Shkruan: Jovana Jakovleviq (Jovana
Jakovljević)
ENGLISH SRPSKI
Në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë për vite me radhë ka
tensione të shumta, qoftë politike ashtu edhe në fushën e tregtisë. I fundit në
radhë u nxit nga vendimi i 6 nëntorit të viti 2018 i Qeverisë së Kosovës për të
rritur tarifën doganore për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e
Hercegovina për 10%, me arsyetimin e mbrojtjes së tregut vendor. Ky vendim
është në kundërshtim me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë CEFTA, sipas
të cilës dërguesi i mallit ka privilegjin e lirimit nga pagesa e doganës për
atë mall, por jo edhe të detyrimeve të tjera (TVSH, akciza e të tjera).
Rezultati i parë i vendimit ishte tërheqja e delegacionit serb
nga negociatat në Bruksel me arsyetimin se nuk do të ktheheshin në tryezën e
bisedimeve derisa të ishte në fuqi vendimi për vendosjen e taksave dhe të
ekzistojë shkelja e marrëveshjes për tregti të lirë. Situata u komplikua më tej
pas aplikimit të pasuksesshëm të Kosovës për pranim në INTERPOL, kur Qeveria e
Kosovës fajësoi Serbinë për dështimin e saj dhe ngriti 100% taksat për importin
e mallrave nga Serbia dhe BeH.
Për më tepër, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës
lëshoi urdhëresë për
Inspektoratin e Tregtisë dhe institucionet tjera kompetente që të ndalojnë
importin dhe shitjen e të gjitha produkteve të cilat në deklaratë mbajnë
emërtimin “Kosovë dhe Metohi”, “Kosovë UNMIK” ose
“Kosovë Rezoluta 1244”. Nga Inspektorati u kërkua që të largohen
produktet që kanë çfarëdo shenje tjetër në etiketë përveç “Republika e
Kosovës” sepse vetëm në këtë mënyrë veprohet në pajtim me Kushtetutën dhe
ligjet e Kosovës.
Përveç ndërprerjeve në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës,
në afat prej një viti taksat gjithashtu kanë ndikuar në ndryshimin e
parametrave (treguesve) ekonomik të të dy palëve. Sipas informacioneve të fundit të prezantuara nga
Ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Rasim Lajiq,
nga vendosja e taksës deri më 8 gusht 2019 në Kosovë është liferuar më pak mall
në vlerë prej 280.800,000 euro. Për një periudhë prej 261 ditësh, në Kosovë në
ditë dërgohen më pak mallra në vlerë prej 1,075,000 €, e që sipas vlerësimeve
të tyre, është një humbje e madhe financiare.
Para vendosjes së taksave, Serbia kishte hisen me të madhe në
importin e përgjithshëm në Kosovë me 13.3%. Nga raporti i fundit në dispozicion i Agjencisë së Statistikave të
Kosovës për muajin shtator 2019 mund të vërehet një rënie drastike e importit
të mallrave me origjinë serbe në Kosovë, krahasuar me të njëjtin muaj të një
viti më parë. Konkretisht, në shtator 2018 importet nga Serbia ishin në vlerë
37,588,000 euro, ndërsa në të njëjtin muaj këtë vit mallrat janë importuar në vlerë
prej vetëm 492,000 euro, që paraqet rënie prej 98%. Nga ana tjetër, eksporti i
Kosovës në Serbi mbeti pothuajse i pandryshuar. Për momentin, me shumën prej
2,569,000 euro në shtator 2019 tejkalon importin nga Serbia.
Edhe pse një nga rezultatet e futjes së taksës është se eksporti
i Kosovës në Serbi është më i lartë se importi, ai është goxha i papërfillshëm
nga këndvështrimi i ekonomisë së Kosovës në tërësi, kështu që masa reciproke e
Serbisë nuk do të kishte të njëjtat pasoja si tarifa doganore në import nga
Serbia. Serbia aktualisht është duke vlerësuar sa është dëmi i eksportit të
zvogëluar në Kosovë për BPV, ndërsa skenari i rastit më të keq është se mund të
ndikojë me 0.8%, që do të thotë praktikisht se asnjë nga bizneset që
eksportojnë mallra në Kosovë nuk ka gjetur ndonjë treg alternativ. Megjithatë,
në Ministrinë e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë kanë një qëndrim optimist dhe
besojnë se ndikimi i taksave të vendosura në BPV të Serbisë do të jetë më i
vogël se parashikimi më i keq.
