Për një ose dy dekada para gjykatave, paratë, shëndeti … dhe përsëri pa të drejtë në pronën personale

Shtëpitë, banesat, ngastrat e tokës – janë në shënjestër të uzurpuesve në Kosovë që nga viti 1999. Disa pronarë deri sot nuk kanë arritur të marrin pronën e tyre. Çka thonë ata, çka përfaqësuesit e institucioneve dhe çka thonë ata që luftojnë për të drejtat e pronarëve për dy dekada – lexojeni në vazhdim.

Pranë pusit të vjetër – ishte një vend grumbullimi kulti për mitrovicasit në pjesën jugore të qytetit në një kohë kur Mitrovica e Veriut dhe e Jugut ishin një qytet. Për Renata Millosavleviq (Renata Milosavljević) është vendi ku dikur ishte shtëpia e familjes – e djegur në vitin 1999. Tani në parcelën e njëjtë gjendët një shtëpi tjetër, thotë ajo, e familjes Q. (mbiemri i njohur për redaksinë).

“Të gjitha gjykatat kanë vendosur në favorin tonë. Ishte vendosur për rrënimin e shtëpisë brenda 30 ditëve, por asgjë”, thotë Renata Millosavleviq në intervistën për CBS-në. Tash jeton në Malli Zvornik. Pjesa tjetër e familjes në pjesën veriore të Mitrovicës.

Një hotel i mrekullueshëm po ndërtohet në njërën prej ngastrave afër rrugës magjistrale Pejë-Deçan. Pronarët e tokës janë Petroviqët (Petrović).

“Jemi nëpër gjykata tash katërmbëdhjetë vjet”, thotë në bisedën me CBS, Ivan Petroviq, i cili tani jeton në Krushevc. Ata dëshmojnë pronësinë mbi tokën e tyre.

Naser Avdiu ka në pronësi një banesë në pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës. Në vitin 2006 zbuloi kush ishte saktësisht në pronën e tij, ndërsa filloi të marrë qiranë nga 2014. Ende nuk është në banesën e tij.

Të tre tregimet filluan në 1999.

Renata Millosavleviq dhe familja e saj u larguan nga shtëpia e tyre në pjesën jugore të Mitrovicës së Kosovës, në rrugën e asaj kohe Bora Vukmiroviq, pasi filluan bombardimet.

“Ia dolëm të shkonim disa herë për të marr gjërat më të nevojshme, veshjet. Ne absolutisht nuk nxorëm asgjë tjetër nga shtëpia jonë”, thotë Renata.

Në të njëjtën ditë kur KFOR-i mbërriti në Kosovë, shtëpia u dogj. Të nesërmen ia del të vizitojë shtëpinë e djegur e shoqëruar nga xhandarët francezë.

“Nuk kishte asgjë për tu parë përveç blozës, gjithçka ishte djegur krejtësisht, ndërsa pusi, i cili ishte mishërimi i Mitrovicës, qindra vjeç i vjetër, u mbulua. Unë isha e revoltuar nga shtëpia e djegur dhe pusi i mbuluar”, shton ajo.

Naser Avdiu largohet nga banesa e tij në pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës, afër Poletit, një muaj pas bombardimeve, flet për CBS-në.

U rrah, thotë ai, nga “paramilitarët” dhe në një moment iu kërcënuan me vrasje. Megjithatë, në fund u lirua.

“Një çantë dhe asgjë më shumë, kështu na thanë” – sqaron Avdiu se kjo ishte e tëra që nxorën nga banesa e tyre.

Edhe Petroviqët largohen nga Peja në 1999.

