij projekti është siguruar dhe deri tani janë shpenzuar më shumë se 230.000 euro, vetëm për licencimin 60.000 euro, ndërsa për sigurimin e pajisjeve 180.000 euro, ndërsa do të nevojiten edhe afërsisht 70.000 euro për të pajisur sallën”.

Në atë kohë “Power of Nature Plus” ishte prezantuar si një kompani me eksperiencë evropiane në fushën e efiçiencës energjetike dhe prodhimin, e cila daton që nga viti 1992.

“Ne planifikojmë të bëjmë prodhimin e parë 30 ditë nga instalimi i dyshemesë në sallë. Kam vizituar shkollën e mesme dhe njohuritë e tyre në tërësi i plotësojnë kriteret tona, ndërsa për prodhimin e llambave të para trajnimi do të zgjasë vetëm tri ditë. Ideja është të punësojmë të rinjtë, ndërsa për dy nxënësit më të mirë të Shkollës elektro–teknike kemi siguruar bursa”.

E paralajmëroj investitori atëherë, ndërsa mediat lokale e transmetuan. Më pas u tha se realizimi i këtij investimi vjen në bashkëpunim me Komunën e Graçanicës dhe se kjo do të kontribuojë në zhvillimin e këtij vendi.

Llaplasella është disa kilometra larg nga qendra e Graçanicës, ndërsa pranë këtij vendi kalon edhe autostrada Prishtinë-Shkup. Duke vozitur në drejtim të Prishtinës është e pamundur të mos vërehet numër i madh i qendrave tregtare, hoteleve dhe restoranteve, pompave të benzinës dhe objekteve të tjera, në të shumtën e rasteve në pronësi të shqiptarëve, e të cilat gjenden njëra pranë tjetrës përgjatë rrugës.

Kur kthehet rruga për Llaplasellë, fotografia është krejtësisht tjetër. Vetëm ndonjë lokal, restorant apo shitore, dhe kjo është kryesisht gjithçka që ekziston nga sektori privat.

Popullata lokale serbe, ashtu si dhe në shumicën e vendeve të tjera në komunat serbe në Kosovë, kryesisht varet nga të ardhurat në sektorin publik. Fabrikat e vjetra janë shkatërruar kah moti, papunësia është e lartë, prandaj edhe çdo paralajmërim i ndonjë investimi këtu paraqet lajm të madh. 

Megjithatë, lajmi i parë rreth fillimit të punëve në uzinën për prodhimin e LED dritave u botua vetëm pas një viti e gjysmë, në mars të vitit 2018. Investitori më pas shpjegoi në një prononcim për RTV KIM lokale se burokracia dhe procedurat e ngadalësuan të gjithë procesin.

“Problemi i madh ishte marrja e certifikatës në Kosovë, marrja e licencave. Është dashur të zgjasë më pak, sipas mendimit tonë, por zgjati shumë më gjatë. Tani kemi filluar dhe ngadalë dalim me produktet tona”, tha Jokanoviqi.

Gazetarja e RTV KIM lokal, Zorica Vorguçiq, ishte një nga të paktët që hynë në fabrikë në atë kohë. Nuk ishte e impresionuar nga ajo që pa:

“Kur erdhëm e pamë derën e mbyllur të fabrikës, ndërsa ishte para dite. E thirra Aleksandër Mihailloviqin, Drejtorin e Departamentit Komunal për Zhvillim Ekonomik, për të pyetur përse nuk është askush, dhe pastaj përnjëherë u shfaqën drejtori i fabrikës së supozuar dhe dy punëtorë. Ne hymë brenda dhe pastaj ata filluan të bëjnë diçka dhe të na shpjegojnë si funksionon dhe si planifikojnë të eksportojnë këto produkte, poça elektrik”.

Zorica Vorguçiq thotë se ajo shkoi për të bërë një histori rreth fabrikës, sepse në atë kohë Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Serbisë, Branimir Stojanoviq, siguronte publikun se fabrika ishte duke punuar. Ajo thotë se i gjithë ky tregim ishte vetëm një lajthitje e madhe e publikut:

“Me sa kam njohuri, ajo fabrikë nuk funksionon më dhe aty po përgatitet diçka tjetër, respektivisht një fabrikë e re. Ish Kryetarët e Komunës, Branimir Stojanoviq dhe Vlladeta Kostiq kanë paralajmëruar shumë gjëra sa i përket hapjes së fabrikave dhe vendeve të reja të punës, pastaj investimet nga Greqia, por asgjë nuk u bë nga këto. Mendoj se këto janë të gjitha fjalë të zbrazëta dhe lajthitje e publikut para zgjedhjeve”.

Fabrika në Llaplasellë nuk është rast i vetëm. Asgjë nuk ishte më mirë as me investimin e paralajmëruar në fshatin e afërt, në Batusë.

