Kultura e ndotjes si përditshmëri

Një nga problemet themelore të Mitrovicës janë mbeturinat që janë të dukshme në çdo hap. Ato janë bërë pjesë integrale e mjedisit dhe jetës së përditshme deri në atë masë sa që pothuajse nuk i vërejmë më. Për dallim nga shoqëria bashkëkohore, e rregulluar, teknologjike, njerëzit që nga para epokës së re kujdeseshin për mënyrën e hedhjes së mbeturinave në një mënyrë të përshtatshme. Veriu i Kosovës ka një problem të veçantë me deponimin e mbeturinave për shkak të mungesës së një deponie rajonale. Sidoqoftë, hiq më pak problematike nuk janë ndotja industriale, si dhe mungesa e kulturës së hedhjes së mbeturinave.

“Të dhënat e para për atë që ne mund ta quajmë menaxhim të mbeturinave janë gjet në shkrimet egjiptiane, rreth 4,000 vjet më parë. Kjo është dëshmia e parë e shkruar që tregon se njerëzit janë bërë të vetëdijshëm se mbeturinat që ata prodhojnë duhet të hidhen, përndryshe mund të shkaktojë pasoja të rënda. Pastaj ata urdhëruan atë që sot ne e quajmë grumbullimin e bërllokut ose mbeturinave”, thotë Aleksandër Qorac [Aleksandar Ćorac], profesor në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës, me seli të përkohshme në Mitrovicën e Kosovës.

Megjithatë duket se në vendin tonë nuk është e zhvilluar sa duhet vetëdija për rreziqet dhe pasojat që mund të prodhojë një gotë ose shishe e hedhur, në veçanti për brezat e ardhshëm. Në vendet e industrializuara, kjo çështje është rregulluar ndryshe.

“Menaxhimi i mbeturinave në vendet e zhvilluara ka avancuar shumë. Një përkufizim thotë ‘Mbeturinat janë lënda e parë në vendin e gabuar’. Pra, mbeturinat nuk trajtohen më si mbetje që hedhim, por si lëndë e parë që mund të përdoret. Shtetet e rëndësishme, siç është rasti i Suedisë ose Kinës, janë importuese të mbeturinave. Po t’ia kishit thënë këtë dikujt para 20 vjetësh, ata do të kishin thënë se nuk është e mundur”, thotë profesori Qorac.

Vështirësia kryesore në Mitrovicë është mungesa e një modeli të mirëfilltë për grumbullimin e mbeturinave. Para dy vjetësh ishte paralajmëruar një “epokë e re e menaxhimit të mbeturinave”, kur edhe u hapën zyrtarisht bokset për kontejnerë. Edhe më atë rast ishte përmendur deponia rajonale, e cila përkundër shumë paralajmërimeve ende nuk ka përfunduar.

Nga ana tjetër, deponia lokale në Mitrovicë, përndryshe e egër, në afërsi të Ibrit, u dogj dy herë vetëm vitin e kaluar dhe qyteti ishte i mbuluar me tym të dendur. Djegia e mbeturinave në këtë deponi ndodhi në mënyrë sporadike edhe këtë vit.

Në deponitë e egra në qytet, numri i të cilave rritet çdo ditë, ne shpesh hasim në mbeturina të përziera komunale, pasi me ato të rëndomtat përzihen edhe mbeturinat mjekësore, madje edhe farmakologjike. Prandaj nuk është për t’u habitur që gjaku, shiringat, gjilpërat, madje edhe mbetjet e infuzionit mund të gjenden në disa kontejnerë.

Por hedhja e mbeturinave “ku të duash” nuk është e zakonshme vetëm për Mitrovicën. Ky problem ekziston në të gjithë veriun e Kosovës.

“Kur kaloni afër deponisë së egër në Leposaviq, afër brezit të fusha e Popovës, kur hapni shkurret dhe gjethet mund të shihni se i gjithë gjelbërimi është i ngërthyer me qese dhe plastikë. Një qese e hedhur përbën rrezik për të ardhmen dhe paraqet ndotje ekologjike. Për momentin, përveç se është e shëmtuar, nuk ka ndonjë efekt të madh në jetën tonë, por do të lë pasojat e veta në planin afatgjatë dhe ato do të shfaqen vetëm në të ardhmen”, pohon Qorac.

Deponimi i barnave të skaduara

Madhësia e problemit të hedhjes së mbeturinave ilustrohet nga shembulli i hedhjes së barnave të skaduara. Nëse ju, si qytetar i ndërgjegjshëm, do të dëshironit t’i hidhnit në mënyrën e duhur, këtë nuk do të mund ta bënit askund në veri të Kosovës.

