Informimi në kohën e koronës në Kosovë: “Mirësevini tu faqe e raportit”

Foto: Vesti Mk

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, Instituti i Shëndetësisë Publike, institucioni më i rëndësishëm gjatë krizës së COVID, në ueb faqen e vet zyrtare ka publikuar njoftime në gjuhën serbe për vetëm tri ditë ( më 12, 13 dhe 14 prill). Në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, informatat në gjuhën serbe për herë të fundit janë publikuar më 18 mars. Në kohën e pandemisë, mungesa e informacionit mund të rrezikojë vetë qytetarët për shkak të pamundësisë për të organizuar lëvizjet dhe sjelljen e tyre në përputhje me masat, e njëkohësisht ata mund të sanksionohen për shkelje të masave për të cilat as që kishin mundësi të informoheshin më parë. Disa përfaqësues të institucioneve, gazetarët dhe shoqëria civile kanë reaguar ndaj mosqasjes në informata në gjuhën serbe gjatë pandemisë. Megjithatë, situata mbetet e pandryshuar.

Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës, i cili funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës, është institucioni kryesor kur bie fjala te informatat për numrin e të infektuarve nga virusi korona në Kosovë. Mund të mburret me shkathtësinë kur bëhet fjalë për informimin e qytetarëve për numrin e qytetarëve të sëmurë dhe të shëruar. Njoftimet publikohen çdo ditë në faqen e tyre zyrtare në Facebook. Por, vetëm në shqip.

ueb faqen zyrtare të këtij institucioni, seksioni për gjuhë serbe nuk ekziston fare.

Përveç faktit se qytetarët serbisht folës nuk kanë qasje në këto informata në gjuhën e tyre, me të njëjtin problem janë ballafaquar edhe ata të cilët kanë për detyrë të informojnë publikun – gazetarët.

Si reagim ndaj mungesës së informatave në gjuhën serbe, gazetarja dhe redaktorja e RTV Kim, Zorica Vorguçiq kishte parashtruar ankesë kundër  institutit dhe ministrisë në Zyrën e Avokatit të Popullit.

“Në fillim të krizës epidemiologjike, të ashtuquajturën valë e parë, kur publiku nuk dinte asgjë për korona virusin, të infektuarit, testimin dhe kur informatat nga autoritetet ishin tejet të rëndësishme, mediat në gjuhën serbe pranonin njoftime nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike vetëm në shqip”, shpjegon Vorguçiq për CBS.

Ajo shton se i ka dërguar disa ankesa Komisionarit për Gjuhë, Sllavisha Mlladenoviq, si dhe avokatit të popullit.

Avokati i Popullit, në letrën e vet me rekomandime, pas ankesës së paraqitur nga Vorguçiq, konkludon se Instituti i Shëndetësisë Publike “nuk arriti të zbatojë legjislacionin pozitiv në të dy gjuhët zyrtare dhe të informojë publikun për masat që po merr dhe të gjitha informacionet përkatëse që publikon në lidhje situatën me epideminë e virusit COVID-19 në Republikën e Kosovës”.

Edhe vetë mund të bindeni në këtë. Në ueb faqen zyrtare të institutit ekziston vetëm një seksion me “lajme” i cili është në gjuhën serbe.

Në këtë seksion gjendet një pjesë e materialit për informimin e publikut në gjuhën serbe dhe informacionet ditore për të infektuarit për vetëm tre ditë, më 12, 13 dhe 14 prill.

“SHIKONI SHTËPINË, KËTA E JETON JETA JUAJ! E KENI LARGËSINË FIZIKE PËR DIKU 2 METRA! NDAHMONI NEVE PAK QE NDIHMA SHUMË JUVE! Faleminderit për mirëkuptim,  – shkruan në secilin prej tri përditësimeve për numrin e të infektuarve në gjuhën serbe.

ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë informacionet në gjuhë serbe për herë të fundit janë publikuar më 18 mars.

Pse u ndal publikimi i informatave në gjuhë serbe dhe nëse eventualisht do të vazhdohet me publikime, si dhe nga çka do të varet konkretisht kjo – janë pyetjet që ia kemi dërguar Institutit për Shëndetësi Publike dhe Ministrisë. Deri në kohen e publikimit të këtij teksti nuk kemi marr përgjigje.

Edhe nga Zyra e Komisionarit reagime – disa rekomandime për institucionet.

Menjëherë pas fillimit të krizës me COVID, Zyra e Komisionarit për Gjuhë inicioi komunikim më intensiv me institucionet kompetente me qëllim të informimit më të mirë të publikut në gjuhën serbe, sqaron për CBS Komisionari për Gjuhë, Sllavisha Mlladenoviq.

Në një shkresë drejtuar institucioneve kompetente, Komisionari ndër të tjera kishte theksuar rëndësinë e shpërndarjes së informacionit dhe materialeve në sa më shumë gjuhë të komuniteteve, si dhe në ato që nuk e kanë statusin e gjuhës zyrtare në nivel kombëtar e që janë në përdorim zyrtar në komuna.