Kthimi i serbëve të parë në vendet afër Pejës filloi, thotë Ivan Petroviq, në 2003-2004. Gjatë njërës prej vizitave të “shko-shiko”, babai i Ivanit përpiqet që me fletën e vjetër poseduese të nxjerrë një të re. Për të gjithë pronën, përveç ngastrës afër magjistrales, çdo gjë ishte në rregull:

“Për ngastrën afër rrugës magjistrale Pejë-Deçan kuptoi se nuk ishte në emrin e tij. Ishte një shok për të. Dhe lëmshi fillori të zgjidhej. Paramendojeni, hallka e parë në gjithë këtë tregim ishte në Beograd”

Ivan Petroviq

“Kinse babai im paska autorizuar në Beograd, në Gjykatën e Parë Themelore, një person nga Savski venac, i cili nuk fakt nuk ekziston, që të disponoj me pronën e tij. Pastaj, ky person inekzistent, me gjithë atë dokumentacion të falsifikuar, shkon në Berane dhe bartë autorizimin tek një person i tretë. Pala e tretë shkon në Pejë dhe e shet pronën dhe më pas ajo bartet te personi tjetër. Pastaj ndodh se ky person pas një muaji ndanë në dy pjesë ngastrën tonë dhe ia bartë të afërmve”, sqaron Ivani.

Familja e Renata Millosavleviq në të njëjtën mënyrë mësoi se prona e familjes, respektivisht ngastra në të cilën ndodhej shtëpia e familjes, nuk ishte në emër të gjyshes së tyre, e cila ishte pronarja.

“Babai i një kolegeje shkoi për të nxjerr për neve listën poseduese në komunën jugore. Fleta poseduese kishte për titullar A. Q. (emri dhe mbiemri i plotë të njohur për redaksinë). Pra, ngastra jonë ishte e regjistruar në emrin e saj, jo në emrin tonë”, sqaron ajo.

Naser Avdiu

Deri në vitin 2006, Naser Avdiu një herë vizitoi banesën e tij.

“Isha nën përcjelljen e KFOR-it francez. Në banesë kishte mbetur vetëm shporeti Alfa dhe asgjë tjetër. Vetëm në vitin 2006 e kuptova se kush ishte në banesën time”, thotë ai.

Edhe tash e din se kush është në banesën e tij, por, shton se nuk dëshironte të dëbonte familjen pasi ishin dakorduar të paguajnë qiranë, me të cilën filluan vetëm në vitin 2014.

Vazhdimi në rastin e Petroviqëve dhe Renata Millosavleviq pasoi në formën e procedurave të gjata gjyqësore dhe provave se është fjala për orvatjet mashtruese për të marrë tokën e tyre, siç besojnë ata.

Në rastin e Petroviqëve, gjykata në Beograd konfirmoi se nuk kishte lëndën e autorizimit të personit nga Savski venac, e për të cilin gjithashtu u konstatua se në të vërtetë nuk ekziston.

“Ne ishim në gjykatë dhe për këtë kemi konfirmimin e gjykatës”, thotë Ivan Petroviq, duke shtuar se megjithatë, në Berane ishte regjistruar çështja.

Renata Milosavleviq

Renata Millosavleviq thekson se atyre oferta e parë për shitje të pronës iu kishte ardhur nga ish kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë (emri i njohur për redaksinë), me një ofertë prej 7.000 euro.

Pasi nuk kishte pranuar, i gjithë procesi vazhdoi. Në ballafaqim, në të cilin ishte ftuar bashkë me anëtaren e familjes Q, në emrin e të cilës ishte regjistruar toka, të gjithë dëshmitarët dëshmuan në favor të familjes së saj.

“Dëshmitarët e mi dëshmuan ashtu siç ishte, ndërsa të saj, përndryshe fqinjët e mi të mëparshëm, gjithashtu dëshmuan të vërteten – se ishte prona ime, respektivisht që i vetmi trashëgimtar ishte nëna ime, Liljana Millosavleviq (Ljiljana Milosavljević), pasi  ajo ishte trashëgimtarja e vetme ligjore e ngastrës”, shpjegon më tej Renata.

Sidoqoftë, ky nuk ishte fundi.