Analizat ekonomike në Kosovë tregojnë se përkundër rënies
drastike të importeve nga Serbia, importi i përgjithshëm ka vazhduar të rritet
si dhe deficiti tregtar, i cili shënon
rritje prej 5.4% krahasuar me vitin e kaluar. Mallrat me origjinë serbe janë
zëvendësuar me produkte nga vendet tjera, kryesisht nga Turqia, Greqia,
Gjermania, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia, të cilat kanë rritur
ndjeshëm eksportet e tyre në Kosovë.
Pasi që nuk ka pasur ndonjë analizë paraprake të efekteve të
mundshme të futjes së taksës nga pala e Kosovës, përveç ndikimit negativ në
ekonominë serbe, taksat po ashtu shkaktuan rritje të çmimeve në Kosovë. Me
zëvendësimin e produkteve serbe me produktet e vendeve të tjera çmimet e
ushqimit në Kosovë në periudhën pas futjes së taksës (nëntor 2018 – mars 2019)
ishin 5.3% më të larta se në të njëjtën periudhë të viteve të kaluara, thuhet
në Hulumtimin e Institutit GAP nga
Prishtina. Gjithashtu, prodhuesit vendas nuk kishin zëvendësim të duhur për
produktet e caktuara ndaj të cilave u zbatua vendimi për rritje të taksës 100%.
Arsyet tjera që mund të ndikonin në rritjen e çmimeve ishin rritja e
shpenzimeve për lëndën e parë dhe rritja e shpenzimeve për produktet e
importuara nga vendet tjera.
Ekzistojnë dyshime se disa lloje të mallrave me origjinë serbe,
siç janë drithërat, importohen në Kosovë përmes vendeve të tjera të rajonit, gjë
dëmton edhe më shumë prodhuesit vendor pasi kjo ndikon në rritjen e çmimit të
importit për shkak të rritjes së kostos së transportit. Në mbështetje të kësaj
janë edhe të dhënat e Agjencia së Statistikave të Kosovës të
cilat tregojnë se taksat ndikojnë në ngritjen e çmimeve të produkteve,
respektivisht që, për shembull buka dhe drithërat janë shtrenjtuar në Kosovë
për 12.5%.
Ndikimi në të hyrat doganore
Bazuar në të dhënat më të fundit doganore në dispozicion,
importi i rregullt i mallrave nga Serbia në periudhën janar – prill 2019 është
zvogëluar për më shumë se 98%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të
kaluar. Përkatësisht, në bazë të regjistrave doganor, për periudhën janar-prill
2019, dogana ka inkasuar rreth 1.03 milion EUR të hyra doganore për vlerën e
importeve me origjinë nga Serbia, ndërsa në periudhën e një viti më parë ishin
inkasuar rreth 30.32 milion EUR. Efekti negativ në të ardhurat doganore nga
importi i mallrave me origjinë nga Serbia u kompensua me rritje të importeve
nga vendet tjera, me një efekt shtesë në të ardhurat doganore, thuhet në buletinin e parë tremujor ekonomik të
Ministrisë së Financave të Kosovës për vitin 2019. Sipas përllogaritjes së
paraqitur, efekti neto në të ardhurat doganore për periudhën janar-prill 2019
është afërsisht 7 milion EUR më i lartë si rezultat i zbatimit të vendimit për
vendosjen e taksës.
