Puna praktike si punë pa pagesë e lejuar me ligj

FOTO: Crno beli svet

A ju duhet e drejtë që personi të punojë 8 orë në ditë, pesë ditë në javë, për 6 muaj ose më gjatë dhe për këtë angazhim të mos pranojë kurrfarë kompensimi nga punëdhënësi, përderisa personi tjetër, i cili kryen po të njëjtën punë të paguhet, tek punëdhënësi i njëjtë apo një tjetër? Na e merr mendja se përgjigjja e shumicës në këtë pyetje është – jo, nuk është e drejtë. Edhe pse e padrejtë, nëse është fjala për aftësim profesional – nuk është e ndaluar me ligj.

Me këtë problem më së shpeshti ballafaqohen ata për të cilët kryerja e praktikës ose dhënia e provimit profesional – paraqet kusht për punë të pavarur në profesion. Në veçanti bie në sy te stafi mjekësor, po ky problem nuk anashkalon as profesionet tjera në gjyqësor ose administratë shtetërore që funksionojnë në kuadër të sistemit të Republikës së Serbisë. Me të njëjtin problem ballafaqohen edhe personat, të cilët pas përfundimit të arsimit kryejnë praktikën profesionale në institucionet në Kosovë e të cilat funksionojnë në sistemin e Serbisë.

Ligji i punës i RS-së lejon dy mënyra të kryerjes së praktikës profesionale pas përfundimit të arsimit formal. E para realizohet me punë stazhi, ndërsa e dyta me aftësim profesional. Këto dy lloje kanë dallime të mëdha, sqaron për CBS-në bashkëpunëtori i Institutit për të Drejtën Krahasimtare, Mario Reljanović [Mario Relanoviq].

“Në rastin e parë lidhet një lloj i veçantë i kontratës së punës me stazhierin. Kjo nënkupton se personi i cili lidh kontratë me punëdhënësin mund t’i gëzoj të gjitha të drejtat nga marrëdhënia e punës, si të punësuarit e tjerë. I vetmi dallim ka të bëjë me pagën bazë, e cila mund të jetë paksa më e ulët se ajo që e marrin të punësuarit e tjerë (të cilët nuk janë stazhierë) në punët e njëjta, ndërsa më së paku mund të jetë 80% të pagës së tyre bazë. Të gjitha të drejtat tjera stazhieri i gëzon barabartë me të punësuarit tjerë, kështu që për shembull, ka të drejtën e orarit të shkurtuar të punës, pagesën për punë jashtë orarit, pushim vjetor e ngjashëm”, thekson Relanoviq.

Në rastin tjetër lidhet një kontratë për aftësim profesional, që nënkupton punë jashtë marrëdhënies së punës.

“Për dallim nga stazhimi, Ligji i punës i RS-së shumë dobët rregullon këtë lloj të punës, me vetëm një nen. Sipas zgjidhjes ligjore, punëdhënësi nuk është i detyruar të siguroj madje asnjë të drejtë nga marrëdhënia e punës, përveç atyre që përcaktohen me ligj të veçantë (siç është e drejta për siguri në punë, e drejta për sigurim shëndetësor me fushëveprim të kufizuar). Nëse punëdhënësi nuk përcakton ndryshe, personi në aftësim profesional nuk gëzon asnjë të drejtë tjetër, përfshi pagën. Prandaj, këta persona më së shpeshti njëjësohen me vullnetarët edhe pse nuk janë. Edhe ata janë stazhier, por jashtë marrëdhënies së punës”, sqaron Relanoviq.

Ligji i punës së RS-së nuk bën dallimin ndërmjet profesioneve dhe lejon lidhjen e kësaj kontrate për kryerjen e punës së stazhimit, respektivisht të dhënies së provimit profesional, kurdo që një gjë e tillë është e paraparë me ligj ose rregullore si kusht i veçantë për punë të pavarur në atë profesion.

Relanoviq thekson se këto kontrata më së shpeshti paraqiten tek stafi mjekësor, prandaj, disi edhe njëjësohen me ta, porse ky lloj i stazhierëve ekziston edhe në profesionet tjera, madje edhe në administratën shtetërore, në veçanti në gjyqësor.

Kështu, për shembull mund të ndodh se këta persona mund të punojnë pa kurrfarë kompensimi në një institucion shtetëror, ndërsa në tjetrin, nëse menaxhmenti i institucionit vendos ashtu ose nëse me akt të përgjithshëm (rregulloja e punës ose kontrata kolektive) parasheh këtë, ata mund të paguhen njëjtë ose gati njëjtë si kolegët në marrëdhënie pune. Dallimi në pozitën e tyre, pra, varet ekskluzivisht nga punëdhënësi, shton ai.

Megjithatë, thekson se në praktikë ndodhin shembuj ku punëdhënësit paguajnë personat në aftësim profesional kur në buxhetin e institucionit shëndetësor ka para, ndërsa kur nuk ka, këta persona nuk marrin kompensim.

“Kjo zakonisht është joligjore, në veçanti nëse paraprakisht nuk ndërrohet kontrata të cilën personi e ka lidhur institucionin shëndetësor. Megjithatë, është fakt se Ligji i punës ua ka lënë të gjitha autorizimet punëdhënësve që të rregullojnë këtë marrëdhënie ashtu siç iu konvenon”, nënvizon Relanoviq.

