Kush ishin Danica Jaramaz, Dragica Žarković, Anka Spajić…?

Featured Video Play Icon

Danica Jaramaz, Dragica Žarković (Dragica Zharkoviq), Anka Spajić (Anka Spajiq), Veljko Banašević (Velko Banasheviq), vëllezërit Mihajlović (Mihajlloviq) janë emërtimet e enteve arsimore dhe rrugëve në Mitrovicë. Para pak kohësh në rrjete sociale u parashtrua pyetja kush ishin këta persona dhe me çfarë merituan që entet dhe rrugët të bartin emrat e tyre. U munduam ta zgjidhim këtë “mister”.

E para që na u kujtua për të kuptuar më shumë për ta ishte të kërkojmë informata në internet. Fatkeqësisht, nuk ia dolëm, madje as në ueb faqet e enteve që bartin emrat e këtyre personaliteteve.

Pastaj dolëm në rrugë dhe pyetëm mitrovicasit dhe mitrovicaset nëse ata kishin dëgjuar për këto personalitete dhe nëse ata dinë të na thonë diçka më shumë për ta.

Mirëpo, edhe pse shumica kishin dëgjuar për këta emra, ata nuk dinin asgjë më shumë për të na thënë. Megjithatë, disa prej tyre që than që i njohin këto personalitete, shpalosën se ndoshta është fjala për heronjtë e kombit (dëgjoni përgjigjet në audio anketën tonë në fillim të tekstit).

Hapi vijues – konsultuam ekspertin. Doktoranti në Fakultetin Filozofik, historiani Jovan Aleksić (Jovan Alleksiq) na doli në ndihmë dhe ndau me neve njohuritë e tij për këto personalitete,

Danica Jaramaz

„Danica Jaramaz, emrin e së cilës bart enti parashkollor në Mitrovicë, u lind në vitin 1924 në rrethinën e Trebinjës. Rrugëtimi i jetës e solli familjen e saj, si dhe shumë të tjerë, në Mitrovicë. Ishte një nga anëtarët më aktive të Këshillit Lokal të Lidhjes së Rinisë Komuniste të Jugosllavisë (LRKJ). Jaramaz u arrestua në fund të qershorit të vitit 1943 dhe gjatë muajit të ardhshëm u pushkatua në burgun e Mitrovicës”, sqaron Aleksić.

Dragica Žarković

Përveç Jaramaz, një tjetër aktiviste e LRKJ-së ka qenë Dragica Žarković – Kosovka [kosovarja], emrin e së cilës e bart qendra e kulturës në Mitrovicë.

„Dragica Žarković – Kosovka, ka lindur më 23 shtator të vitit 1922 në Mitrovicë. Ishte anëtare e LRKJ-së dhe sekretare e aktivit lokal të kësaj organizate. Në PKJ [Partia Komuniste e Jugosllavisë] u pranua në vitin 1940. Gjatë gushtit të vitit 1941 iu bashkua Njësitit të Kopaonikut të partizanëve. Gjatë ofensivës gjermane kundër partizanëve në Serbinë perëndimore, në vjeshtën e vitit 1941, iu besua detyra që të qëndronte me bashkëluftëtarin e plagosur, Šotra [Shotra] në prapavijë në ilegalitet. Një pjesë të Luftës së Dytë Botërore e kaloi në Beograd dhe Surdulicë. Gjatë majit të vitit 1943 iu bashkua Njësitit të Dytë të Moravës së Jugut të partizanëve dhe u bë kryesuese e LRKJ-së në të. Pas vetëm dy muajsh humbi jetën në rrethinën e Babushnicës “, thekson Aleksić.

Anka Spajić

Anka Spajić, me emrin e së cilës u pagëzua një rrugë në Mitrovicë, po ashtu ka qenë anëtare e LRKJ-së.

„U lind në vitin 1923 në Banjën e Kovilaçës. Ishte anëtare dhe sekretare e Komitetit Lokal të LRKJ-së për Mitrovicë. U arrestua në mars të vitit 1943 dhe u dërgua në burgun lokal, prej nga është zhvendosur në kampin në Banjicë. Nga kampi në Banjicë u dërgua në Aushvicin famëkeq, ku edhe u vra”, thotë Aleksić.