Përkundër vendimit, shton ajo, një zyrtar në komunën e Mitrovicës së Jugut refuzonte të bartte pronën në familjen e Renatës dhe nuk ishte respektuar vendimi për rrënimin e objektit në ngastrën e saj në afat prej 30 ditësh, si dhe ajo që uzurpatorët nuk kishin të drejtën e ankesës.

“Ne kemi marrë konfirmim nga të gjitha gjykatat e mundshme që [sh.p. ngastra] është e jona dhe se nuk kanë të drejtën e ankesës. Dhe asnjë kompensim, asnjë qira, asgjë askujt”, thotë bashkëbiseduesja jonë.

Për më tepër, thotë se pas vendimeve në favor të familjes së saj kishte pasur kërcënime, përmes mesazheve me SMS, dhe pastaj disa herë nga një person i panjohur për të, të cilën ka raportuar në polici. Ajo beson se kërcënimet erdhën sepse nuk hiqte dorë nga prona e saj.

“Ne kemi dashur të shesim pronën. I pata pyetur pyeta – A doni të blini pronën për një shumë të arsyeshme parash që të mos rrënoni shtëpinë? Njëri nga vëllezërit e Q. më tha – Sllobodan (Millosheviqi) ka vdekur“, dëshmon Millosavleviq, duke shtuar se ishte veçanërisht dëshpëruese kur familja që kishte uzurpuar pronën, kishte vendosur ngastrën në hipotekë dhe kishte marr një kredi.

Kjo është arsyeja pse, pas të gjithave, ajo beson se uzurpuesit e ngastrës së saj në një mënyrë janë të mbrojtur edhe nga institucionet.

Kur u pyet nëse ndonjëherë kanë marrë shpjegim përse nuk është rrënuar objekti në ngastrën e tyre, Renata përgjigjet: “Jo, askush, askush, kurrë nuk kemi marrë!”

Edhe bashkëpunëtorët në çështjen Petroviq janë ende të pandëshkuar.

“Babai im, pasi ka mbledhur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, ka ngrit padi në Gjykatën Themelore në Pejë dhe kallëzim në policinë e UNMIK-ut. Megjithatë, nga ai kallëzim deri më sot nuk ka asgjë. Në ndërkohë, ne e kemi zgjeruar padinë edhe ndaj personit që ndërton hotelin” – thotë Ivan Petroviq.

Ai beson se kanë përjetuar pengesa të mëdha në këtë rast, duke deklaruar se çështja e tyre pandërprerë është zhvendosur nga kompetenca e njërës gjykatë në tjetrën. Procesi i gjatë 14 vjet, megjithatë ende vazhdon. Petroviqët tash presin një seance të re.

Sa ka raste të pasurisë së uzurpuar – nuk ka të dhëna të sakta

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) merret me këto raste. Siç shpjegojnë në këtë Agjenci, ajo ka mandatin të pranojë, krahasojë dhe përmes Komisionit për verifikim dhe vendimmarrje për pronë të vendosë për dallimet dhe mosmarrëveshjet midis dokumenteve origjinale kadastrale nga para qershorit 1999 dhe dokumentacionit aktual kadastral në Kosovë, përkatësisht për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare. Ka mandat edhe që përmes Komisionit për kërkesa pronësore të zgjidhë kërkesat për pronësi dhe kërkesat për të drejtën e përdorimit (me të drejtë ankese në Gjykatën Supreme të Kosovës) në lidhje me pronën e paluajtshme private, përfshi pronën bujqësore dhe komerciale.

AKKVP ka trashëguar mandatin e Agjencisë Kosovare për Pronë (AKP), e cila ka trashëguar mandatin nga Drejtoria për çështje banesore dhe pronësore (HPD). Mandati i trashëguar nga AKP-ja përfshin kompetencat ekzekutive në zbatimin e vendimeve të AKP-së, dhe nga ky aspekt, përveç vendimmarrjes, AKKVP ka edhe autoritetin ekzekutiv në zbatimin e vendimeve të AKP-së dhe Drejtorisë për çështje banesore dhe pronësore, mbyllja e së cilës, shtojnë ata, përkoi me krijimin e AKP-së.

