Në Serbi diplomat e Kosovës si ato nga Harvardi?

0
48
views
Ilustracija: Milenko Todorović
Ilustrimi: Millenko Todoroviq (Milenko Todorović)

Përderisa në Bujanoc mungesa e mjekëve është një nga problemet më të mëdha; Almedin Ramizi nga Bujanoci, mjek i përgjithshëm me profesion, që pesë vjet pret nostrifikimin e diplomës së tij në Serbi.

Shkruan: Verka Jovanoviq (Verka Jovanović)

ENGLISH: In Serbia, Kosovo Diplomas Just Like from Harvard

SRPSKI: U Srbiji kosovske diplome kao sa Harvarda?

Siç thotë, në vitin 2014, ai përgatiti të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, mori edhe certifikatën e nevojshme në Prishtinë dhe e dërgoi në Ministrinë e Arsimit në Beograd.

“Prita një kohë dhe i thirra, ata më thanë – po presim që Ministri të na thotë të fillojmë nostrifikimin për juve që keni kryer në Kosovë. I kam thirrur disa herë, por kam marrë të njëjtën përgjigje”, përshkruan përvojën e tij Ramizi.

Edhe Fismir Jegiu jeton në Bujanoc. Ka mbaruar studimet bazike dhe master në Prishtinë në Departamentin për Menaxhim dhe Informatikë në Fakultetin e Ekonomisë. Tash dy vjet nuk ka marrë asnjë përgjigje në kërkesën për nostrifikimin e diplomave të tij në Serbi. Për këtë arsye në institucionet shtetërore në Serbi mund të gjejë punë vetëm me shkollë të mesme:

“Kam paraqitur kërkesën në ministri në Beograd në fund të vitit 2016 ose fillim të vitit 2017. Nuk kam marrë kurrfarë përgjigje. Për fat të mirë, punoj në sektorin joqeveritar ku nuk kam probleme për shkak të diplomës, përndryshe do të diskualifikohesha menjëherë sepse nuk i plotësoj kriteret për vendet e punës në institucionet publike”.

Me Rregulloren e Qeverisë nga viti 2014, e ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2016, dhe e miratuar në bazë të ndryshimeve në Ligjin për arsimin e lartë, si dhe të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel në lidhje me njohjen e ndërsjellë të diplomave, është rregulluar mënyra e njohjes së diplomave të Kosovës në Serbi.

Qendra Kombëtare për Njohjen e Dokumenteve të Shkollave të Larta të Huaja (ENIC/NARIC) është përgjegjëse për vlerësimin e programit të studimit të huaj për qëllime punësimi, ndërsa njohja për qëllimet e vazhdimit të arsimit kryhet nga universitetet.

Afati për njohjen akademike është maksimum 5 muaj, ndërsa periudha e njohjes për qëllime punësimi është dukshëm më e shkurtë dhe është 3 muaj.

Megjithatë, edhe pse ekziston rregullativa ligjore në formën e marrëveshjeve, ligjeve, rregulloreve dhe udhëzime, në praktikë çdo gjë nuk funksionon si duhet, kështu që është pothuajse e pamundur për të diplomuarit e Kosovës të punësohen në profesion në Serbinë qendrore.

“Pra, procesi është shumë i ndërlikuar dhe nuk jep rezultate”, deklaroi për CBS Ragmi Mustafa, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare në Serbi.

Bashkëbiseduesi ynë shton se procesi i njohjes së diplomave nga Kosova në Serbi është jofunksional dhe se procesi i njohjes së diplomave në Qendrën ENIC/NARIC zgjat deri në tre vjet, ndërsa shumë parashtrues të kërkesës nuk marrin as përgjigje në kërkesë.

Ne u përpoqëm të siguronim statistika nga Qendra ENIC/NARIC, si dhe nga Universitetet në Beograd, Nish dhe Novi Sad për numrin e pranuar dhe më pas të aprovuar, respektivisht të refuzuar, të kërkesave për njohjen e diplomave të marra në Kosovë në institucionet e arsimit të lartë që nuk funksionojnë sipas sistemit të Republikës së Serbisë.

Deri në kohën kur u botua ky artikull, vetëm universitetet në Novi Sad dhe Beograd iu përgjigjën kërkesës sonë për informacion me rëndësi publike.

Çfarë thonë Universitetet

Nuk është për t’u habitur që Universiteti i Novi Sadit nuk ka pranuar asnjë kërkesë për njohjen e diplomës nga Kosova me qëllim të vazhdimit të arsimit duke pas parasysh distancën territoriale të këtij qyteti nga Kosova dhe Serbia e jugut, ku janë kryesisht të përqendruar personat nga zona ku flitet shqipja e të cilët kanë diploma nga Kosova.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Universitetin e Beogradit, i cili pranoi vetëm dy kërkesa, nga të cilat, siç thonë përfaqësuesit e universitetit, “të dy kandidatët u tërhoqën gjatë procedurës, duke i dhënë fund këtyre procedurave”.