Veljko Banašević

Dy shkolla fillore të cilat më parë gjendeshin në pjesën jugore të qytetit, ndërsa tash janë në ambientet e SHF “Branko Radičević” [Branko Radiçeviq], gjithashtu mbajnë emrin e anëtarëve të shquar të PKJ-së të cilët kanë vepruar në territorin e Mitrovicës.

„Veljko Banašević Pirga (1914-1941), ka lindur të Zaval afër Podgoricës. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore familja e tij zhvendoset nga aty në Rakosh, një fshat skaj rrugës Mitrovicë – Pejë. Në qytetin tonë ka kryer gjimnazin e ulët. Pas shkollimit ka punuar në një shtypshkronjë lokale, më vonë edhe si praktikant në Bankën e Kosovës, ndërsa pastaj kalon në zdrukthëtarinë “Ibri”. Aty ra në kontakt me ithtarët e PKJ-së, ku edhe u anëtarësua në vitin 1936. Me bashkëpartiaket e tij po atë vit organizoi një greve të madhe të punëtorëve. Duke u treguar shumë i shkathët, iu besua detyra ta udhëheq tekniken partiake të Komitetit Lokal të PKJ-së për Mitrovicë. Pas okupimit dhe shpërbërjes së Mbretërisë së Jugosllavisë ishte një nga komunistët më aktiv lokal dhe një nga luftëtarët e parë të Njësitit të Kopaonikut të partizanëve. Gjatë ofensivës së madhe gjermane kundër territorit të lirë të partizanëve, Veljko Banašević, bashkë me njësitin e tij tërhiqeshin nga fronti afër Kralevës e përmes Serbisë qendrore. Vdiq në njërën nga betejat e përditshme. Një shkollë në pjesën jugore mbante emrin e tij, përpara së cilës edhe u shpalos në mënyrë solemne busti i tij më 23 nëntor 1974”, sqaron Aleksić.

Vëllezërit Mihajlović (Predrag dhe Miodrag)

Predrag Mihajlović – Pega u lind më 10 qershor 1920 në Mitrovicë. Shkollimin pjesërisht e kreu në Mitrovicë, pjesërisht në Beograd ku edhe e regjistroi Fakultetin Teknik në vitin 1938. Pas okupimit në vitin 1941 kthehet në Mitrovicë.

“Si anëtar i LRKJ-së ka mbledhë armë dhe material tjetër ushtarak e mjekësor, ka shpërndarë fletushka dhe shpallje të PKJ-së. Pas themelimit të Njësitit të Kopaonikut të partizanëve bëhet luftëtar i tyre, respektivisht i Togës së Minatorëve me të cilën pastaj u bë pjesë e Brigadës së Parë të Proletarëve. Dy herë u plagos rëndë, ndërsa gjatë tërheqjes me një grup të plagosurish vdiq në Sutjeskë më 13 qershor 1943”, thotë Aleksić.

Vëllai më i ri i Predragut, Miodrag Mihajlović – Mikac, u lind më 23 nëntor 1922 gjithashtu në Mitrovicë. Ashtu si vëllai, shkollimin e ka vazhduar në Beograd.

“Gjithashtu si vëllai më i madh (kishin edhe një vëlla më të vogël Ljubodragun) [Lubodrag], ishte anëtar i LRKJ-së. Në maj të vitit 1942 Gestapoja e arreston dhe mban për një kohë në burg në Mitrovicë, ndërsa më vonë e zhvendosin në kamp në Banjicë. Ka tentuar të ikë nga kampi, por u zu, u torturua dhe u keqtrajtua. Më vonë e dërguan në kampin Mathauzen, ku, për shkak të torturave, urisë dhe sëmundjes vdiq më 31 mars të vitit 1945, vetëm disa ditë para se trupat aleate ta lironin këtë kamp famëkeq”, sqaron bashkëbiseduesi jonë.

Përktheu Bruno Neziraj

 

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Leave a Reply

Your email address will not be published.