Connect with us

Shqip

Raporti i EULEX-it për gjendjen e gjyqësorit në Kosovë

Avatar

Published

on

Nga janari 2019 deri në dhjetor 2020, Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, monitoroi 686 seanca dëgjimore, përfshi raste të profilit të lartë, krimeve të luftës, dhunës me bazë gjinore, krimeve të urrejtjes, korrupsionit… Si rrjedhojë janë publikuar katër raporte mbi gjendjen e gjyqësorit në Kosovë me gjetje dhe rekomandime për autoritetet e Kosovës me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve për mangësitë e identifikuara, në mënyrë që të përmirësohet sistemi ligjor. Tri raportet e para iu dorëzuan Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës, Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor dhe institucioneve të tjera përkatëse dhe organizatave ndërkombëtare, ndërsa ai i fundit, raporti i katërt, i botuar para pak kohësh, iu vu në dispozicion edhe publikut në Kosovë.

Për qëllimet e këtij raporti, EULEX monitoroi 107 raste dhe 312 seanca dëgjimore nga shtatori 2019 deri në mes të marsit 2020.

Në rastin e seancave dëgjimore, ekziston një trend i vazhdueshëm i dëgjimeve më produktive sesa joproduktive.

Nga 287 raste të monitoruara, 67 janë joproduktive, respektivisht 23% krahasuar me 29% në periudhën e mëparshme raportuese. Arsyeja kryesore për joproduktivitetin e seancës është mungesa e të pandehurit (36%). Rekomandimi i EULEX-it është që prokurorët duhet të mbajnë përgjegjësi nëse mungojnë pa arsye ose janë të papërgatitur. Gjyqtarët duhet të raportojnë rregullisht për numrin e seancave joproduktive dhe masat e marra, si dhe të zbatojnë masat penale dhe disiplinore të parashikuara në Kodin e  Procedurës Penale.

Sa i përket rasteve të profilit të lartë, është bërë përparim në kontekstin e nxjerrjes së aktgjykimit kur bëhet fjalë për këto raste. Megjithatë, disa raste të tilla janë ende të pazgjidhura. Rekomandohet që gjykatat ta bëjnë të mundur që gjykimet të mos shtyhen.

Kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit, janë vërejtur përpjekje të vazhdueshme për të ndjekur penalisht qytetarët që janë kthyer nga zonat e luftës në Siri. Gjithashtu, një tjetër tipar është zbatimi i shpejtë i drejtësisë, dënimet relativisht të ulëta ose me kusht.

Gjetjet që kanë të bëjnë me politikën e rigjykimit tregojnë se një numër relativisht i madh i rasteve u kthye nga Gjykata e Apelit në gjykatat themelore për rigjykim. Udhëzimet e paraqitura në aktgjykimet e Gjykatës së Apelit, me të cilat urdhërohet rigjykimi nuk janë gjithmonë mjaft të sakta, për këtë arsye ato lënë hapësirë për interpretim. Janë vërejtur vonesa të konsiderueshme në përgatitjen dhe dorëzimin e aktgjykimeve për rigjykim nga Gjykata e Apelit. Rekomandohet që Gjykatat e Apelit të shmangin anulimin e panevojshëm të aktgjykimeve, si dhe kthimin e panevojshëm të aktgjykimeve për rigjykim. Duhet përmirësuar cilësia e aktgjykimeve, me theks të veçantë në nevojën për një harmonizim më të mirë të dispozitave me arsyetimin e aktgjykimeve.

EULEX-i ka gjetur që Gjykata Themelore caktojnë rastet që janë rikthyer për rigjykim tek i njëjti gjyqtar kryesues ose paneli gjyqësor. Megjithëse një praktikë e tillë mund të vlerësohet pozitivisht nga pikëpamja e efikasitetit, po ashtu ngre shqetësime në lidhje me paanësinë gjyqësore. Theksohet që Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të vlerësojë praktikën aktuale gjyqësore dhe pasojat e saj.

