Kush i rrahu shtërpcasit? Avokati i Popullit nuk nis hetimet “sepse askush nuk iu ankua”

0
40
views
Foto: KoSSev

Avokati i Popullit i Kosovës nuk ka qëndrim në lidhje me pretendimet e banorëve të Shtërpcës se Policia e Kosovës kishte përdorur forcë të tepruar në fillim të majit gjatë një proteste kundër ndërtimit të një HEC-i në këtë komunë.

Shkruan: Millica Radovanoviq (Milica Radovanović)

Arsyeja pse Avokati i Popullit nuk ka qëndrim është se as pas pesë muajsh nuk është pranuar ndonjë ankesë, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Megjithatë, Avokati i Popullit gjithashtu ka autorizime për të nisur një hetim sipas detyrës zyrtare kur merr informata për shkelje të të drejtave të njeriut të qytetarëve, gjë që nuk e bëri në këtë rast.

FOTO: KoSSev

Për gati një vit, qytetarët e Shtërpcës protestojnë në mënyrë aktive kundër ndërtimit të mini-hidrocentraleve në këtë komunë. Një nga një serë protestash, në fillim të majit, u shënua edhe me një përplasje midis policisë dhe protestuesve.

Njëzet qytetarë pretendohet të jenë plagosur sepse policia përdori forcë të tepruar, madje një pjesëmarrësi i ishte thyer hunda, e një tjetri dora, kishin thënë ata në atë kohë, duke paraqitur edhe fotografitë e të plagosurve.

“Zyrtari i policisë është i autorizuar të përdorë forcën vetëm kur e njëjta është e domosdoshme dhe vetëm deri në masën e duhur për të arritur objektivat legjitime të policisë. Në rastet e përdorimit të forcës, zyrtari policor duhet të përpiqet të minimizojë ndërhyrjen në të drejtat dhe liritë e personave dhe të minimizojë çdo pasojë të dëmshme”.

Sipas pohimit të tyre, shtatëmbëdhjetë prej tyre kishin marrë trajtim mjekësor në Shtërpcë – pastrim të syve, trajtim të lëndimeve dhe djegieve, një protestuesi i ishte thyer hunda, një tjetri dora. Në të njëjtën ditë ishte prononcuar edhe Kryetari i Komunës së Shtërpcës, i cili kishte dënuar “përdorimin e forcës së tepruar”, si dhe Zyra për KeM.

FOTO: KoSSev

Policia e Kosovës tha në një njoftim për shtyp në atë kohë se “megjithëse policia informoi dhe urdhëroi protestuesit të mos pengojnë punën dhe të largohen, ata nuk i ekzekutuan urdhrat. Me atë rast, policia përdori gaz lotsjellës dhe protestuesit u shpërndanë”. Sidoqoftë, në këtë deklaratë nuk ishte përmendur nëse kishte të lënduar gjatë këtij aksioni policor.

Në fund të shtatorit iu drejtuam Institucionit të Avokatit të Popullit dhe kërkuam qëndrimin e këtij institucioni për pretendimet e mësipërme për përdorim të forcës së tepruar nga ana e Policisë së Kosovës.

FOTO: KoSSev

Çfarë thotë Avokati i Popullit

Avokati i Popullit nuk ka pranuar asnjë ankesë nga asnjë qytetar për përdorimin e forcës së tepruar gjatë protestave të 3 majit 2019. Duke pas parasysh që asnjë ankesë nuk është pranuar dhe një rast i tillë nuk është hetuar, Avokati i Popullit nuk ka asnjë qëndrim për këtë rast” thuhej në përgjigjen e këtij institucioni nga 1 tetori, e cila na intrigoi.

Institucioni i mbrojtësit të qytetarëve – të Avokatit të Popullit – është një institucion i pavarur, detyra e të cilit është të marrë masa për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut kur ato janë shkelur me ndonjë akt, veprim ose mosveprim të organeve shtetërore. Ky institucion parimisht vepron sipas ankesës, megjithatë, ligji parashikon edhe raste në të cilat Avokati i Popullit mund të veprojë edhe sipas detyrës zyrtare, nëse ka arsye të besojë se në një rast të veçantë ka pasur shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut të qytetarëve.

