Njerëzit hedhin, Ibri merr

0
220
views
Deponia në Leposaviq

Komuna më veriore në Kosovë – Leposaviqi, për shumë vite ka problem me deponimin e mbeturinave komunale. Edhe pse autoritetet komunale për vite me radhë paralajmëronin ndërtimin e një deponie ose gjenin zgjidhje të përkohshme, këtë problem nuk ia dolën ta zgjidhin. Gjatë kësaj kohe, ka gjithnjë e më shumë deponi të egra në zonën rreth Leposaviqit.

Shkruan: Fillip Radojeviq (Filip Radojević)

ENGLISH: People Throw, Ibar Carries

SRPSKI: Ljudi bacaju Ibar nosi

Rruga për te Manastiri i shna Prenës (sveta Petka), jo larg nga Leposaviqi, në pranverën e hershme më shumë i ngjan një rruge që kalon nëpër deponi plehrash. Çdo vit e njëjta histori. Gjatë vjeshtës dhe dimrit mblidhen mbeturinat të cilat i hedhin qytetarët e pandërgjegjshëm, pastaj kur vjen pranvera, murgeshat nuk kanë çka të bëjnë tjetër pos të kërkojnë ndihmë nga vullnetarët për të pastruar rrugën për në këtë vend të shenjtë.

Këtë vit thirrjeve iu përgjigjën dhjeta të rinj, dhe për herë të parë në shoqërinë e mbledhësve vullnetarë ishte një ruse. Ajo është gazetare me profesion. Ajo u diplomua nga Universiteti Shtetëror në Shën Petersburg dhe është ish korrespondente e televizionit moskovit “Kanali i parë” nga ky qytet.

Jullija Mihanova Gjerkoviq është zhvendosur në Leposaviq para një viti. Thotë se nuk e ka të vështirë të përvjel mëngët dhe të mbushë qesen sepse që nga fëmijëria e kanë mësuar të kujdeset për natyrën. 

“Erdha të ndihmoj pak pasi të njëjtën kemi bërë shpesh në Rusi. Vet mblidheshim për të mbledhur mbeturina, për të pastruar zonën rreth shkollës, përreth ndonjë vendi të shenjtë, kjo është shumë e rëndësishme. Që nga mosha e hershme na kanë edukuar kështu. Për shembull, çdo pranverë dhe çdo vjeshtë kemi dalë dhe kemi mbledhur mbeturina rreth shkollës. Kur ti i mbledh qeset, shishet, ti pas kësaj nuk do t’i hedhësh më ato”, thotë Jullia.

Në zonën më të gjerë rreth Leposaviqit janë regjistruar dhjetëra deponi të egra, të cilat janë përskaj pothuajse çdo fshati. Ajo që mungon në këtë rajon janë Julliat e shumta, respektivisht qytetarë të vetëdijshëm se ndotja e mjedisit nuk zgjidh asnjë problem.

Leposaviqi ende nuk e ka as deponinë sanitare që do të ishte e rregulluar sipas standardeve komunale. Ka shumë probleme në fushën e ekologjisë që për vite me radhë shtyhen nën qilim, respektivisht, për të qenë më të saktë, hidhen në tokë. Por të fillojmë me radhë.

Përkohësisht për gjithmonë

Në vend të një deponie të rregulluar, Leposaviqi në fakt ka një deponi të egër e të madhe sa gati dy fusha futbolli. Vendi i quajtur “Fusha (Polje)” ku kamionët e ndërmarrjes lokale komunale çdo ditë shkarkojnë tonelata të mbeturinave ndodhet pranë lumit Ibër. Kjo deponi u krijua shtatë vjet më parë duke e mbushur një pellg që ishte lënë prapa pas nxjerrjes së zhavorrit.

Menjëherë në vitin e parë të punës së kësaj deponie, ekspertët kanë bërë testime, d.m.th. konstatonin ndotjen mikrobiologjike të ujit. Përcillej ndotja në lumin Ibër mbi deponi (në rrjedhën e sipërme), pastaj në shtresën e zhavorrit në një thellësi prej 6m, ujit nëntokësor para deponisë, të ujit në vetë deponi, të ujit nëntokësor prapa deponisë, të cilin banorët vendas përdorin për ujitje të mbjellave dhe në lumin Ibër në rrjedhën e poshtme.

Një nga ekspertët që ka punuar në testime ishte edhe profesori i Fakultetit të Mjekësisë në Mitrovicë, Aleksandër Qorac. Ai thotë se rezultatet që u morën atëherë ishin të tmerrshme.