Në veçanti thekson se një numër tejet i vogël i shteteve lejon “punë pa pagesë”, respektivisht punë pa asnjë kompensim: “Në shumicën e vendeve stazhierët kanë pozitë të ngjashme me stazhierët në Serbi që janë në marrëdhënie pune”.

Relanoviq konsideron se ky sistem nuk është i drejtë:

“Pasi ky lloj i kontratave është gati unik, siç e theksova, në pjesën më të madhe të shteteve çdo lloj i punës pa pagesë nuk është i lejuar (përveç nëse është rasti për punën klasike vullnetare) dhe ky lloj i angazhimit në punë konsiderohet si eksploatim i padrejtë në punë, në procesin e harmonizimit të të drejtës vendore të punës me akitë evropiane do të duhet të mënjanohen të gjitha llojet e punës jashtë marrëdhënies së punës, e me këtë edhe kontrata për aftësim profesional”.

Bashkëbiseduesi jonë thotë se mund të pritet që ligji i ri i punës i RS-së, miratimi i të cilit është paralajmëruar për vitin 2022, do të përmbajë aftësimin profesional vetëm si pjesë të marrëdhënies së punës, me çka të gjithë praktikantët do të barazoheshin dhe gëzonin të drejtat themelore të punës.
“Gjithsesi mendoj se njerëzit në përgjithësi nuk njohin aq sa duhet të drejtat e tyre dhe se shumë lehtë pranojnë ngushtimin e tyre “pasi ashtu duhet” ose “të gjithë bëjnë ashtu”.

Kësaj patjetër i ka kontribuar qëndrimi dashamirës i shtetit ndaj punëdhënësve që shkelin të drejtat e punës, por edhe i gjithë kompozimi i politikës ekonomike i cili bazohet mbi tërheqjen e investimeve të huaja duke siguruar përfitime të ndryshme për investitorët, ndër të tjera edhe të fuqisë punëtore të rrezikuar dhe pak të mbrojtur”, shton Relanoviq.

Keqpërdorimi i kontratave për aftësim profesional, siç thekson, para së gjithash ekziston në sektorin publik.

“Shteti nuk është i interesuar të ndryshoj statusin e keq juridik të punës së këtyre personave pasi me këtë do të hiqte dorë nga punëtorët falas, në të cilët mund të mbështetet tani. Publiku, nga ana tjetër, nuk është i njoftuar me këtë problem, e as nuk është shumë i interesuar, pasi është fjala për një nga zgjidhjet e shumta të këqija të sistemit në legjislacionin e punës. Nga ana tjetër, organizatat që merren me të drejtat e punës kanë vënë theksin në këtë problem në mënyrë sporadike (përfshi edhe sindikatat), por deri më tani nuk kishte aktivitete më të mëdha e të koordinuara të animimit të publikut, jo për aq sa unë kam njohuri”, deklaron Relanoviq.

Shërbimi kombëtar i punësimit i RS-së me programet e aftësimit profesional i mundëson një numri të personave që gjatë kryerjes së aftësimit profesional të marrin edhe kompensim monetar.

Sipas ftesës publike për realizimin e programeve të praktikës profesionale në vitet 2019 dhe 2020, të papunët e përfshirë në program gëzonin të drejtën për ndihmë financiare në shuma të caktuara, varësisht nga niveli i shkollimit.

Kështu, në vitin 2019 personat me shkollim të mesëm të përfshirë në këtë program gëzonin të drejtën për ndihmë financiare në shumë prej 16.000 dinarë [sh.p. rreth 130 euro], me shkollim të lartë ose universitar trevjeçar 18.000 dinarë [sh.p. rreth 145 euro], përderisa personat me shkollim universitar katërvjeçar merrnin nga 20.000 dinarë [sh.p. rreth 160 euro]. Gjatë vitit 2020 këto shuma u rritën në 20.000, 22.000 dhe 25.000 dinarë [sh.p. rreth 160, 175 dhe 210 euro], thuhet në përgjigjen që kemi pranuar nga Shërbimi kombëtar i punësimit në Beograd.

Në institucionet të cilat në Kosovë funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë që nga fillimi i vitit 2019 deri më 31 korrik 2020 gjithsej 716 persona ishin të përfshirë në programet e aftësimit profesional, nga të cilët 520 në institucionet në jug të Ibrit, ndërsa 196 persona ishin të angazhuar në institucionet në veri, janë të dhënat të cilat ia ka dërguar Shërbimi kombëtar i punësimit CBS-së.

Prej tyre, 276 persona kanë bërë punën praktike në institucione shëndetësore, 245 në jug të Ibrit e 31 persona në veri.

Deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk kemi pranuar këto informata nga filiali i SHKP-së në Mitrovicë, e as përgjigje në pyetjen se si bëhet përzgjedhja e kandidatëve, respektivisht cilat janë kriteret për kryerjen e praktikës profesionale të financuar nga SHKP-ja.

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Leave a Reply

Your email address will not be published.