Ligji përcakton që Avokati i Popullit ka përgjegjësi “të hetojë shkeljet e pohuara të të drejtave të njeriut dhe veprimet e diskriminimit dhe të angazhohet për eliminimin e tyre”, por edhe të tërheqë vëmendjen për rastet kur autoritetet i shkelin të drejtat e njeriut dhe të bëjë rekomandim që t’u jepet fund rasteve të tilla dhe kur është e domosdoshme të shprehë mendimin e vet mbi qëndrimet dhe reagimet e autoriteteve përkatëse në lidhje me rastet e tilla”.

Pas një jave, më 7 tetor, përsëri iu drejtuam këtij institucioni për të na sqaruar përgjigjen e tyre, respektivisht përgjegjësitë e tyre.

Në nenin 16 pika 4 e Ligjit për Avokatin e Popullit, 05/L-019, thuhet se Avokati i Popullit “ka kompetencë të bëjë hetime qoftë për t’iu përgjigjur ankesës së parashtruar apo me iniciativën e vet (ex officio), nëse nga konstatimet, dëshmitë dhe faktet e paraqitura me parashtresë ose nga njohuritë e fituara në mënyrë tjetër, ka bazë të rezultojë se nga ana e autoriteteve janë shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me Kushtetutë, ligje dhe akte të tjera, si dhe me instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

FOTO: KoSSev

A nënkupton përgjigja juaj e mëparshme që Institucioni i Avokatit të Popullit konsideron se në këtë rast konkret nuk ka arsye për të dyshuar se mund të jetë përdorur forca e tepruar nga policia në maj të këtij viti dhe se Avokati i Popullit nuk do ta hetojë këtë rast sipas detyrës zyrtare? – thuhej në pyetjen tonë.

Në të njëjtën ditë nga zyra e Avokatit të Popullit morëm një përgjigje se pyetja jonë i ishte dërguar shërbimit përkatës.

Pastaj, më 21 tetor, dërguam edhe një e-mail me pyetjen se kur mund të presim një përgjigje.

“Aktualisht, përgjigja e pyetjes bie nën përgjegjësinë e Avokatit të Popullit, z. Hilmi Jashari”, na ishte thënë nga zyra e mbrojtësit të qytetarëve me lutjen nga shërbimi për medie që pyetjen ta dërgojmë në e-mail adresën e z. Jasharit, siç edhe kemi vepruar.

Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje nga këto adresa, edhe pse ende jemi në pritje.

A nënkupton përgjigja e parë që kemi marrë se Avokati i Popullit në këto raste vepron vetëm në bazë të ankesës së qytetarëve dhe se megjithëse ka informacione për shkelje potenciale të të drejtave të njeriut nga institucionet, nuk është detyra e tij të ketë ndonjë qëndrim për këtë, nëse ata, drejtat e të cilëve janë shkelur, nuk i janë drejtuar atij?

Apo pretendimet e qytetarëve, fotografitë e personave me duar dhe hundë të lidhura me fasho, gjykimi i Kryetarit të Komunës së Shtërpcës, shkrimet e shumta në media nuk paraqesin bazë të mjaftueshme për të dyshuar se policia mund të ketë përdorur forcë të tepruar kundër protestuesve? Apo se thjesht nuk dëshiron të nis hetimin e këtij rasti?

Fatkeqësisht, mu kjo heshtja njëmujore e mbrojtësit të qytetarëve lë publikun të vendosë vetë se cilën nga këto përgjigje dëshiron të besojë. Ndoshta Avokati i Popullit në fakt mund të ketë nisur një hetim zyrtar lidhur me këto pretendime, por ai nuk e ka parë të arsyeshme të na informojë për këtë.

Artikulli u shkrua në kuadër të projektit “Zhvillimi i gazetarisë hulumtuese te gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë”, të cilin e zbatojnë CBS dhe InTER. Ky grant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë”, të cilin e financon Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhon Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Artikulli është përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e CBS dhe InTER

Përktheu: Bruno Neziraj

POSTAVI ODGOVOR

Please enter your comment!
Please enter your name here