Decentralizimi i njohjeve akademike ka sjell që numri më i lartë i aplikacioneve për këtë qellim të paraqitet në Universitetin e Nishit.

Univerzitet u Nišu; Foto: pacificlc.com
Universiteti i Nishit; Foto: pacificlc.com

Rektori i Universitetit të Nishit Dragan Antiq në një prononcim për Radion Evropa e Lirë në vitin 2018 deklaroi se nga Universiteti i Nishit në periudhën nga viti 2012 deri në 2014 janë njohur 30 diploma nga Kosova, duke e bërë këtë universitet institucionin që njohu më së shumti diploma nga territori i Kosovës.

Gjithashtu kishte theksuar se numri i kërkesave për njohjen e diplomave në universitet ka rënë ndjeshëm që nga koha kur universiteti më nuk bën njohjen për qëllime punësimi, por vetëm me qëllim të vazhdimit të arsimit.

Krahas kësaj, ka shumë të ngjarë që Qendra ENIC/NARIC të ketë pranuar një numër të konsiderueshëm kërkesash për njohjen e diplomave për qëllime punësimi. Megjithatë, fati i këtyre kërkesave, si dhe numri i tyre, nuk janë të njohura për publikun, ndërsa Qendra ENIC/NARIC deri më sot nuk është i përgjigjur kërkesës tonë për këtë informacion me rëndësi publike, e cila ishte dërguar më 20 mars 2019, në e-mail adresën e Drejtoreshës së Qendrës, Emine Najdanoviq, me të cilin, ndër të tjera, kishim kërkuar informacione për numrin e kërkesave të pranuara, të refuzuara dhe të aprovuara për njohjen e diplomave nga Kosova.

Problemi më i madh i të rinjve në Luginën e Preshevës

Të rinjtë nga jugu i Serbisë vazhdojnë të regjistrohen masovikisht në fakultetet e Prishtinës. Këtë e tregojnë edhe të dhënat për bursat komunale në Bujanoc të ndara për vitin shkollor 2018/2019. Vetëm për vitin e parë të studimit, 140 qytetar të Bujanocit kanë fituar bursë nga Komuna e Bujanocit për studime jashtë kësaj Komune.

Saktësisht 50% të këtyre studentëve të vitit të parë kanë regjistruar fakultete në Prishtinë, 70 sosh, ndërsa në Nish në fakultet janë regjistruar 19 bursist nga Bujanoci, 13 në Beograd, katër janë regjistruar në Mitrovicë dhe 9 bursist nga Bujanoci kanë filluar studimet e tyre në vitin 2018 në Tiranë.

Megjithatë, edhe pse nota mesatare iu ka mundësuar ndihmën financiare nga Komuna, e ardhmja e të rinjve nga Serbia që regjistrohen në fakultete në Kosovë dhe Shqipëri është ende e paqartë sa i përket çështjes së punësimit të tyre nëse kthehen në Serbi pas shkollimit. 

Agon Islami, kryeredaktor i portalit “Lugina Lajm” dhe aktivist i sektorit civil nga Bujanoci, vlerësoi se njohja, respektivisht nostrifikimi i diplomave është problemi më i madh për të rinjtë në Bujanoc.

Ai thotë se përkundër ekzistencës së Qendrës ENIC/NARIC për njohjen e këtyre diplomave, për momentin duket se Qendra është e bllokuar ndërsa studentët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja me vite e kanë të pamundur të nostrifikojnë diplomat e tyre.

Agon Islam në bisedë me Verka Jovanoviq

“Janë më shumë se njëqind studentë nga Lugina e Preshevës që kanë parashtruar kërkesë për njohjen e diplomës. Disa prej tyre morën përgjigje se procesi i nostrifikimit ishte ende në proces, me nga një vit e gjysmë dhe dy vjet pas paraqitjes së kërkesës. Një numër i madh i të rinjve largohen nga Bujanoci për shkak të kësaj. Gjermania ka filluar të marrë fuqinë punëtore këtu dhe njerëzit kryesisht largohen sepse nuk kanë zgjidhje tjetër”, tha Islami për CBS.

Mosnjohja e diplomave nga Kosova e vështirëson shumë, madje pengon procesin e punësimit për qytetarët e Serbisë. Nga ana tjetër, në institucionet publike ka mungesë të personelit për punët që kërkojnë arsim të lartë ose universitar.

Për shkak të pamundësisë për të nostrifikuar diplomën në Serbi, Agon Islami mbaroi studimet master në Maqedoni. Siç thotë, ishte i detyruar ta bënte këtë.

