Connect with us

Shqip

Korrupsioni – kërcënim sistematik dhe një nga sfidat kryesore në Ballkanin Perëndimor

Avatar

Published

on

Korrupsioni është një nga sfidat kryesore për sundimin e ligjit, mundësitë e hapura dhe në përgjithësi jetën e njerëzve në Ballkanin Perëndimor. Është shkak dhe pasojë e kulturës së kriminalitetit që ngërthen të gjithë rajonin dhe mënyra si është i lidhur korrupsioni me politikën tregon shkallën e lartë të korrupsionit të organizuar, madje edhe elemente të shtetit në duart e krimit të organizuar në disa vende në rajon. Korrupsioni i organizuar politik është shumë i përhapur, ndërsa rastet tejet delikate të korrupsionit në mesin e politikanëve kryesor shumë rrallë përfundojnë me ndjekje penale. Edhe nëse ndodhin ato, prapë shumë rrallë përfundojnë me nxjerrjen e aktgjykimit të plotfuqishëm ose konfiskim të pasurisë – këto janë disa nga konkluzionet në versionin e shkurtuar të raportit “Infrastruktura e integritetit – Korrupsioni dhe dedikimi i masave të miratuara kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”. Raporti i Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional është hartuar nga Uglesha Zvekiq [Uglješa Zvekić] dhe Sunçana Roksandiq-Vidlliçka [Sunčana Roksandić-Vidlička]. Ky raport në veçanti merret me çështjen se si qeveritë e WB6 (gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Serbia, Mali i ZI, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria) zbatojnë masat të cilat i kanë miratuar në luftën kundër korrupsionit, në kontekst të Procesit të Berlinit, nismës e cila ka për synim fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe të ndihmojë në integrimin e këtij rajoni në Bashkimin evropian.

“Manifestimi tipik i korrupsionit të organizuar në nivele të larta në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) është blerja dhe shitja e pronës nga elitat politike dhe bashkëpunëtorët e tyre në sektorin e biznesit dhe atë kriminal në një stil kaubojsh; kurdisja e tenderëve për projekte infrastrukturore (siç është ndërtimi i rrugëve); punë insajderësh që lidhën në procedura të furnizimeve dhe privatizimit; fshehja e pronësisë; mashtrime dhe përvetësime fondesh; mosshpallja e origjinës së pronësisë (ose paraqitja e rrejshme); pastrim parash (në nivel lokal dhe jashtë vendit [off-shore]) dhe keqpërdorimi i pozitës”, shkruan në raport.

Ky dokument po ashtu përfshin edhe një analizë më të gjerë të ekonomisë politike rajonale të korrupsionit, duke theksuar se klientelizmi pasqyrohet në mbështetjen politike përmes skemave të mbulimeve, për shembull përmes kontrollit të mbrojtjes sociale, punësimit të militantëve politik në administratën publike dhe emërimet politike në pozitat kyçe në aparatin shtetëror, përfshi edhe sistemin juridiko-penal dhe ndërmarrjet në pronësi të shtetit.

“Besnikëria ndaj establishmentit politik hap dyert për kontrata të leverdishme publike, investime të huaja, privatizim në stil kaubojsh dhe tatimim selektiv. Shkurt, korrupsioni lind korrupsionin”, thuhet aty.

Kërcënimi sistematik që paraqet korrupsioni në rajon, siç shtojnë autorët, është po ashtu i dukshëm kur individët ose kompanitë financojnë partitë politike dhe presin favore në këmbim.

“Ndër të tjera, ato janë burime të fshehura të financimit; blerja e mbështetjes politike me dhënie të dhuratave dhe favoreve; shfrytëzimi i fondeve publike dhe emërimet në ndërmarrjet publike ose shtetërore si instrument për ndërtimin e rrjetit klientelist të varësisë politike. Me këtë, elitat politike, biznesore dhe kriminale janë në bashkëpunim për të ruajtur dhe mbrojtur interesat e tyre dhe ndikimin në funksionet publike dhe fondet. Këto veprime krijojnë ambient të përshtatshëm për zyrtarë të korruptuar të cilët kalojnë pa u ndëshkuar”, theksohet në dokument.