Kur bëhet fjalë për praktikën e pyetjeve të tërthorta në gjykime, u vu re zbatimi jo konsistent i parimit të pyetjeve të tërthorta, me ç’rast shumica e pyetjeve të parashtruara nga palët tejkalonin fushën e pyetjeve të tërthorta, gjë që rezultoi me zgjatjen e procedurave penale. EULEX thekson se palët kanë përgjegjësinë e tyre për zhvillimin e duhur të pyetjeve të tërthorta.

Janë vërejtur edhe jokonsistenca në praktikën e shpalljes së aktgjykimeve, gjë që kërkon trajnim më efikas të gjyqtarëve.

Sa i përket paraburgimit, EULEX vërejti mbështetjen e tepruar në masën e sigurisë të ndaljes në paraburgim, ndërsa në disa raste rezultoi në zëvendësimin e një dënimi të mundshëm, gjë që ne fakt është shqetësuese. EULEX në raportin e vet thekson se është e nevojshme që kërkesat e prokurorisë për paraburgim të arsyetohen me fakte konkrete në mënyrë që i pandehuri të kuptojë vendimin.

Fakti që prokuroria shpesh përdor konfiskimin e përkohshëm të pasurisë u vlerësua si pozitiv. Sidoqoftë, Ligji i për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pronës i vitit 2019 nuk është zbatuar ende. EULEX rekomandon që të fillohet zbatimi i Ligjit në fjalë, si dhe të shfrytëzohet më shpesh mundësia e shitjes së pasurisë së konfiskuar.

Kur bëhet fjalë për funksionimin e Departamentit Special në Gjykatën Themelore dhe Gjykatën e Apelit në Prishtinë, EULEX vlerëson si pozitiv vetëm faktin se ka filluar punën. Gjithashtu, vendimi për të mos organizuar gjyqtarët në panele fikse është gjithashtu pozitiv dhe në pajtim me vërejtjen e mëparshme të EULEX-it. Rekomandimi në këtë raport është që të rritet numri i gjyqtarëve në pajtim me dispozitat ligjore për diversitetin etnik, si dhe të rekrutohen staf shtesë ndihmës dhe të rritet numri i përkthyesve shqip/serbisht.

Sa i përket anti-korrupsionit, Task Forca për Antikorrupsion në Policinë e Kosovës ia kishte dal të zbulojë dhe të ndërmarrë hetime të profilit të lartë që përfshinin individë të shquar si dhe figura politike. Këto janë raste të ndërlikuara financiare, siç janë privatizimi dhe tenderët publik. Nga ana tjetër, niveli i bashkëpunimit polici-prokurori mbetet shqetësues. Disa gjetje tregojnë mungesë transparence dhe llogaridhënie të prokurorisë ose hezitim të saj për të përmbushur rolin e vet mbikëqyrës. EULEX rekomandon duhet që të përmirësohet bashkëpunimi midis policisë dhe prokurorisë në rastet e anti-korrupsionit dhe krimeve të rënda financiare. Përkundër faktit se shumë hetime kryhen në mënyrë profesionale, çështjet komplekse financiare do të përfitonin nga një hetim më energjik.  Për më tepër, Grupi Punues për Antikorrupsion në Policinë e Kosovës duhet të forcohet.

Me mbështetjen e EULEX-it, Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës ka krijuar një bazë të re të dhënash për të administruar më mirë rastet komplekse dhe për të mundësuar analiza cilësore të rasteve. Baza e të dhënave mundëson kontrollimin e kryqëzuar të dosjeve të krimeve të luftës dhe dosjeve të personave të zhdukur, gjë që në masë të madhe lehtëson dhe përshpejton procesin e krijimit të lëndëve. Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës ka kryer një numër hetimesh. Sidoqoftë, ka edhe raste kur shqyrtimi kryesor kishte tejkaluar çdo afat të arsyeshëm kohor. Rekomandohet që Policia e Kosovës të bëjë përpjekje për të vazhduar hetimin dhe analizën e të gjitha rasteve të krimeve të luftës që janë karakterizuar si krime me prioritet të lartë.