Ne kërkuam nga kjo Agjenci, ndër të tjera, informacion se cili është numri i pronave të uzurpuara në Kosovë sipas të dhënave të tyre.

Agjencia na dorëzoi “statistika në lidhje me mandatin e AKP-së”.

“Gjithsej janë pranuar 42.749 kërkesa, janë marrë 41.849 vendime, apelime (padi) në Gjykatën Supreme të Kosovës 1310, shqyrtuar 1124, në pritje 186”.

Megjithatë, nuk specifikohet nëse numri i mbi 42.000 kërkesave mund të interpretohet edhe si numri i pronave të uzurpuara.

Ndërsa kombësia e personave që kanë parashtruar kërkesë në shumicën e rasteve është serbe, respektivisht në gati 97% të rasteve.

“Shqiptarët – 1,35%; serbët – 96,84%, turqit – 0,07%; romët – 0,76%; boshnjakët – 0.22%; ashkalinjtë – 0,04%; goranët – 0,19%; egjiptianët – 0.01%; nuk janë deklaruar – 0.25%”- shkruan në përgjigjen e AKKVP-së.

Numri i përgjithshëm i zhvendosjeve të kryera ishte 8,167, të anuluara 2,271, në pritje janë 83, ndërsa numri i kallëzimeve penale të dërguara në prokurori është 449, theksuan ata gjithashtu.

Meqenëse Agjencia është përgjegjëse edhe për administrimin e pronës, kemi kërkuar statistika edhe për këtë çështje.

“Gjithsej ishin 12.454 prona nën administrimin e Agjencisë, edhe pse në 65 raste bartësi i të drejtës pronësore/pronari i pronës kishte paraqitur kërkesë për ndërprerjen e administrimit. Kur një palë vendos pronën në administrimin e agjencisë, ajo ka mundësinë të hyjë në programin vullnetar të qiramarrjes së pronës. Për gjithsej 1.020 është paguar qiraja, nga të cilat 284 janë prona bujqësore, 7 komerciale dhe 729 prona banesore. Gjithsej 4.112 u përfshinë në programin e qiramarrjes vullnetare dhe 8.342 prona u identifikuan si të papërshtatshme për përfshirje në program për shkak të vendndodhjes së tyre, kushteve të dobëta dhe mosdhënies së pëlqimit nga bartësi i drejtës pronësore për të përfshirë pronën në programin e qiramarrjes vullnetare”, saktësuan ata.

Në pyetjen çfarë shohin si pengesë kryesore për punën e kësaj Agjencie, deklaruan se ishte ndryshimi dhe plotësimi i ligjit që është në pritje për miratim në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që Agjencia të vazhdojë punën e saj.

“AKKVP administron pronën dhe zbaton programin e qirasë jo më vonë se tetëmbëdhjetë (18) muaj nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit për AKKVP, respektivisht deri më 18 maj 2018. Qeveria e Kosovës, ndërkohë, ka miratuar një koncept dokument për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë. Për të dalë nga kjo situatë për shkak të boshllëkut juridik, Agjencia vazhdoi t’u përmbahet rregullave dhe procedurave të brendshme për inspektimin e pronës pas 18 majit 2018, për të parandaluar shpërdorimin e këtyre pronave. Ende pritet votimi në Kuvend për këtë ndryshim dhe plotësim të Ligjit” – thanë ata.

Në 90 për qind të rasteve, të njëjtët persona janë përsëri uzurpatorë

Sidoqoftë, vonesat në Kuvendin e Kosovës nuk janë të vetmet. Raporti i Avokatit të Popullit në Kosovë për vitin 2018 thekson se ndodhin vonesat në kontekst të procedurave gjyqësore, ndërsa shumicën e çështjeve përbëjnë mosmarrëveshje pronësore.

