Connect with us

Shqip

Rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë të pritura, pason ndryshimi në skenën politike

Avatar

Published

on

Derisa fletëvotimet po numërohen ende, një gjë është e sigurt, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën në zgjedhjet e mbajtura të dielën. Humbjen më të madhe e ka pësuar Lidhja Demokratike e Kosovës, përderisa NISMA e Fatmir Limajt këtë herë nuk e kaloi pragun për të hyrë në Kuvendin e Kosovës. Priten rezultatet zyrtare, por ato gjithsesi nuk do të ndryshojnë suksesin e Vetëvendosjes.

“Rezultatet ishin të pritshme, e vetmja pyetje është nëse Vetëvendosje do të fitoj numër të mjaftueshëm të votave që të themeloj qeverinë pa partnerë të mëdhenj koalicioni”, vlerëson analistja dhe gazetarja Millica Andriq-Rakiq (Milica Andrić-Rakić) për CBS-në.

Duke rikujtuar që Qeverinë do të mund ta formojnë me deputetët pakicë, Andriq-Rakiq vlerëson se pas debaklit të LDK-së Vetëvendosja ndoshta do të bëjë për vete edhe ndonjë deputet të tyre që është besnik i Vjosa Osmanit, e cila për momentin mban pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentit të Kosovës, e të cilët edhe më parë haptazi mbanin anën e saj dhe të cilët do t’i bashkoheshin për të votuar për formimin e Qeverisë, shton bashkëbiseduesja.

Rezultatet e deritashme tregojnë se Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 17,41 përqind të votave, LDK vetëm 13,08 përqind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7,43. Vetëvendosje është para të gjithëve me 47,85 përqind të votave, përderisa liderët e PDK-së janë në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Speciale në Hagë. Vetëvendosja me siguri nuk do të bëjë opozitën, që në vitet e fundit ishte rregullimi gati standard në Kuvendin e Kosovës. A nënkupton kjo edhe ndryshimin e ambientit politik në Kosovë?

“Gjithsesi do ndodh ndryshimi në skenën politike në Kosovë. Vetëvendosja, e cila ka një mbështetje të fuqishme në diasporë, edhe më parë paralajmëronte tërheqjen e kuadrove nga jashtë. Gjatë Qeverisë të cilën e kishin udhëhequr në vitin 2020, këtë nuk e kishin bërë, por tash do të mund të ndodh edhe kjo pasi nuk do të kenë një partner të “fuqishëm” koalicioni me të cilin duhet të ndajnë kuadrot”, vlerëson Andriq-Rakiq.

Kur bie fjala për dialogun Beograd-Prishtinë, ajo sqaron se me fitoren e Vetëvendosjes dialogu përsëri bëhet i paqartë, porse këtë herë presioni i Perëndimit do të jetë edhe më i madh se në vitin 2020 që lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, t’i përkushtohet dialogut.

Ajo rikujton se në vitin 2020 Shtetet e Bashkuara të Amerikës “nguteshin” me vazhdimin e dialogut që Administrata e Trampit të arrinte marrëveshjen ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës para zgjedhjeve presidenciale, derisa zvarritja i përshtatej atyre vendeve të Bashkimit Evropian që frikësoheshin se marrëveshja nën patronatin e SHBA-ve do të mund të hapte hapësirën për idenë e zgjidhjes së kompromisit e cila konsiderohet kontroverse – shkëmbimin e territorit.

“Megjithatë, këtë herë me Thaçin në paraburgim në Shevenginen, një rrezik i tillë nuk ekziston, e përveç BE-së edhe SHBA-të janë të interesuara të shohin vazhdimin e dialogut. Kjo vërehet edhe nga deklaratat e zyrtarëve të SHBA-ve dhe të BE-së, të cilët, të gjithë pa dallim, përveç urimeve për Kurtin, theksojnë edhe domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut”, shton Andriq-Rakiq.

Përveç formimit të qeverisë, pason edhe vendimi për Presidentin e ri të Kosovës. Bashkëbiseduesja jonë, duke rikujtuar, procedurën e votimit, sqaron se votimi i Presidentit të ri do të jetë pak më i ndërlikuar sesa votimi i qeverisë.

“Në dy rrathët e para, Presidenti i Kosovës votohet me shumicë prej 2/3, ndërsa në rrethin e tretë mund të votohet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por me kuorum prej 81 deputetësh. Sigurimi i kuorumit mund të jetë sfidë për Vetëvendosjen nëse shkojnë me një kandidat partiak, siç është Vjosa Osmani, dhe në këtë rast do t’i nevojitet mbështetja e ndonjë partie opozitare. Nëse nuk e sigurojnë këtë, besoj se do ta propozojnë ndonjë kandidat neutral, siç është dikush nga anëtarët e familjes Jashari, gjë që Vetëvendosja kishte propozuar edhe më parë. Për opozitën do të ishte e vështirë të bllokonte zgjedhjen e një kandidati të tillë, por nga ana tjetër kjo do të mund të shkaktonte përçarje ndërmjet Osmanit dhe Kurtit, duke marrë parasysh se ky post në fushatë ishte i “rezervuar” për të”, thotë Andriq-Rakiq.

Lista Serbe ka fituar dhjetë vende parlamentare, gjë që është gati rezultat standard i kësaj partie prej se merr pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Të dielën në mbrëmje, Goran Rakiq (Goran Rakić), duke veçuar shembullin e Mitrovicës së Veriut, kishte thënë se Lista Serbe ka fituar 99,14% “të votave serbe”, derisa dalja e përgjithshme ishte 65.000, respektivisht rreth 5% më shumë se në zgjedhjet e vitit 2019, sipas pohimeve të tij. E kjo përkundër faktit se në listën e votuesve në Veri të Kosovës ishin 16.000 votues më pak se në vitin 2019.

Si e komentoni daljen më të madhe përkundër faktit se nga lista e votuesve janë hequr me mijëra votues?

“Numri absolut i personave që kanë votuar Listën Serbe këtë vit në fakt është më i vogël se në zgjedhjet e vitit 2019, madje për disa mijëra”, thotë Andriq-Rakiq, duke sqaruar se numri i saktë do të dihet vetëm pas numërimit të votave me kusht.

“Kështu që numri i personave që kanë dalë në këto zgjedhje do të jetë i përafërt me vitet paraprake, por me heqjen e një numri të konsiderueshëm të personave nga lista e votuesve pashmangshëm ka ndodh rritja e përqindjes së pjesëmarrjes së atyre që kanë dal në zgjedhje, prej atyre që kanë pas të drejtë në këtë”, tha ajo.

Si i ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve Ramadan (Dan) Ilazi, hulumtues i lartë në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë mund të lexoni këtu.

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Preporučeno