Edhe pse është e paraparë që çdo barnatore duhet të pranojë ilaçet nga përdoruesit përfundimtar dhe t’i ruajë dhe transportojë tutje në mënyrën e paraparë, megjithatë këtë nuk e bën asnjë farmaci në Mitrovicën e Veriut.

Ekipi ynë vizitoi barnatoret, si ato shtetërore (të cilat punojnë sipas sistemit të Republikës së Serbisë) si ato private, dhe në asnjë barnatore nuk i pranuan këto barna.

Nëse do ta provonit të njëjtën gjë në Serbinë qendrore, vetëm disa, kryesisht barnatoret shtetërore, do të pranonin ilaçet e skaduara, edhe pse sipas ligjit të gjitha barnatoret janë të detyruara ta bëjnë këtë.

Derisa nuk ndryshon diçka në praktikë, produktet farmaceutike do të vazhdojnë të hidhen së bashku me mbeturinat e zakonshme ose, në shumicën e rasteve, në kanalizim, pa ndonjë ide se ato janë material tejet i rrezikshëm.

Ndotja industriale

Sidoqoftë, sipas fjalëve të profesorit Qorac ndotja industriale paraqet pengesën më të madhe. Më të zakonshmet janë deponitë industriale të Trepçës, si dhe afërsia e Obiliqit, ku prodhohet linjiti i Kosovës.

“Edhe pse linjiti i Kosovës është më i mirë dhe qymyr me cilësi më të mirë energjetike sesa qymyri i përdorur në pjesën tjetër të Serbisë, për shembull, në Kostollac dhe Obrenovac, ai megjithatë prodhon një sasi të madhe të grimcave të blozës. Këto janë grimca të materialit organik, një pjesë e konsiderueshme e të cilave janë kancerogjene. Kur përllogaritet dëmi që fitohet në shëndetin e njerëzve (kjo në Perëndim zakonisht llogaritet në numrin e ditëve të humbura të jetës ose ditëve të punës) mund ta vëreni se prodhimi i energjisë termike është në të vërtetë një nga më të shtrenjtat. Në fillim është më e lirë, por pasoja që lë janë më të shtrenjta.

Aktualisht, për shembull, njerëzit që jetojnë në pellgun e Danubit janë në rrezik nga kjo. Një pjesë e pellgut Ibër-Moravë i përket pellgut të Danubit. Afër Novobërdës keni një minierë nga e cila çdo gjë rrjedh përmes Moravës së Binçës, ndërsa nga ana jonë keni mbi 150 milion ton mbeturina të ndryshme industriale.

Kur bie shi, gjithçka derdhet drejt Graçanicës dhe Graçankës, pastaj në Sitnicë, Ibër dhe vazhdon, deri në Gjerdap, ku pastaj bie në shtratin e liqenit të Gjerdapit”, thekson Qorac.

Pasi në natyrë çdo gjë është ciklike, gjithçka ka rrethin e vet, ai shton se ndotja në shkallë të gjerë fillon me ndotjen e faktorëve mjedisor. Katër faktorët themelorë ekologjik janë uji, ajri, toka dhe drita.

“Ka ekologë që e përcaktojnë këtë si një kornizë ekologjike. Është thelbësore që kemi deponi, e të cilat janë faktor i ndotjes së tokës. Kemi shembullin në Leposaviq, fshatin Gornji Krnjin, dhe në rrjedhën e poshtme nga deponitë Gornji Krnjin dhe Bostanishtë. Kur fryn era nga ato deponi ajo ndot ajrin, të cilin e thithin njerëzit që jetojnë atje. Në kulmet e shtëpive të këtyre njerëzve keni shtresa prej disa centimetrash të piritit nga deponitë. Pastaj era ndalet, qetësohet, kështu që ju keni ndotje të tokës. Pastaj bie shi, shtynë ndotjen në ujë, kështu që keni ndotje të ujit. Kështu, keni ndotjen e të gjitha faktorëve ekologjik, gjë që përsëri reflekton në shëndetin e njerëzve dhe kafshëve”, shpjegon Qorac.

Por rrethi nuk përfundon këtu.

Toka e ndotur pastaj përdoret si tokë bujqësore në të cilën rriten perimet dhe frutat me të cilat ushqehet njeriu. Në të njëjtën tokë për shembull rritet misri me të cilin ushqehen bagëtitë, dhe me mishin e të cilave përsëri ushqehet njeriu.