“Nuk mund të mohohet fakti se përmirësimet në aspektin e të drejtave pronësore të personave, të cilëve u është uzurpuar prona, ka treguar një lëvizje pozitive në zgjidhjen e këtij problemi, por ende ekzistojnë një sërë problemesh esenciale në aspektin e gëzimit paqësor dhe pasjes në dispozicion të pronës së paluajtshme private, me të cilat ballafaqohet një numër i madh i qytetarëve. Ende është shqetësues uzurpimi i vazhdueshëm kundërligjor i pronës private të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në .
Kosovë, por edhe pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në veri të Kosovës” – thuhet në këtë raport.

Avokati i Popullit, thuhet, ka pranuar dhe regjistruar një numër të ankesave në lidhje me uzurpimin dhe/ose ri-uzurpimin e pronave të paluajtshme, të cilat janë në procedurë përpara organeve gjyqësore, qoftë si lëndë penale të uzurpimit të pronës së paluajtshme ose si lëndë kontestimore, por të cilat ende nuk janë zgjidhur në një afat të arsyeshëm, siç theksohet se është përcaktuar me Nenin 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ).

Alleksandra Dimitrijeviq (Aleksandra Dimitrijević) nga Zyra rajonale e Avokatit të Popullit në Graçanicë, përndryshe juriste me eksperiencë shumëvjeçare në çështjen e pronës së uzurpuar, thotë se uzurpimi i vazhdueshëm i pronës private ende paraqet shqetësim.

Kjo pyetje kërkon një përgjigje të vendosur nga pushteti, i cili duhet të garantojë mbrojtje të plotë të të drejtave pronësore si të drejtave themelore të njeriut për të gjitha komunitetet në Kosovë, vlerëson ajo.

“Sidoqoftë, përgjigjja e vendosur mungon jo sepse ligjet janë të këqija ose për shkak të mungesës së kapaciteteve për të realizuar këtë problem, por për shkak të moskonsistencës në zbatimin e ligjit, si dhe dënimeve të buta që u janë shqiptuar uzurpuesve të pronës në procedurë penale”, sqaron Dimitrijeviq për CBS.

E mësuar nga përvoja e deritanishme, Dimitrijeviq beson se është e nevojshme që organet gjyqësore të reagojnë më ashpër jo vetëm ndaj uzurpimit, por edhe të ri-uzurpimit, pasi që, në 90% të rasteve, të njëjtët persona përsëri uzurpojnë:

Numri i përgjithshëm i pronave të uzurpuara përsëri, që janë iniciuar para prokurorive kompetente ka arritur në 449 – të dhëna nga AKKVP. Nga ky numër, 327 lëndë janë vendosur para gjykatave themelore/komunale dhe 122 lëndë janë në pritje në prokuroritë ose gjykatat themelore. Megjithatë, ata shtojnë se edhe numri i uzurpimeve ka filluar të bie ndër vite, kështu që, për shembull, në 2015 ishin 157, në vitin 2016 – 212 raste, ndërsa në 2017 ishin 133 dhe në 2018 17. AKKVP deklaron se përparimi është bërë “falë përfshirjes së Agjencisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet përkatëse”.

“Atyre u shqiptohet vetëm gjobë, ndërsa në rastet e caktuara që kishim, gjykata nuk ka urdhëruar dëbimin e këtyre personave nga prona e uzurpuar, por e ka referuar palën e dëmtuar në kontest, ku ata do të padisin për largimin e personave dhe sendeve nga prona e tyre, që është një proces i gjatë. dhe i cili zgjat mesatarisht 6 vjet në shkallë të parë, 4-5 në shkallën e dytë, dhe më pas zvarritet me mospërmbarim për shkak të faktit se procedura tani është marrë përsipër nga përmbaruesit privatë të cilët nuk kanë dëshirë të punojnë lëndë të tilla. Derisa gjykatat merreshin me përmbarimin pritej për disa vjet, sepse deri në kohën kur përmbaruesit privat filluan të punojnë, në lëndët e përmbarimit punonte një numër i vogël i gjyqtarëve të cilët punonin një numër të madh lëndësh”.