Në dhjetor 2016, në seancën e lartpërmendur të Kuvendit Komunal, Kryetari i atëhershëm i Komunës, Vlladeta Kostiq paralajmëroi hapjen e uzinës së fabrikës “Metalka Majur” për prodhimin e njehsorëve elektrik.

Në maj të vitit 2017 madje u organizua edhe aksion për pastrimin e rrethit të fabrikës së vjetër Radioton, në të cilën morën pjesë edhe vetë Kryetari i Komunës Vlladeta Kostiq, si dhe Zëvendëskryeministri i atëhershëm i Kosovës, Branimir Stojanoviq.

“Meqenëse investitori tashmë ka kontrata me distributor të caktuar dhe tregun në Kosovë, është në interesin e dyanshëm të zhvendoset një pjesë e prodhimit në këto objekte prodhimi, ndërsa ne gjithsesi jemi të interesuar për vende të reja pune”, tha Vlladeta Kostiq, ndërsa e transmetuan mediat lokale.

Megjithatë, kjo uzinë nuk është hapur deri më sot.

Në pranverën e vitit 2017 në Graçanicë paralajmëroheshin investime të mëdha dhe pritej të hapeshin hiq më pak se 150 vende të reja pune në dy fabrika, por doli se nuk kishte asgjë prej kësaj pune.

Historia e fabrikës në Llaplasellë përsëri u bë aktuale në fund të vitit 2018. Komuna publikoi një shpallje me të cilën jepte me qira mu atë sallën ku është dashur të funkcionalizohej fabrika e poçave. Komuna tash kërkon një investitor të ri, oferta thotë se çmimi i qirasë për metër katror është 2 euro, ndërsa periudha kohore është e kufizuar në 15 vjet.

Sidoqoftë, publiku mbeti i privuar nga përgjigjja në pyetjen se çfarë në të vërtetë ndodhi me investimin e mëparshëm? Çka shkaktoi mbylljen e fabrikës?

Që atëherë humbin të gjitha gjurmët e Millosh Jokanoviqit. Është i paarritshëm për media, kompania e tij, e regjistruar në vitin 2013 është ende e regjistruar në Agjencinë e regjistrimit të biznesve të Kosovës (ARBK).

Adresa më e duhur për të folur për këtë temë gjithsesi janë ish Kryetari i Komunës, Vlladeta Kostiq, si dhe ish Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviq. Megjithatë, as pas një muaji ende nuk ka përgjigje nga ana e tyre në pyetjet e gazetarëve që ua kemi dërguar.

Kryetari i ri i Komunës, Sërgjan Popoviq nuk deshi të komentojë shumë këtë histori.

“Komuna është e detyruar të krijojë kushte të mira për të tërhequr investitorët që do të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës dhe të cilët do të investojnë në komunë”, u përgjigj shkurtimisht Kryetari i Komunës, duke thënë se me ardhjen në pozitën e Kryetarit të Komunës së Graçanicës gjeti tregimin e fabrikave të pahapura, por edhe borxhet e papaguara për marrjen me qira të sallës. 

Ai shton se kjo vetëqeverisje lokale është e hapur për investime të reja dhe investitorë seriozë. 

Ndryshe nga përfaqësuesit e qeverisë, opozita ka pikëpamjen e vet për këtë.

Nenad Rashiq, ish-ministri i punës në Qeverinë e Kosovës, thotë se në atë kohë ishte befasuar nga shuma e qirasë që Komuna e Graçanicës ia kishte caktuar Millosh Jokanoviqit. 

“Vet Jokanoviqi disa herë më kishte thënë se shuma mujore e qirasë ishte 3.000 euro, që ishte e tepërt për të në atë moment dhe se nuk ishte në gjendje ta respektonte këtë, kështu që disa herë kishte provuar ta paguante në këste, por nuk ia doli as me këtë. Dhe, sipas tij, kjo ishte një nga pengesat kryesore për punën e fabrikës. Për fat të keq, vetëqeverisja lokale nuk ishte e gatshme të zvogëlonte çmimin e qirasë. Unë madje kam sugjeruar që Komuna ta jepte në shfrytëzim për një kohë të caktuar, por kjo për fat të keq nuk ndodhi për shkak të qëndrimit rigid të përfaqësuesve të Komunës”, tha Rashiqi.

Millena Zdravkoviq, nga Partia e Pavarur Liberale – një parti që kishte asambleist në Kuvendin Komunal në atë kohë, thotë se i gjithë projekti ishte diskutabil që nga fillimi.