“Përkundër insistimit tonë, në ndërkohë, asnjë nga këto dy institucione nuk ka marrë masa për zgjidhjen e këtyre problemeve. E për t’i bërë gjërat edhe më keq, disa nga materialet që janë përkthyer, qoftë nga ministria apo aktorët tjerë, nuk janë botuar me kohë në versionin e ueb faqes në serbisht”, shpjegon Mlladenoviq.

Shpjegimi që i është dhënë Komisionarit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti është se ky institut nuk ka përkthyes fare dhe se vetëm një punonjës në Ministrinë e Shëndetësisë merret me përkthim.

Zyra e Komisionarit aktualisht është duke u përpjekur për të zgjidhur këtë problem duke kërkuar një veprim të shpejtë nga Qeveria, ndërsa në të njëjtën kohë janë duke u përpjekur, siç sqaroi Mlladenoviq, të gjejnë një zgjidhje kalimtare që do të mundësonte informimin e duhur dhe respektimin e ZPGJ deri në një zgjidhje sistemike.

Problem shumëvjeçar, përgjegjësia edhe te përfaqësuesit politikë të serbëve

“Ky është një problem shumëvjeçar të cilin assesi nuk po ia dalim ta zgjidhim. Edhe pse ekziston një dëshirë e madhe tek ne në media dhe shoqëri civile, padyshim që nuk ka vullnet tek përfaqësuesit e pushtetit. Përgjegjësia e njëjte për mosrespektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve bie mbi përfaqësuesit e serbëve në institucione. Të cilët janë të detyruar të mbrojnë të drejtat e qytetarëve të tyre”, thotë Vorguçiq.

Kërkuam koment për temën e cekur edhe nga përfaqësuesit politikë të serbëve në institucionet e Kosovës. Deri në kohen e publikimit të këtij teksti nuk kemi marr përgjigje.

Ka reaguar edhe shoqëria civile: Mungesa e informacioneve – mundësi për pasoja më serioze

Në kohën e rrethanave të jashtëzakonshme siç është kjo e tashmja, problemi i mungesës së përkthimit mund të ketë pasoja më të rënda, shpjegon Ognjen Gogiq, menaxher i projektit “Krijimi i një Kosovë Dygjuhësore”, i implementuar nga OJQ AKTIV. Gogiq thekson se rreziku i parë që sjell një situatë e tillë ka të bëjë me rrezikun për shëndetin publik, sepse është e rëndësishme që qytetarët ta dinë se cila është pasqyra epidemiologjike në Kosovë, në mënyrë që të organizojnë lëvizjet dhe sjelljet e tyre në përputhje me rrethanat. Rreziku i dytë, sipas mendimit të tij, kishte të bënte me respektimin e masave për lëvizje në Kosovë. Që qytetarët të jenë në gjendje t’i përmbahen masave të miratuara, është e nevojshme që ata të informohen në mënyrë të duhur dhe në kohë për to, shpjegoi ai.

Probleme shtesë për gazetarët

Informatat në gjuhën serbe janë po aq të padisponueshme si në hapësirën “online” ashtu edhe në terren.

Redaktorja e portalit Graçanica online, gazetarja Angjellka Qup, shpesh raporton direkt nga terreni dhe mu lidhur me ngjarjet dhe konferencat e institucioneve qendrore të Kosovës.

“Përveç faktit që unë nuk mund t’i informoj lexuesit e mi në kohë për masa jashtëzakonisht të rëndësishme gjatë pandemisë, gjithmonë kam frikë se ajo që kam raportuar është e saktë, sepse nuk kam përkthim të duhur nga vendi i ngjarjes”, thotë Angjellka Qup.

“Mungesa e përkthimit na ngadalëson, kërkon kosto shtesë të përkthimit nga ne, vonohemi me publikimin e informatave”, thotë Vorguçiq.

Mesazh për qytetarët se nuk janë të rëndësishëm, mosbesimi thellohet

Në këtë mënyrë, institucionet kompetente ua bëjnë me dije qytetarëve se nuk janë të rëndësishëm për ta, pajtohen Qup dhe Vorguçiq.

Ato theksojnë se në këtë mënyrë qytetarëve me kombësi serbe u dërgohet mesazhi se janë të rëndësishme vetëm kur duhet të paguajnë taksat ose të votojnë, por jo edhe kur bëhet fjalë për ushtrimin e të drejtave të tyre. Si provë e kësaj, ato përmendin faktin se Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës informon publikun vetëm për të infektuarit në mjediset shqiptare, gjë që e komplikon më tej tërë situatën.

“Kosova Health” është për momentin e vetmja faqe nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës ku qytetarët që flasin serbisht mund të mësojnë për numrat COVID në gjuhën e tyre.

Për dallim nga faqja në Facebook e Institutit për Shëndetësi Publike, këtu nuk ka informata të hollësishme për numrin e të infektuarve nëpër komuna, numrin e të shëruarve, numrin e të vdekurve në baza ditore. Duke klikuar në këtë faqe, del njoftimi i mëposhtëm: “Mirësevini tu faqe e raportit. Kjo faqe ka informatat e fudit për përhapjen e virusit COVID-19, duke mbledhur informacione nga WHO (Organizata Botërore e Shëndetësisë), si dhe nga autoritetet tona qendrore dhe lokale”.

 

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Leave a Reply

Your email address will not be published.