Problemi është i natyrës sistematike, thotë, duke theksuar se gjykatat kompetente duhet t’i trajtojnë rastet e tilla me prioritet dhe kujdes të veçantë:

“Sepse vetëm e drejta e pronësisë vetëm është një e drejtë absolute e njeriut dhe si e tillë është e patjetërsueshme dhe gëzon mbrojtje të veçantë nga vetë shteti. Gjykatat duhet të identifikojnë, t’i zgjidhin me prioritet, gjykatat e shkallës së dytë duhet t’u japin prioritet këtyre lëndëve, pa marrë parasysh nëse është fjala për pengimin e pronës, uzurpim të pasurisë, largim të personave dhe sendeve nga patundshmëria, kthimi i patundshmërisë në posedim etj. Këto janë të gjitha janë padi të titulluara në mënyra të ndryshme në gjykata, por në 90% të rasteve kanë të bëjnë me uzurpimin e mëparshëm të pronës, dhe të cilat pronarët e patundshmërive nuk mund t’i përdorin ose disponojnë as pas 20 vjetësh nga përfundimi i konfliktit – që është zhgënjyese nga këndvështrimi i drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit në përgjithësi”.

Kur u pyet çfarë mund të bëjnë qytetarët kur bëhet fjalë për uzurpimin e pronës, respektivisht nëse ata mund t’i drejtohen Zyrës së Avokatit të Popullit, Dimitrijeviq sqaron se qytetarët së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet ligjore në dispozicion të tyre.

“Avokatit të Popullit gjithmonë mund t’i drejtohen për këshillë juridike nëse nuk e dinë se kujt t’i drejtohen së pari për të zgjidhur këtë problem. Gjithashtu, ata mund të na drejtohen nëse kanë vërejtje në punën e prokurorisë në kuptimin që kallëzimi penal është hedhur poshtë, se ka kaluar shumë kohë në procesin e hetimit”, shtoi Dimitrijeviq, duke përmendur shembullin e një rasti në Prizren.

Pas letrës së rekomandimit nga Avokati i Popullit, Prokuroria Themelore ndërmori veprimet specifike të përshkruara në rekomandim dhe ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore për veprime të mëtejshme. Më parë, kallëzimi kishte qëndruar e pazgjidhur për dy vjet në prokurori.

“Kur bëhet fjalë për procedurat gjyqësore, qytetarët mund të paraqesin një ankesë për kohëzgjatjen e procedurave në padinë e tyre nëse lënda është në gjykatë dhe nuk është trajtuar as pas një viti të paraqitjes së saj, si dhe për punën e përmbaruesve privat nëse ata refuzojnë të punojnë në lëndët e dëbimit të uzurpuesit nga patundshmëria e uzurpuar etj”, thotë Dimitrijeviq.

Por, vendimet dhe aktvendimet e Avokatit të Popullit nuk janë të përmbarueshme.
“AP nuk ka një mekanizëm përmbarues për përmbarimin e detyrueshëm të rekomandimeve, por varet nga vetë institucionet – nëse dëshirojnë dhe në çfarë mase jo vetëm të zbatojnë rekomandimet tona, por vetë ligjin, sepse rekomandimet tona bazohen në zbatimin e ligjeve në fuqi në Kosovë. Kështu, sipas të dhënave për vitin 2018, janë zbatuar 38% të rekomandimeve, 11% nuk janë zbatuar, ndërsa 51% e rekomandimeve janë ende në pritje të zbatimit.