“Në fund ju keni një ndikim në mjedis që paraqitet në shëndetin e njerëzve. Në thelb, njeriu është një pjesë e pandashme e natyrës. Pavarësisht sa ndahemi nga natyra, nuk mund të bëjmë pa të. Ne jemi një pjesë përbërëse e saj dhe gjithçka që i ndodh natyrës në fund do të rezultojë me pasoja për shëndetin tonë”, shton Qorac.

Çfarë të bëjmë?

Përgjegjësia e madhe për ndotjen e përditshme të qytetit sigurisht bie edhe mbi qytetarët.

Nga dritaret e ndërtesave dhe rrokaqiejve të Mitrovicës shumë shpesh mund të “fluturojë” një qese e mbushur me mbeturina në vend të pëllumbave. Ka të tillë që nga dritarja do të hedhin edhe drekën e prishur, si dhe turshinë e thartuar.

Për të përmirësuar situatën tek ne, por edhe në rajon, profesori Qorac konsideron se është e nevojshme të ndryshohet vetëdija e qytetarëve, por njëkohësisht rikujton se për këtë nevojitet një periudhë më e gjatë kohore.

“Ne duhet të përqendrohemi në problemin dhe t’i drejtojmë tregimet në lidhje me ekologjinë në një drejtim, të cilat zakonisht kalojnë përmes sektorit të OJQ-ve dhe mediave,. Të fillojmë me edukimin e fëmijëve në shkolla. Duhet të gjejmë një model për të arritur një ndikim të mirëfilltë tek njerëzit. Në përgjithësi, unë nuk jam për politikën ndëshkimore. Fillimisht duhet zgjidhur vendin e deponimit të materialit – me grumbullim, edukim. Duhen krijuar parakushte, më e lehta është të ndëshkosh”, sqaron bashkëbiseduesi ynë.

 

Duke pritur Godonë

Profesori Qorac e sheh çelësin për zgjidhjen e mbeturinave komunale në Mitrovicë në deponinë rajonale, e cila ende nuk funksionon. Deri më tani, autoritetet lokale disa herë kanë pastruar mini-deponitë në qytet, por mbeturinat janë të dukshme përsëri pas një kohe shumë të shkurtër.

Zyrtarët lokal e kanë paralajmëruar fillimin e punës së deponisë rajonale në disa raste. Për herë të fundit u paralajmërua se deponia duhet të fillojë të funksionojë kah mesi i prillit të këtij viti.

Ende jemi në pritje të hapjes dhe të fillojë me punë.

Problemi vihet re në të gjithë Kosovën

Veriu i Kosovës nuk është rajoni i vetëm në Kosovë që ka problem me hedhjen e mbeturinave.

Në sistemin e Kosovës ka një numër të ligjeve dhe akteve nënligjore dhe dokumenteve strategjike që rregullojnë kornizën ligjore për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë.

“Ndotja e mjedisit për shkak të menaxhimit jo të duhur të mbeturinave komunale është një nga problemet thelbësore në fushën e mbrojtjes së mjedisit në Kosovë. Edhe pse është miratuar një numër i ligjeve dhe akteve nënligjore në fushën e mbeturinave, janë hartuar strategji dhe plane në nivelin qendror, ende ka sfida të rëndësishme me të cilat duhet të përballen autoritetet kompetente. Mungesa e një sistemi efikas të menaxhimit të mbeturinave ndikon në degradimin në rritje të mjedisit, por edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve”- thuhet në raportin e Institutit për Zhvillimin Territorial “Mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi ekonomik në Kosovë”.

Institucionet joefikase, problemet infrastrukturore në grumbullimin, deponimin dhe trajtimin e mbeturinave komunale, rritja e sasisë së mbetjeve komunale, mbeturinat komunale – vetëm shpenzim, jo një burim i vlefshëm – janë probleme dhe pasoja kur bëhet fjalë për deponimin e mbetjeve komunale në Kosovë.

Grumbullimi dhe depozitimi i gabuar i mbeturinave i kushton Kosovës me miliona euro në vit (midis 19 dhe 31 milion euro, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore nga viti 2013).

InTER rikujton se mbrojtja e mjedisit është një nga arritjet më të rëndësishme të shoqërisë bashkëkohore, e lidhur ngushtë me zhvillimin socio-ekonomik, cilësinë e jetës, por edhe me prosperitetin e brezave të ardhshëm.

Përktheu Bruno Neziraj

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Fotot e deponisë rajonale që është ende në ndërtim e sipër (fotot: Sandra Dobrić)

Leave a Reply

Your email address will not be published.