“Në vet deponi, përmbajtja totale e baktereve ishte mbi 200.000 në 1ml ujë, ndërsa uji që u përdor si mostër kishte ngjyrë të zezë. Në rrjedhën e poshtme, edhe pse uji ishte shumë më i kthjellët, mostra e baktereve ishte 160.000 baktere në 1ml ujë. Para hedhjes së mbeturinave në vendin ku aktualisht është deponia, ishin 800 baktere”, thotë ky ekspert.

Ai gjithashtu kujton se i gjithë rajoni ka probleme me hedhjen e mbeturinave dhe dekada të ndotjes sepse përveç mbeturinave komunale ka problem edhe në zgjidhjen e mbetjeve industriale që paraqiten gjatë procesit të përpunimit të plumbit dhe zinkut. 

Në afërsi të deponisë Polje janë edhe pronat e banorëve lokal. Profesor i Fakultetit të Bujqësisë, Aleksandër Gjikiq na njofton me pasojat që mund të paraqiten pas përdorimit të ujit të tillë.

“Duke përdorur ujin nga lumi Ibër për ujitje të të mbjellave, shumë kimikate, kryesisht jo degraduese, arrijnë te bimët, gjë si konsekuencë përfundimtare ndikon në cilësinë e të mbjellave. Por gjithashtu ndikon që një ditë kur do të ju duhet të respektoni standardet, atë produkt nuk do të jeni në gjendje ta shisni”, thekson Gjikiq.

Uji sipërfaqësor është i pastrueshëm dhe uji sipërfaqësor mund të pastrohet në procese të caktuara me sasi të caktuar mjetesh dhe ky do të mund të ishte problem i zgjidhshëm në një procedurë tjetër.

Megjithatë, sipas Jellena Gjokiqit, profesoreshë në Fakultetin e Teknologjisë, ndotja e ujërave nëntokësore do të paraqiste një problem të pazgjidhshëm, pasi uji nëntokësor nuk mund të pastrohet. Në këtë rast do të kishim pasoja të mëdha për shëndetin e popullatës sepse i gjithë uji në puset në rrethinë do të ishte i ndotur.

Dhe varësisht se sa e madhe është pishina e atyre ujërave nëntokësore dhe sa e ka shtrirjen, do të ishte i prekur rajoni disa kilometra përreth. Në fotografinë më poshtë është e paraqitur deponia e egër e cila gjendet në një përrua vetëm pak metra nga burimi i ujit të cilin banorët e përdorin për pije.

Deponi të egër mund të gjeni pothuajse në çdo fshat dhe ato janë zakonisht përgjatë lumit Ibër, ose janë në ndonjë përrua. Përveç qytetarëve të pandërgjegjshëm, të cilët janë fajtorët kryesorë për shfaqjen e këtyre deponive, një pjesë të madhe të përgjegjësisë e bart edhe vetëqeverisja. Për shkak të mungesës së kontejnerëve apo vendeve të rregulluara si duhet për hedhjen e mbeturinave, qytetarët janë të detyruar të hedhin mbeturinat në vendet që nuk janë për këtë qëllim. Kështu shkaktohet një dëm i pamasë për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

Një deponi për 4 komuna

Problem me deponi të mbeturinave nuk ka vetëm Leposaviqi, por të katër komunat në veri të Kosovës. Kjo çështje u trajtua vitin e kaluar edhe në Institutin për Zhvillim Territorial dhe Ekonomik (InTER). Jovana Jakovleviq, hulumtuese në InTER thotë se mbrojtja e mjedisit dhe menaxhimi i mbeturinave nuk janë tema për të cilat angazhohen për së tepërmi këto komuna.

 “Problemi me komunat në veri të Kosovës është se në ndërmarrjet komunale nuk ka kapacitete të mjaftueshme për punë, ndërsa edhe pajisjet që përdoren nuk janë adekuate. Komunat kryesisht mbledhin mbeturinat në zonat urbane. Të dhënat tregojnë se rreth 80% mbulojnë territorin e komunave të tyre në mbledhjen e mbeturinave, ndërsa problemi paraqitet në zonat e fshatrave dhe ato rurale ku mbeturinat nuk mblidhen sistematikisht – nuk ka vizita të rregullta të automjeteve për mbeturina”, thotë Jovana Jakovleviq.