“Çka i parapriu fiaskos së fabrikës vetëm mund të spekulojmë. A ka parë investitori mundësinë për të fituar disa subvencione shtetërore duke nisur këtë biznes, anash investimeve vetanake prej rreth 200.000 euro, ose pushteti komunal në këtë ka parë një karrem të mirë për trupën votuese e cila kërkon vende pune, respektivisht 50 vende pune në vitin zgjedhor? Mbeti vetëm një enigmë e pazgjidhshme për të gjithë ne”, tha ajo.

Goran Llaziq, i cili në atë kohë ishte kreu i grupit të asambleistëve të Lidhjes së Serbëve të Kosovës, e cila vepronte si opozitë në parlamentin lokal, thotë se pushteti i ri me ardhjen e tyre fillimisht kërkoi të bëhet ndërrimi i destinimit të sallës së sporteve në hapësirë komerciale me arsyetimin që një nga holding kompanitë më të mëdha në rajon, MK grup, do të investonte mjetet dhe të hapte 52 vende pune.

Kjo ishte, me sa i kujtohet Llaziqit, premtimi i parë i pushtetit të atëhershëm:

“Ishte e para në një serë gënjeshtrash që ata i than. Në Kuvendin Komunal unë pata thënë se kjo nuk do të duhej të bëhej pasi joseriozitetin e të gjithë historisë e kisha vërejtur me faktin e mosardhjes së asnjë përfaqësuesi të MK Grupit. Pas një viti përsëri u mbajtën zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Graçanicës dhe atëherë u premtua hapja e asaj fabrike të famshme në Batusë. Përsëri, përfaqësuesit e kësaj fabrike nuk u shfaqen, ndërsa premtoheshin rreth 100 vende të reja pune. Normalisht, edhe kjo, si historia e parë, ishte një gënjeshtër e kulluar”.

Pas këtyre premtimeve, pasoi më i riu. Në atë kohë fillon historia e hapjes së një fabrike për LED poça, kujton Llaziq:

“Jokanoviqi, ndryshe nga të tjerët, u paraqit në Kuvendin Komunal të Graçanicës dhe prezantoi tregimin e tij. Ai pati thënë se fabrika tashmë vepron në Mal të Zi dhe se urgjent duhet të filloj punën. Pastaj të gjithë këshilltarët e mbështetën këtë ide, mes tyre isha edhe unë, sepse njeriu u shfaq dhe dukej sikur kjo do të kalonte. Ai atje ka investuar mjaft mjete, janë hapur disa zyra, madje mendoj se kishte filluar puna me një numër të vogël të punëtorëve. Megjithatë, gjithçka u ndal papritmas”.

Në historinë e një investimi të madh nuk patën besuar shumë as banorët e Llaplasellës. Të paktën jo ata pak që ranë dakord të flisnin për këtë temë.

“Nuk ka pasur kurrë diçka këtu, e as nuk do të ketë as tash” – janë fjalët e një banori që takuam në afërsi të sallës. Një tjetër fqinj i fabrikës së dështuar thotë:

“Gazetat patën shkruar se 60-70 njerëz duhet të punësohen, por nuk ka asgjë nga kjo. Megjithatë, për një kohë ishin disa punëtor dhe vegla, megjithatë, ai pronari i pati marr veglat në shtëpi. E dini, puna e politikanëve është që të flasin dhe të premtojnë. Mendoj se kjo hapësirë për një kohë kishte shërbyer për ruajtjen e kostumeve për teatrin e Prishtinës”.

I pyetur a beson se një fabrikë do të hapet ndonjëherë në Llaplasellë? një fshatar kështu sheh situatën: “Unë nuk besoj as që do të mbesim këtu!”

Në faqen zyrtare të Komunës së Graçanicës, në pjesën ku ndodhen dokumentet, dokumenti më i shkarkuar është aplikacioni për punë. Ironia është se këtu është shumë vështirë të gjeni punë, ndërsa ofertë nuk ka pothuajse aspak.

Komuna e Graçanicës ka rreth 25.000 banorë. Shumica e vendasve të punësuar marrin paga duke punuar për institucionet publike zë Serbisë ose të Kosovës. Ashtu si kudo në Kosovë, migrimi i popullsisë së re serbe, si gjithandej, kryesisht të papunë, shkon kryesisht në një drejtim, në këtë rast nga Graçanica në Serbinë qendrore ose jashtë vendit.  