Mënyrat e uzurpimit të pronës si inspirim për doktoraturat e ardhshme

Sipas raporteve të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë, transaksionet mashtruese, kontratat e falsifikuara të shitblerjes, autorizimet e falsifikuara – janë disa nga mënyrat më të zakonshme të uzurpimit të pronës në Kosovë.

“Që nga viti 1999 deri sot është një nga çështjet më aktuale juridike në Kosovë. Në çfarëdo mënyre mund të vihej deri të prona. Njerëzit nuk guxonin të udhëtonin për Kosovë, nga ana tjetër, deri në vitin 2002-2003 ishte e lejuar që autorizimet e shitjes së pronës të mund të vërtetoheshin para gjykatave serbe. Gati secili qytet kishte praktikisht një grup të organizuar që bënte këtë dhe përpilonte autorizime të falsifikuara dhe shiste pronën. Me kalimin e kohës kjo u zbulua, njerëzit filluan të padisin dhe të procesoheshin këto raste”, thotë avokati na Mitrovica e Kosovës, Dejan A. Vasiq (Dejan A. Vasić).

Si avokat, ai merr pjesë në një projekt shumëvjeçar të ndihmës juridike falas të cilin e implementon një Konsorcium në krye me Grupin evropian për konsalting. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian me mbështetjen e Zyrës për Kosovës dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë. Me çështjen e pronës është marrë edhe para se të merrte pjesë në projekt.

Proceset gjyqësore, kur bëhet fjalë për pronën, thekson, në përgjithësi janë më të gjata, duke shpjeguar disa nga arsyet për këtë:

“Le të themi se kemi një çështje të autorizimit të falsifikuar, se duhet të kontrollohet nëse me të vërtetë është vërtetuar në gjykatën në Krushevc dhe më pas gjykata e Kosovës, para së cilës zhvillohet procedura, duhet t’i drejtohet institucioneve serbe”.

Ai më tej sqaron se një verifikim i tillë kërkon shumë kohë, pasi kalon nëpër një procedurë të gjatë të njoftimit dhe dërgimit të kërkesës në disa ministri të Serbisë, që më pastaj përgjigja të kthehet përmes të njëjtës rrugë.

“Vetëm ky proces i verifikimit të autorizimit mund të zgjasë shumë kohë, nga njëra anë. Nga ana tjetër, ka ndodhur që gjykatat për shkak të vëllimit të punës, për shkak se nuk mund t’i ftojnë të dy palët – ato lëndë të zvarriten dhe të zgjasin shumë. Janë disa që zgjasin edhe për 20 vjet”, shpjegon Vasiq për CBS.

Raporti Statistikor i Gjykatave Themelore në Kosovë për Gjashtë muajt e Parë të vitit 2019:
Numri i lëndëve të pazgjidhura në fillim të periudhës së raportimit – 211.090
Numri i lëndëve të pranuara në punë gjatë PR – 44.028
Numri i lëndëve në punë gjatë PR – 255.118
Numri i lëndëve të zgjidhura gjatë PR – 66753
Numri i lëndëve të pazgjidhura në fund të PR – 188.260
Lëndët e bartura – 105.

Numri i gjyqtarëve në gjykatat themelore në Kosovë, sipas të njëjtit raport, është “218,5”, me përjashtim se gjyqtarët për kundërvajtje janë përfshirë.
Të dhënat për Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut dhe degët e saj nuk janë përfshirë. Emri i kategorive është marrë nga raporti.

Mu këto janë pengesat më të mëdha në procese të tilla, thotë Vasiq.

Ai gjithashtu vlerëson se pikërisht duke iu falënderuar sistemit të ndihmës juridike falas dhe punës së avokatëve me përvojë çështja e uzurpimit është institucionalizuar dhe është adresuar në mënyrë sistematike dhe sistemore.

Në pyetjen për mënyrat e uzurpimit në të cilat ka hasur gjatë praktikës së tij shumëvjeçare, përgjigjet se lëndët e uzurpimit të pronës në Kosovë përmbajnë “doktorata të ardhshme për avokatët e të drejtës reale”.