Raporti flet edhe se si WB6 përparojnë në kontekst të zbatimit të masave të miratuara, të cilat janë dhënë në lidhje me kërkesat e anëtarësimit në Bashkimin evropian. Autorët, megjithatë, gjatë përpilimit të raportit mësuan se pak dihet rreth masave që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, si në publikun e gjerë, ashtu edhe autoritete shtetërore përgjegjëse për zbatimin e tyre. Po ashtu, nuk ishte krejtësisht e qartë se cilat autoritete shtetërore janë përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të atyre masave.

Rezultatet e analizës tregojnë se shikuar në përgjithësi legjislacioni kundër korrupsionit në WB6 është në pajtim me Konventën e OKB-së kundër korrupsionit (UNCAC) dhe dispozitat relevante të BE-së, porse edhe me tutje ka mangësi dhe zbrazëtira në kornizën ligjore, veçanërisht në lidhje me qasjen dhe transparencën e informatave publike; pastrimin e parave; financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore; furnizimet publike; korrupsionin në sektorin privat, konfliktin e interesit dhe pasurimit ilegal; dhe pronësinë e vërtetë.

“Disa ligje zbatohen në mënyrë selektive, përderisa disa të tjerë përmbajnë gjëra për të cilat do të mund të thuhej si dispozita që lehtësojnë korrupsioni”.

“Gjithashtu, njohuritë që kemi mbledh tregojnë se shumë shpesh ekziston një hendek ndërmjet legjislacionit të mirë në letër dhe zbatimit të dobët në praktikë. Ajo që në rajon përshkruhet si “optimizëm ligjvënës” duhet të ja lëshoj vendin realizmit zbatues”.

Autorët konkludojnë që përkundër “seriozitetit të problemit, duket se shoqëritë në rajon janë mësuar me realitetin në të cilin korrupsioni zhvillohet në nivelin e lartë shtetëror” dhe se ekziston “mendimi i përhapur dhe besimi që gjërat funksionojnë kështu dhe se sistemi nuk mund të ndryshoj”:

“Kjo pafuqishmëri e zhvilluar me vite shpesh pasqyrohet me mungesën e pavarësisë ose kapaciteteve personale në kuadër të institucioneve, roli i të cilave është ti kundërvihen korrupsionit”.

“Autorët mësuan se shumë pak dihet për masat e lartpërmendura që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, si në publikun e gjerë, ashtu edhe autoritetet shtetërore përgjegjëse për zbatimin e tyre. Po ashtu, nuk ishte krejtësisht e qartë se cilat autoritete shtetërore janë përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të atyre masave. Kjo është në kundërshti me rëndësinë të cilën liderët e WB6 ia japin luftës kundër korrupsionit përmes Procesit të Berlinit”.

Në raport rikujtohet se të gjithë nga WB6 kanë miratuar strategji për luftimin e korrupsionit, por se disa prej tyre janë vjetruar, derisa të tjerat duhet vlerësuar, si dhe që mungesa e vullnetit politik ka penguar zbatimin e plotë të tyre; të gjithë nga WB6 kanë themeluar strukturat për luftimin e korrupsionit me emërtime të ndryshme dhe me mandate paksa të ndryshme, derisa shumë prej tyre janë krijuar në bazë të një lex specialis sipas procedurës së përshpejtuar dhe se shumë shpesh ishin të ekspozuara ndaj përzierjes dhe ndikimit politik.

Autorët rikujtojnë se një pjesë e qeverive të WB6 ka themeluar struktura të specializuara policore dhe/ose të prokurorive, ndërsa disa prej tyre edhe gjykata që merren me rastet e korrupsionit.