Një nga ata të rrallët që u kthyen nga studimet në Beograd është Shtjefën Fillipoviq. Ky i diplomuar i Fakultetit të Shkencave Politike tani është anëtar i Organizatës Joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë. Kjo organizatë tashme tri vjet i ofron mundësi të diplomuarve për stazhim në disa nga institucionet në nivel lokal dhe qendror në Kosovë. Shtjefni thotë se kërkesa për punë në mesin e të rinjve është e madhe dhe se për 20 vende stazhiste në komunë për çdo vend paraqiten të paktën katër herë më shumë kandidatë:

“Ekonomia dhe sistemi ekonomik në Kosovë nuk ekzistojnë. Nuk ekziston një cikël i rrumbullakuar ekonomik dhe si i tillë është shkaku kryesor i mungesës së perspektivës për të rinjtë nga të gjitha komunitetet në Kosovë, të cilët po përpiqen të gjejnë një strategji si të largohen nga Kosova dhe se kjo të mos jetë vetëm ikje por edhe diçka e dobishme. Shikuar si treg, Kosova nuk është destinacion joshës për investitorët e huaj”.

Ky i ri beson se kompanitë serbe në Kosovë nuk mund të mbijetojnë nëse nuk janë pjesë e një tregu më të gjerë:

“Duhet të përpiqemi të zhvillojmë një histori më të gjerë tregu që do të ketë lidhje më të fortë ekonomike edhe me Serbinë edhe në nivel lokal. Do të mund të ishte një lloj modeli me përfshirjen e KOS-it (shënim i përkthyesit: Kisha ortodokse Serbe) dhe me sipërfaqe të madhe të tokës që zotëron dhe pozitat e privilegjuara të KOS-it”.

Premtimet e politikanëve për hapjen e fabrikave dhe vendeve të reja të punës i interpreton si premtime të dhëna lehtë sepse iu pëlqejnë veshëve të të rinjve.

“Pse kanë premtuar politikanët hapjen e fabrikave? Sepse premtimi i perspektivës është ajo që një i ri i dëshiron të dëgjojë edhe nëse është i sigurt se dikush po e gënjen, sepse është i gatshëm të mbështesë një histori të tillë, sepse askush nuk është me të vërtetë i lumtur dhe nuk është ndonjë arritje e madhe të palos gjërat dhe të largohet nga vendi i tij”, vlerëson Fillipoviq.

Premtimet për investime të mëdha në mjediset serbe në Kosovë u dëgjuan edhe në shtator të vitit të kaluar në Forumin e Biznesit në Leposaviq. Në këtë takim pune mori pjesë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa analizën e nevojave ekonomike dhe sociale të komunave serbe e kishte bërë Zyra për KiM.

Asokohe u patën premtuar projekte edhe për Komunën e Graçanicës, respektivisht promovimi i etno turizmit, rritja e kapaciteteve ekzistuese të industrisë së therjes, si dhe ndërtimi i një ferme për 10.000 pula vojse. Megjithatë, nga Zyra për KiM, nuk ishim në gjendje të kuptojmë se deri ku ka mbërritur realizimi i këtyre projekteve pasi ata nuk iu përgjigjën pyetjeve tona.

Në Graçanicë deri më sot askush nuk ka vënë re të jetë ndërtuar një fermë e re dhe askush nuk ka parë 10.000 pula vojse.

Kështu që përsëri i kthehemi rastit të fabrikës së poçave në Llaplasellë. Në mungesë të informatave zyrtare dhe përgjigjeve nga autoritetet, çdo herë e më shumë rritet numri i atyre që besojnë se hapja e fabrikës ka shërbyer për qëllime parazgjedhore. Kur përfunduan zgjedhjet, fabrika u mbyll.

Llazar Kostiq, një ish-punëtor i Power of Nature Plus, nga fillimi i tregimit tonë, sot po përpiqet të nis biznesin e vet në fushën e elektronikes. Ai nuk ka ndërmend të largohet nga Kosova dhe shpreson se herën tjetër ai do të ketë më shumë fat me investitorë, nëse vijnë.

Ndërsa nga Komuna e Graçanicës para pak kohësh u publikua se ndriçimi publik në rrugën Graçanicë-Llaplasellë, pas një kohe të gjatë, është përsëri në funksion. Ndriçimi nuk ka funksionuar që nga maji i vitit 2015. Llambat ishin thyer, kabllot këputur e shumë shtylla rrezuar. Këto ditë poçat e vjetër janë zëvendësuar me drita të reja LED.

Në kohën kur paralajmërohej investimi, flitej edhe që rrugët graçanicase në të ardhmen do të ndriçoheshin nga poçat vendor – made in Llaplasellë.

Sot, Komuna blen poça nga importi; salla e fabrikës në Llaplasellë mbetet në terr.

Artikulli u shkrua në kuadër të projektit “Zhvillimi i gazetarisë hulumtuese te gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë”, të cilin e zbatojnë Bota bardh e zi dhe Instituti për zhvillim territorial. Ky grant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë”, të cilin e financon Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhon Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Artikulli është përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e CBS dhe InTER.

Përktheu nga serbishtja: Bruno Neziraj

POSTAVI ODGOVOR

Please enter your comment!
Please enter your name here