“Për shkak të të gjitha mënyrave si është tjetërsuar prona dhe të gjitha atyre çfarë iu ra ndërmend uzurpuesve, si kanë lënë jashtë trashëgimtarët nga procesi i trashëgimisë, falsifikuar, bartur nga njëri në tjetrin. Është një thesar i tërë i mënyrave me të cilat mund të abuzohet me ligjin për të drejtën trashëgimore. Unë mendoj se kësaj çështje duhet dhënë rëndësinë edhe më të madhe në aspektin juridik, pavarësisht nga kombësia, sepse është e pabesueshme ajo që bëhej” shpjegon ky avokat.

Si shembull të uzurpimit përmend rastin e prishjes së shtëpisë së familjes Marushiq (Marušić) në Klinë.

“Ne jemi në pritje të aktgjykimit të shkallës së parë. Në atë ngastër u ndërtua ndërtesa për veteranët e UÇK-së. Kërkuam kompensim dëmi për shtëpinë e rrënuar. Komuna nuk ka zbatuar procedurën ashtu si duhet pasi ka munguar vendimi për rrënim. Komuna mori një vendim të cilin asnjëherë nuk e kemi pranuar, as nuk e kemi parë. Vendimi duhet të jetë marrë dhe pala ka të drejtë ankese ndaj tij. Familja ishte në Klinë në atë kohë dhe kishe mundësi të ju dorëzohej vendimi, e nëse jo, komuna është dashur ta vendoste në tabelën e njoftimeve”, thekson Vasiqi.

Që mënyrat e uzurpimit janë të llojllojshme nuk jemi bindur vetëm nga rastet e sipërpërmendura. Një tjetër, në cilin po ashtu patëm qasje, është për shkak të uzurpimit të një pjese të pronës private nga Komuna e Prishtinës, i cili pjesërisht ka arritur para Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Kjo dhomë ndryshe merret me pronën shoqërore.

Sidoqoftë, para kësaj Dhome të Gjykatës është një numër tejet i madh i lëndëve të pazgjidhura, ndërsa numër më të madh zënë lëndët e vjetra.

Gjykata Supreme për CBS thotë se pengesa më e madhe për punën e Dhomës së Posaçme është “numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve dhe stafit administrativ”.

DHPGJS aktualisht ka 11 gjyqtarë për dy shkallë gjyqësore dhe presin, shtojnë ata, që gjatë këtij viti të emërohen edhe nëntë gjyqtarë shtesë.

Si rrjedhojë edhe rastet si i lartpërmenduri, edhe pse para Gjykatës, është në pritje.

Durim” për drejtësi

“Kam thënë se nuk e shes pronën derisa të përfundojë procesi sepse ata janë të sigurt se do ta humbasin pasi hallka e parë është një falsifikim”, thotë Ivan Petroviq.

Betejën gjyqësore, pasi babai dhe xhaxhai i vdiqën nga një sëmundje të rëndë – e bën vetë.

“Edhe sot pallati i tyre është në tokën time, e gjithë prona është uzurpuar”, kujton Renata Millosavleviq.

Bashkëbiseduesit tanë do të kalojnë kohën e tyre duke pritur në salla gjykatash, një siguri më të mirë, vullnetin e uzurpatorëve, një përgjigje më të vendosur nga institucionet – të cilët as pas njëzet vjetësh nuk kanë arritur të përmbushin të drejtën absolute dhe të patjetërsueshme të njeriut.

Artikulli u shkrua në kuadër të projektit “Zhvillimi i gazetarisë hulumtuese te gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë”, të cilin e zbatojnë CBS dhe InTER. Ky grant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë”, të cilin e financon Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhon Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Artikulli është përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e CBS dhe InTER.

Përktheu: Bruno Neziraj

Leave a Reply

Your email address will not be published.