Një segment i veçantë i të hyrave doganore është Fondi për
zhvillimin e veriut të Kosovës, i cili u krijua për të mbështetur zhvillimin
socio-ekonomik në katër komuna në veri të Kosovës. Mjetet për Fondin sigurohen
nga të ardhurat doganore të mbledhura në vendkalimet 1 (Jarinjë) dhe 31
(Bërnjak), nga zhdoganimi i mallrave të destinuara për veriun e Kosovës, si dhe
nga zhdoganimi i mallrave të ndërmarrjeve të regjistruara në njërën prej katër
komunave në veri të Kosovës. Deri në fund të viti 2018 në këtë Fond ishin mbledhur më shumë se 15.5 milion €, nga të
cilat afro 11 milion iu ndanë komunave në veri përmes financimit të projekteve
caktuara infrastrukturore dhe zhvillimore. Por, që nga nëntori i vitit 2018, që
kur është në fuqi vendimi për vendosjen e taksës për mallrat me origjinë serbe
e deri më sot nuk janë ndarë mjetet nga Fondi për realizimin e asnjë projekti
në ndonjërën prej komunave në veri të Kosovës. Për më tepër, nuk ka njohuri për
dinamikën e as pasojat për mbledhjen e mjeteve në Fond pas vendosjes së
taksës.
Ndikimi në normalizimin e
marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës
Që nga vendosja e taksave dhe tërheqja e Serbisë nga procesi
negociues, të dy palët janë bërë edhe më të largëta në vend të përparimit në
normalizimin e marrëdhënieve. Nga njëra anë ekziston një qëndrim i fortë i
Serbisë se nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve për aq kohë sa është në
fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksave 100% për mallrat me
origjinë serbe, ndërsa nga ana tjetër, qëndrimi i Qeverisë së deritashme të
Kosovës ishte se nuk do të ketë heqje të taksës përderisa Serbia nuk e njeh
pavarësinë e Kosovës.
Gjithashtu, bashkësia ndërkombëtare ishte shumë e qartë në
dënimin e masave të Kosovës dhe paralajmëroi se politika e tillë tatimore nuk
kontribuon në përparim në negociata me Beogradin dhe se paraqet shkelje të
qartë të Marrëveshjes së CEFTA-së. Gjatë samitit të Berlinit, një takim i
mbajtur në prill të këtij viti dhe i cili kishte të bënte me fatin politik dhe
ekonomik të shteteve ballkanike që nuk janë pjesë e BE-së, Franca dhe Gjermania
treguan gatishmëri për të kontribuar në vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit
dhe Prishtinës, por se për këtë rol do të duhej të vërenin dedikimin e dy
palëve.
Mu për këto arsye një nga sfidat kryesore për partitë politike
të cilat do të formojnë Qeverinë e re pas zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë më 6
tetor 2019 do të mund të jetë shqyrtimi i çështjes nëse do të duhej të
shfuqizohej ose të vazhdoj zbatimi i vendimit të Qeverisë së kaluar që ka të
bëjë me rritjen e taksës. Në këtë kuptim, rrjedha e mëtutjeshme e negociatave
me Serbinë, si dhe vet procesi i normalizimit të marrëdhënieve, i cili duhet të
kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi, sigurisht se do të varet
shumë nga qëndrimi i Qeverisë së re ndaj vendimit për heqjen e taksës.
Është e qartë se një vit pas ndërprerjes së dialogut e me qellim
të gjetjes së një zgjidhje kompromisi është më real të pritet kthimi në tryezën
e bisedimeve sesa radikalizimi i mëtejshëm. Sidoqoftë, duke pas parasysh
historinë e ngjarjeve në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, çdo zhvillim i
ngjarjeve që krijon një “realitet të ri” është i mundur.
Artikulli
u shkrua në kuadër të projektit “Zhvillimi i gazetarisë hulumtuese te
gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë”, të cilin e zbatojnë CBS dhe
InTER. Ky grant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për
Shoqërinë Civile në Kosovë”, të cilin e financon Qeveria e Dukatit të Madh
të Luksemburgut dhe menaxhon Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të
Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri
Civile (KCSF). Artikulli është përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk
përfaqëson qëndrimet e CBS dhe InTER.
Përktheu Bruno Neziraj