 “Kam përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës dhe kam diplomuar në vitin 2009. Në atë kohë, procesi i nostrifikimit të diplomave nga Kosova në Serbi ishte i bllokuar. Për të aplikuar për vend pune dhe studime të doktoratës në Serbi, më duhej të përfundoja një master në Maqedoni dhe pastaj të aplikoja për nostrifikimin e masterit. Nostrifikimin e diplomës nga Maqedonia e kam bërë në Universitetin e Novi Sadit, duke dhënë dy provime shtesë dhe nuk kisha asnjë problem”, shpjegon Islami.

Sidoqoftë, shumë studentë nga Lugina e Preshevës kanë probleme edhe me nostrifikimin e diplomave nga Shqipëria dhe Maqedonia dhe tema e kontestit është shumë shpesh – simboli i statusit të Kosovës.

Siç sqaron Islami më tej, një student nga komuna e Bujanocit, i cili ka lindur në Kamenicë dhe ka diplomuar në Maqedoni, ka problem njohjen e diplomës në Serbi sepse në diplomën e tij shkruan se vendlindja e tij është “Kamenicë, Republika e Kosovës”.

Sapo e panë këtë në Qendrën ENIC/NARIC në Beograd, ata i kanë thënë se nuk mund ta njohin diplomën e tij nga Maqedonia sepse nuk e njohin Kosovën si republikë e as Kamenicën si pjesë të Kosovës, shpjegon bashkëbiseduesi ynë.

Formulari kontestues nuk i lehtëson gjërat

Ndërkohë, formulari për plotësimin e kërkesës për nostrifikimin e diplomës në faqen e internetit të Qendrës ENIC/NARIC ka historinë e vet. Gjëja e parë që mund të vërehet është mungesa e opsionit për plotësimin e formularit në cilëndo gjuhë tjetër përveç serbishtes, madje as në anglisht.

Pastaj, nëse keni lindur ose jetoni në Kosovë, e vetmja mundësi që ofrohet për të shënuar shtetin e lindjes, shtetësisë dhe shtetit të qëndrimit për juve është “shteti” respektivisht “shtetësia” – Kosovë dhe Metohi.

Paradoksi është i qartë – nëse keni lindur ose jetoni në territorin e Kosovës, respektivisht në Kosovë dhe Metohi, për të nostrifikuar diplomën tuaj në kuadër të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë, detyroheni ta quani shtet.

Sipas vlerësimit të Agon Islamit nga Bujanoci, problemi i njohjes së diplomave nga Kosova është më shumë i natyrës politike sesa teknike dhe se do të përfundojë nëse zgjidhet çështja e Kosovës.

Ndërkohë, derisa pritet zgjidhja e kësaj çështje, gjithnjë e më shumë të rinj nga Serbia e jugut kryejnë fakultete në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Diplomat e Kosovës si të Harvardit

Drejtoria për Kosovë dhe Metohi në raportin e vet për vitin 2015 kishte theksuar se diplomat nga universitetet e Kosovës në Serbi kalojnë të njëjtën procedurë “si diplomat e lëshuara nga, p.sh. Universiteti i Vjenës, Oksfordit, Harvardi”.

Por, mbase, kjo deklaratë nuk ka një konotacion pozitiv, edhe pse mund të duket ashtu në shikim të parë. Ndoshta deklarata nuk ka të bëjë me mosekzistimin e problemit, por që diplomat nga Oksfordi dhe Harvardi në të vërtetë kanë të njëjtat probleme.

Sidoqoftë, nevoja e individëve që kanë pasur mundësi të studiojnë në Harvard dhe Oksford për nostrifikim të diplomës në Serbi (duke pas parasysh njohjen e gjithanshme dhe të drejtpërdrejtë të këtyre diplomave në të gjithë botën) është shumë më pak se nevoja për të diplomuarit nga fakultetet e Kosovës që jetojnë në jug të pazhvilluar të Serbisë. Ata nuk duan që diploma e tyre në Serbi të trajtohet si ajo nga Harvardi, por vetëm që të njihet.

Disa prej tyre shpresojnë se problemi do të zgjidhet deri në kohën kur të diplomojnë. Pjesa tjetër e këtyre qytetarëve të Serbisë të aftë për punë planifikon largimin nga vendi ku diploma e tyre do të pranohet dhe ku ata do të jenë në gjendje të gjejnë punë në përputhje me arsimimin e tyre.

Artikulli u shkrua në kuadër të projektit “Zhvillimi i gazetarisë hulumtuese te gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë”, të cilin e zbatojnë CBS dhe InTER. Ky grant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë”, të cilin e financon Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhon Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Artikulli është përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e CBS dhe InTER.

Përktheu nga serbishtja: Bruno Neziraj

POSTAVI ODGOVOR

Please enter your comment!
Please enter your name here