Në Kosovë vërehet trendi i rritjes së sasisë së mbeturinave për kokë banori, në vitin 2008 – 0,5 kg mbeturina për kokë banori, ndërsa në vitin 2013 mesatarja ishte rreth 0,9 kilogramë mbeturina për kokë banori.

“Në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, situata u përkeqësua ndjeshëm me mbylljen e deponisë Ballaban në vitin 2012, kur Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk kishte më vend për të deponuar mbeturinat dhe tani deponon mbeturinat në Komunën e Zubin Potokut, ku funksionon e vetmja deponi operacionale në Lluçka rekë (Lučka reka). Megjithatë, as ajo definitivisht nuk i plotëson standardet e kërkuara, sepse nuk ka sistem drenazhi”, thonë në InTER.

Për të zgjidhur këtë problem në afat të gjatë, Bashkimi Evropian që në vitin 2014 mbështeti projektin e ndërtimit të një deponie rajonale, e cili do të ishte e vendosur në mes Zveçanit dhe Leposaviqit – e ashtuquajtura Savina stena.

Sipas mediave lokale, projekti është dashur të përfundonte në shtator të vitit 2018, por për shkak të problemeve të caktuara, është shtyrë afati përfundimtar për përfundimin e punimeve. Është planifikuar që sipërfaqja e deponisë të jetë 300mx100m, plus objektet ndihmëse, ndërsa kapaciteti – rreth 720.000 m3.

Toka e punueshme në afërsi të menjëhershme të deponisë “Polje” në Leposaviq

Vlera e projektit është pak më shumë se 5 milionë euro dhe është plotësisht i financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë. Deponia rajonale do të funksionojë në kuadër të legjislacionit të Kosovës. Është planifikuar që dy vitet e para me menaxhimin e deponisë të merret një ekip i përzgjedhur nga Komisioni Evropian, e pastaj menaxhimin e deponisë do ta merrte përsipër Komuna e Zveçanit.

Në deponi duhet të punësohen rreth 80 persona, të cilët do të punojnë në ndarjen e mbeturinave dhe punë të tjera në deponi. Nënshkruese për përdorimin e deponisë rajonale janë të katër komunat në veri të Kosovës.

Megjithatë, sipas analizës së bërë nga InTER, funksionimi dhe qëndrueshmëria e kësaj deponie është vënë në pikëpyetje. Për ta bërë veprimtarinë në këtë sektor të suksesshme dhe fitimprurëse duhet të grumbullohet një sasi e caktuar e mbeturinave, të cilat do të përpunoheshin më tej dhe do të shiteshin për qëllime ricikluese.

Duke marrë parasysh situatën në veri të Kosovës nga ky aspekt vërehet një problem i qëndrueshmërisë dhe funksionimit të deponisë “Savina stena”. Sasia e mbeturinave të mbledhura në tri komunat veriore (Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut) nuk është e mjaftueshme që kjo deponi të jetë ekonomikisht e qëndrueshme.

Për të arritur këtë është e nevojshme që deponia rajonale “të pranojë” mbeturinat e të paktën 200.000 banorëve. Megjithatë, numri i banorëve në tri komunat e përmendura nuk tejkalon 50.000.

Edhe pse komponenti ekologjik është përmbushur përmes projektit të ndërtimit të një deponie rajonale, parashtrohet pyetja si do të përmbushet komponenti ekonomik pas përfundimit të financimit nga Bashkimi Evropian, vlerësojnë në InTER.

 Ndër të tjera, dokumentacioni i projektit nuk ishte në dispozicion të publikut, prandaj nuk dihet se si parashihet financimi dhe funksionimi i mëtejshëm i deponisë. Ka vetëm indikacione se mbështetja financiare mund të sigurohet në formën e subvencioneve nga autoritetet lokale ose qendrore në Kosovë, që, në aspektin e qëndrueshmërisë, nuk paraqet zgjidhje afatgjatë.

Problemi tjetër pasqyrohet në funksionimin e kompanive publike në veri të Kosovës, posaçërisht në statusin e tyre pas ndërtimit të deponisë rajonale. Sistemi i Kosovës nuk njeh ndërmarrjet publike komunale të regjistruara në sistemin e Republikës së Serbisë, prandaj duhet të vendoset se si do të veprojnë këto ndërmarrje, të cilat aktualisht janë kompetente në fushën e grumbullimit të mbeturinave në veri të Kosovës.