Rikujtojmë, Qeveria e Kosovës në mesin e tetorit ka shpërndarë Task forcën për luftën kundër korrupsionit e cila për dhjetë vjet kishte funksionuar në kuadër të Policisë së Kosovës. Vendimi është marr pa konsultime publike. Në Kosovë në kuadër të Prokurorisë Speciale gjithashtu funksionon Departamenti për Korrupsion dhe Kriminalitet Financiar.

Në raportin e fundit të EULEX-it për gjendjen e gjyqësorit në Kosovë, për të cilën raportuam, theksohet se “niveli i bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe prokurorisë është ende shqetësues”. Duke rikujtuar se Task forca e PK-së për luftën kundër korrupsionit, e cila është shpërndarë, ia ka dalë të zbuloj dhe ndërmarr hetime të profilit të lartë në të cilat kanë qenë të përfshira personalitete me nam, si dhe personat nga jeta politike, theksohet se gjetjet tregojnë transparencë të pamjaftueshme dhe përgjegjësinë e prokurorisë ose hezitimin e tyre për të kryer punën e tyre mbikëqyrëse. Prandaj rekomandimet e EULEX-it janë që duhet të përmirësohet bashkëpunimi ndërmjet policisë dhe prokurorisë në rastet kundër korrupsionit dhe krimeve të rënda financiare, dhe që rastet e ndërlikuara financiare do të kishin dobi nga hetime më energjetike, edhe pse shumë hetime janë zhvilluar në mënyrë profesionale, dhe se do të duhej të fuqizohej Task forca e PK-së për luftën kundër korrupsionit.

Sipas raportit për vitin 2019, të dhënat për zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit në Kosovë janë si vijon:

Te dhënat për gjysmën e parë të viti 2020 janë si vijon:

Departamentet speciale të prokurorive dhe gjykatave për luftimin e korrupsionit në Serbi, nga ana tjetër, janë të tejngarkuara me lëndë të vjetra dhe banale; funksionojnë pa një kornizë të qartë ligjore. Lexoni më në hollësi në një serë tekstesh për këtë temë në na www.javno.rs.

“Shpesh ekzistojnë konflikte të kompetencave ndërmjet autoriteteve të rregullta dhe atyre speciale kundër korrupsionit, si dhe ndërmjet vet autoriteteve të specializuara për luftimin e korrupsionit. Këto autoritete kohë pas kohe janë të ekspozuara ndaj presioneve dhe ndikimeve politike ose personale”, konkludohet në raportin “Infrastruktura e integritetit – Korrupsioni dhe dedikimi i masave të miratuara kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”.

*Raporti është rezultat i punës së Opservatorit të shoqërisë civile për luftimin e krimit të organizuar në Evropën Juglindore të Nismës globale për luftimin e kriminalitetit të organizuar transnacional (SEE-Obs). SEE-Obs është një platformë e cila lidh dhe fuqizon pjesëmarrësit e shoqërisë civile në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Qëllimi është t’i mundësohet shoqërisë civile identifikimi, analiza dhe mapimi i trendëve kriminale, ndikimin e tyre mbi aktivitetet joligjore, administratën, zhvillimin dhe marrëdhëniet ndëretnike, sigurinë dhe sundimin e ligjit. Opservatori mbështet pjesëmarrësit e shoqërisë civile në procesin e monitorimit të dinamikave nacionale dh trendëve më të gjëra rajonale dhe ndërkombëtare të krimit të organizuar. Opservatori ka dal si rezultat i Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër, i cili është pjesë e Procesit të Berlinit.

*Raporti është i bazuar mbi raportet nacionale të hartuara nga Krisela Hackaj (Shqipëri), Elldan Mujanoviq [Eldan Mujanović] (Bosnje dhe Hercegovinë), Mentor Vrajolli (Kosovë), Dejan Millovac [Dejan Milovac] (Mali i Zi), Sllagjana Taseva [Slagjana Taseva] (Maqedoni e Veriut) dhe Miodrag Millosavleviq [Miodrag Milosavljević] (Serbi).

Përktheu Bruno Neziraj

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Preporučeno