Kur bëhet fjalë për krimet e urrejtjes, gjetja e EULEX-it tregon se zbatimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim në Luftimin e Krimeve të Urrejtjes në Kosovë është larg nivelit të kënaqshëm të zbatimit. Diskriminimi dhe dhuna ndaj pakicave në Kosovë mbetet një çështje shqetësuese, veçanërisht sa i përket komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Këto probleme veçanërisht prekin gratë. Jotoleranca ndaj personave LGBTI është akoma e përhapur dhe shumë persona LGBTI janë ende të rrezikuar nga diskriminimi dhe dhuna. Incidentet për arsye fetare janë gjithashtu të zakonshme dhe në shumë raste hetimet e këtij lloji nuk paraqiten si prioritet. Rekomandimi i EULEX-it është të sigurohet bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional në këtë fushë, por edhe të ketë qasje më energjike në zgjidhjen e problemit të jotolerancës ndaj personave LGBTI dhe zbardhjen e krimeve që kanë të bëjnë me shkatërrimin e objekteve fetare dhe shkrimin e grafiteve ofenduese.

Në lidhje me dhunën me bazë gjinore, EULEX vëren një hap pozitiv përpara në krijimin e një baze të të dhënave për rastet e dhunës në familje. Sidoqoftë, përderisa Policia e Kosovës udhëheq procesin e futjes së informatave në bazën e të dhënave, institucionet e tjera nuk janë duke lëvizur. Vërehet edhe një përmirësim në punën e Policisë së Kosovës, e cila para se gjithash ka të bëjë me referimin e viktimave të dhunës seksuale në institucionin përkatës që merret me mbledhjen e provave. Përkundër kësaj, niveli i komunikimit midis policisë dhe prokurorisë dhe mungesa e stafit të trajnuar vazhdon të jetë problem. Rekomandohet që të bëhen përpjekje për të miratuar Ligjin për Mbrojtjen në Rastet e Dhunës në Familje. Të gjitha institucionet relevante duhet të kontribuojnë në ndërtimin e një baze të të dhënave kur bëhet fjalë për dhunën në familje. Komunikimi midis policisë dhe prokurorisë duhet të përmirësohet. Në fund, është e nevojshme që policia të trajnohet dhe përgatitet më mirë në mënyrë që të jetë në gjendje të qaset në biseda me viktimat e dhunës në mënyrë më adekuate, si dhe të mbledhë provat teknike në mënyrë adekuate.

Numri i zyrtarëve ligjorë mbetet i pamjaftueshëm për të zgjidhur më shumë se 22 000 çështje të pazgjidhura. Nuk janë mbajt shumë seanca dëgjimore në Dhomën e Posaçme e Gjykatës Supreme (DHPGJS). EULEX vlerëson si pozitiv vendimin e gjyqtarit mbikëqyrës që dy punonjës nga Regjistri të ofrojnë ndihmë në zgjidhjen e çështjeve të privatizimit. Rekomandohet që Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të miratojë një strategji afatgjatë për zgjidhjen e rasteve e pazgjidhura. Gjithashtu, duhet të emërohen zyrtarët ligjor për kryerjen e punëve të nevojshme përgatitore, si dhe të punësohen zyrtarë shtesë për ndihmë ligjore.

Problemi kryesor me çështjet civile që kanë të bëjnë me të drejtat pronësore është se zgjasin tejet shumë për arsye të ndryshme. EULEX rekomandon që Administrata Gjyqësore të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të adresuar çështjet civile të pazgjidhura dhe caktimin e çështjeve gjyqtarëve. Gjyqtarët që merren me zgjidhjen e këtyre çështjeve duhet të kenë parasysh se ka dispozita në Ligjin për Procedurën Kontestimore që mund të zbatohen me qellim të shkurtimit të kohëzgjatjes së procedurave.

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Preporučeno