Prandaj, çështja kryesore është si do të harmonizohen këto dy sisteme. Duhet të theksohet se këto ndërmarrje nuk ofrojnë vetëm shërbime të grumbullimit të mbeturinave komunale, por edhe të shërbimit të furnizimit me ujë, pastrimit të hapësirave publike dhe gjelbërimit.

Shërbimet kompetente

Në nivel lokal, përgjegjësinë kryesore për zgjidhjen e problemit të deponimit të mbeturinave, si dhe të problemeve të tjera mjedisore kanë Ndërmarrja Publike Komunale dhe vetëqeverisja lokale.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “24 nëntori”, Dragan Baraq, nuk donte të fliste për këto tema të rëndësishme, kështu që publikut iu mohua përgjigja në çështjet e shumta. Ndër të tjera është çështja se me çfarë kapaciteti punon ndërmarrja komunale, pse nuk ka kontejnerë të mjaftueshëm, pse nuk kemi zbrazje të rregullt të tyre etj.

Ish-drejtori i kësaj ndërmarrje komunale, Goran Llazoviq, thotë se problemi më i madh kur është fjala për hedhjen e mbeturinave paraqesin deponitë e egra. “Secili fshat më i madh te ne ka deponinë e vet lokale dhe kjo për neve paraqet problem gjatë kryerjes së detyrimeve tona ndaj qytetarëve”.

Ai beson se ndërtimi i një deponie të re do të zgjidhte vetëm pjesërisht problemin e deponive të egra. “Zakon i qytetarëve tanë është se mbeturinat ende të hidhen pranë lumenjve dhe në disa sipërfaqe të lira”.

Sa i përket deponisë në Leposaviq, sipas fjalëve të ish-drejtorit, planifikohet që ajo të jetë aty përkohësisht. “Ose të mbledhim mbeturinat dhe t’i deponojmë në këto vende të përkohshme ose thjesht të mos e kryejmë këtë pjesë të punës sonë, e cila është e përditshme, e kjo është të mos largojmë mbeturinat nga qyteti”, thotë ish-drejtori i NPK-së.

Në Departamentin për Çështje të Mjedisit në Komunën e Leposaviqit thonë se për vite me radhë përpiqen të zgjidhin problemin e ndotjes sistematikisht, por se ai është i një shkallë shumë më të gjerë dhe kap gjithë Serbinë.

“Kuvendi Komunal i Leposaviqit i jep rëndësi të veçantë edukimit të qytetarëve në fushën e ruajtjes së mjedisit. Dhe më duket se njerëzit gjithnjë e më shumë flasin për këtë dhe i kushtojnë më shumë vëmendje. Ne ende kemi probleme të mëdha me deponitë e egra. Ky nuk është problem vetëm për rrethin tonë, por në të gjithë Serbinë, ndërsa ne sistematikisht përpiqemi t’i zgjidhim këto probleme”, thotë Zorica Timotijeviq nga Departamenti për Ekologji në Komunën e Leposaviqit.

Në periudhën e kaluar në Leposaviq janë organizuar disa fushata për pastrimin e hapësirave publike, e krejt me qëllim të ngritjes së vetëdijes për ruajtjen e mjedisit dhe mënyrës së jetuarit shëndetshëm.

Organizatore e një prej aktiviteteve të fundit ishte edhe vetëqeverisja lokale. Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, rikujtoi problemin e deponisë lokale në një deklaratë të shkurtë për media.

“Shumë mirë e dini që ne nuk kemi një deponi të përshtatshme për hedhjen e mbeturinave në Komunën e Leposaviqit. Ndërtimi i deponisë rajonale në Komunën e Zveçanit, në lokacionin Savina stena, është në fazën përfundimtare të ndërtimit dhe kjo deponi do funkcionalizohet këtë vit që edhe ne të kemi kushte adekuate për deponimin e mbeturinave”, thotë Kryetari i Komunës.

Anketa me qytetarët

Për tu njohur më mirë me gjendjen në terren, kemi anketuar 40 qytetarë të Komunës së Leposaviqit. Kur u pyetën se ku hedhin mbeturinat më së shpeshti, numri më i madh i të anketuarve u përgjigj se mbeturinat i hedhin në deponitë e egra, gjë që më së miri ilustron përmasat e këtij problemi.

