Connect with us

Shqip

Rezultate e zgjedhjeve në Kosovë – frustrimet e qytetarëve për shkak të establishmentit politik, mandat i qartë për ndryshime

Avatar

Published

on

Fituesi absolut i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë gjithsesi është Lëvizja Vetëvendosje. Sipas rezultateve të cilat janë ende preliminare, kjo Lëvizje ka fituar gati 50 përqind të votave. Lista Serbe, tashmë si diçka standarde, kishte numrin më të madh të votave në mjediset serbe. Megjithatë, pas Vetëvendosjes janë partitë të cilat për 20 e fundit ishin në majat e pushtetit – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa NISMA e Fatmir Limajt nuk ka kaluar pragun për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.

Ramadan (Dan) Ilazi, hulumtues i lartë në Qendrën kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) vlerëson për Crno-beli svet se rezultatet e zgjedhjeve të së dielës nuk ishin befasi.

“Këto rezultate janë manifestim i frustrimit shumëvjeçar në mesin e qytetarëve të Kosovës për shkak të establishmentit politik. Mbështetja e jashtëzakonshme për Vetëvendosjen paraqet mandat të qartë për ndryshime në udhëheqjen e vendit, si dhe potencial për kalim në epokën e re të kulturës politike që do të sillte më shumë mundësi për liderët e rinj. Mbetet të shihet nëse një tranzicion i tillë do të ndodh me të vërtetë”, sqaron ai.

Ai vlerëson se zgjedhjet njëkohësisht kanë prodhuar stabilitet dhe parashikueshmëri për qeverinë e re, duke ritheksuar se Kosova ka humbur kohën e çmuar me zgjedhjet e shumta të mbajtura në të kaluarën.

Nga ana tjetër, nënvizon se brenga e tij është popullizmi në rritje në zgjedhje dhe pritjet joreale që janë krijuar.

“Është e rëndësishme që qeveria e ardhshme të administroj me efikasitet pritjet e tilla dhe t’ia thotë të vërtetën qytetarëve”, konkludon ai.

Ilazi në veçanti thekson se zgjedhjet e së dielës ishin një paraqitje e shkëlqyer e demokracisë në Kosovë. “Duhet përshëndetur organizimin e zgjedhjeve, si dhe pjesëmarrjen dhe sjelljen e qytetarëve. Të gjitha partitë politike të përfshira po ashtu kanë treguar pjekuri politike. Këto janë elemente të rëndësishme që duhet theksuar, pasi janë indikatorët kyç të demokracisë”, shton ai. Përveç se, siç vlerëson Ilazi “ajo çfarë kemi parë duke ndodhur në Kosovë është e pamundur të përsëritet diku tjetër në rajon”.

Ndryshimi i ambientit politik

Duke marrë parasysh rezultatet, parashtrohet pyetja nëse ato paraqesin ndryshim edhe kur flitet për mjedisin politik në Kosovë.

Ilazi beson se ka të bëjë me ndryshimin e ambientit politik. Ai thotë se votuesit kanë hequr dorë nga terminologjia dhe parullat e vjetruara, por njëkohësisht nuk është i sigurt nëse “partitë politikë që do ta përbëjnë opozitën e ardhshme me të vërtetë dëgjojnë këto mesazhe të qytetarëve”.

“Ajo që është më e rëndësishmja është se zgjedhjet e së dielës njëkohësisht dhe potencialisht mund të ndryshojnë mënyrën se si qytetarët e shohin shtetin dhe institucionet e tij. Shpresoj se qeveria e re do t’ia dalë të rris besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe procesin e vendimmarrjes. Kjo do të ishte e domosdoshme për zbatimin e reformave gjithëpërfshirëse si dhe ndërmarrjen e hapave të duhura kur flitet për punët e pakryera në Ballkanin Perëndimor, në veçanti lidhur me Serbinë”, sqaron ai.

Hera e parë që një parti mund të formojë shumicën pa Listën Serbe

Ilazi shton se kjo njëkohësisht është hera e parë që një parti politike mund të formojë shumicën pa u varur nga votat e Listës Serbe.

“Gjë që do të jetë shumë interesante për t’u parë se si do të shtjellohet në kontekstin e përgjithshëm të marrëdhënieve me Beogradin”.

Dialogu: Përparimi dhe politik

Tema e Qeverisë dhe Kuvendit të ri do të jetë me siguri marrëdhënia ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në pyetjen për rezultate e zgjedhjeve në kontekst të dialogut, Ilazi thotë se fillimisht duhet dhënë kohë për krijimin e Qeverisë së re dhe për të bërë vlerësimin e situatës ekzistuese.

“Në disa çështje që kanë të bëjnë me dialogun për normalizim (të marrëdhënieve), në veçanti me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, disa informata që i janë paraqitur qytetarëve nuk ishin të sakta. Fushata politike ka krijuar përshtypjen se themelimi i AKS-së është diçka opcionale për Kosovën, gjë që thjesht nuk është e saktë. Ekziston një Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese dhe një marrëveshje ndërkombëtare e votuar me 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës e cila kërkon themelimin e AKS-së”, sqaron ky analist.

Megjithatë, ai shton se përparimi edhe në këtë kontekst është politik dhe se nga Brukseli dhe Beogradi do të varet se si do të zhvillohet ky proces më tutje.

“Nuk është reale që Brukseli të pres nga Kosova bashkëpunim të plotë në çështjet kyçe pa përparim në liberalizimin e vizave”, thotë Ilazi.

Është me rëndësi jetike që Presidenti i ardhshëm i Kosovës të ketë legjitimitet në sytë e qytetarëve

Përveç zgjedhjeve parlamentare, duhet mbajtur edhe një palë zgjedhje të veçanta, por vetëm në Kuvendin e ardhshëm. Pason zgjedhja e Presidentit të Kosovës. Nëse në Kuvend nuk zgjidhet presidenti i ri, pasojnë zgjedhjet e reja.

Ilazi thekson se në bazë të rezultatit të së dielës, mandati i Vetëvendosjes është mbizotërues krahasuar me partitë tjera dhe për këtë arsye konsideron se partitë tjera kanë për detyrë të qëndrojnë në “dhomë” dhe të sigurojnë kuorumin e domosdoshëm kur Kuvendi të votojë Presidentin e ardhshëm.

“Shpresoj vetëm se individët të cilët kanë marrë mbështetjen e jashtëzakonshme të qytetarëve nuk do të lihen anash në lojërat potenciale për koalicione me kandidatët të cilët kanë marrë mbështetje shumë të vogël. Është me rëndësi jetike që Presidenti i ardhshëm i Kosovës të ketë legjitimitet në sytë e qytetarëve. Formula për të anashkaluar qytetarët, që ishin të qartë nga zgjedhjet e së dielës, do të minojë arritjet e së dielës”, konkludon ai.

Çfarë ka për të thënë për rezultatet e fundit zgjedhore gazetarja dhe analistja Millica Andriq-Rakiq (Milica Andrić-Rakić), mund ta lexoni në tekstin këtu.

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Preporučeno