Si vende për deponim të mbeturinave u përmenden deponitë e egra e madje edhe rrjedhat e lumenjve. Pjesëmarrësit në anketë thonë se kujdesi për mbrojtjen e mjedisit, zakonet dhe ruajtja e shëndetit të anëtarëve të familjes janë arsyet kryesore të cilat ndikojnë në vendimin ku të hedhin mbeturinat. Në fushën e grumbullimit dhe deponimit të mbeturinave si tri grupe problemesh, të anketuarit shohin:

  • mungesën e një sistemi efikas për deponimin e mbeturinave
  • vetëdijen dhe qëndrimet e qytetarëve për hedhjen e mbeturinave,
  • gjendjen e ndërmarrjeve komunale.

Megjithatë, si problem kryesor përmendin mungesën e kontejnerëve dhe zbrazjen jo të rregullt të tyre. Problemet e përmendura, sipas mendimit të të anketuarve, duhet të zgjidhen nga ndërmarrjet komunale dhe vetëqeverisja lokale.

Pjesëmarrësit e anketës treguan se gjysma janë të kënaqur me cilësinë e grumbullimit të mbeturinave (Në pyetjen A jeni të kënaqur me cilësinë e grumbullimit të mbeturinave? 50% e të anketuarve thanë se ishin të kënaqur).

Nga kjo mund të konkludojmë se nëse do të ekzistonte një strategji e qartë dhe e rregulluar për largimin e mbeturinave, qytetarët do t’i përmbaheshin asaj, e me këtë edhe mjedisi i tyre do të ishte më i pastër dhe më i shëndetshëm.

Është e rëndësishme të theksohet se qytetarët e Komunës së Leposaviqit nuk paguajnë për shërbimet e Ndërmarrjes Publike Komunale. Kjo situatë u paraqit pas luftës së vitit 1999.

Nga kjo ndërmarrje disa herë i kanë bërë thirrje qytetarëve të paguajnë detyrimet e tyre rregullisht sepse me këtë do t’i kontribuonin punës më të mirë dhe më efikase të shërbimeve komunale.

Mjetet e mbledhura për shërbimet e tyre kjo ndërmarrje do t’i përdorte për blerjen e kontejnerëve që mungojnë (qytetarët kanë thënë se ky është një nga problemet kryesore) dhe automjeteve të reja për zbrazjen e tyre.

Mes dëshirave dhe mundësive

Sipas mendimit të shumë prej bashkëbiseduesve tanë, për të zgjidhur problemin e deponimit të mbeturinave në Leposaviq, ndër të tjera, duhet të rriten investimet e vetëqeverisjes lokale, e pastaj edhe të autoriteteve qendrore dhe donatorëve për projektet në fushën e zgjidhjes së problemit të mbetjeve komunale dhe deponive ilegale, veçanërisht në zonat rurale.

Komuna gjithashtu do të duhej të miratonte një strategji nga fusha e mjedisit, ku do të përcaktohej cilat janë prioritetet e saj mjedisore dhe si do të zbatohen ato. Duke marrë parasysh numrin e deponive të egra, gjithashtu është e domosdoshme të rritet vetëdija e popullatës, si dhe edukimi i tyre për dëmin që shkakton hedhja joadekuate e mbeturinave. Përveç vetëqeverisjes lokale, e cila me disa aktivitete (disa veç ekzistojnë) ose manifestime duhet të inkurajojë qytetarët për të ruajtur mjedisin e tyre, rol kryesor kanë edhe mediat, veçanërisht ato lokale.

Me paraqitjen e spoteve promovuese ose programeve edukuese në fushën e ekologjisë, do të mund të kontribuonin në ngritjen e vetëdijes te njerëzit e zakonshëm për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit. Natyrisht, edhe pagesa e rregullt e shërbimeve komunale me siguri do të ndryshonte pamjen në terren.

Kështu kthehemi në fillim të tregimit tonë. Këto ditë, rruga që çon te Manastiri i shna Prenës duket krejtësisht ndryshe krahasuar me periudhën para disa muajsh. Para pak kohësh u vendos edhe një kontejner, kështu që tani nuk ka asnjë arsye që banorët ose vizitorët e manastirit të hedhin mbeturinat skaj rrugës. Vetëm edhe të filloj punën deponia e re rajonale që të ketë vend ku të zbrazët.

______________________________________________________________________________Artikulli u shkrua në kuadër të projektit “Zhvillimi i gazetarisë hulumtuese te gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë”, të cilin e zbatojnë CBS dhe InTER. Ky grant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë”, të cilin e financon Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhon Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Artikulli është përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e CBS dhe InTER.

Përktheu nga serbishtja: Bruno Neziraj

POSTAVI ODGOVOR

Please enter your comment!
Please enter your name here