Udhëtim i gjatë në shtëpi – kthimi i serbëve në Prizren

Njëzet vjet pas konfliktit në Kosovë, Prizreni është i vetmi qytet në jug të Ibrit në të cilin është shënuar kthimi i serbëve. Ata pak serbë që jetojnë në këtë qytet thonë se shtyllat kryesore për mbijetesë të qëndrueshme janë: punësimi, arsimi, kujdesi shëndetësor, kthimi i pasurisë së uzurpuar dhe siguria. Problemi është se si të arrijmë te kjo dhe sa janë të gatshme autoritetet të ballafaqohen me këto probleme.

Shkruan: Fejzo Kapllani, Prizren

SRPSKI: Dugo putovanje kući – povratak Srba u Prizren

ENGLISH: A Long Journey Home – the Return of Serbs to Prizren

Nënkalaja është lagje e qytetit, qytetit mbi Lumbardh, e cila ofron pamjen më të bukur të qendrës së Prizrenit. Shumë shtëpi në këtë vendbanim, të vendosura në kodër, pikërisht mbi qendër, janë specifike për arkitekturën e tyre, por edhe për fasadat e bardha që i bëjnë ato të dallojnë nga shtëpitë tjera. Ngjyra e bardhë këtu është një shenjë e besueshme se disa prej pak serbëve të Prizrenit jetojnë në to.

Kjo lagje u dogj gjatë trazirave në mars të vitit 2004. Shumë shtëpi u rindërtuan më vonë. Në njërën prej tyre jetojnë Lubisha dhe Snezhana Jeftiq (Ljubiša dhe Snežana Jeftić), një çift, i cili pas disa vitesh jetese si të zhvendosur në Serbi vendosi të kthehej në shtëpinë e tyre.

Pjesë e lagjes Nënkalaja

Unë u jam përshtatur këtyre rrethanave dhe disi shumë më shumë më pëlqen këtu me këta njerëz sesa në Kralevë ku jetoja, sepse me këta njerëz shpejt gjej gjuhë të përbashkët, kemi tema të përbashkëta, mbi të gjitha temat e së kaluarës kur kemi punuar së bashku, takuar dhe jetuar në rrethana të njëjta”, thotë Lubisha.

Lubisha është ish-drejtor i ndërmarrjes tregtare “Progres” nga Prizreni, sot është pensionist dhe kohën e lirë zakonisht e kalon në shoqërim me një numër të vogël të fqinjëve serbë, kryesisht pensionistë.

Në Prizren janë rreth njëzet serbë të kthyer, kryesisht të moshuar. Lubisha nuk beson në ndonjë kthim më të madh, veçanërisht jo nga të rinjtë, sepse, siç thotë ai, kanë kaluar më shumë se njëzet vjet që nga lufta dhe shumë rrethana të jetës kanë ndryshuar.

Lubisha Jeftiq

“Unë jam skeptik kur është fjala për kthimin e të rinjve, pasi ata janë adaptuar aty ku jetojnë, janë të lidhur me shkollat, kanë të dashura, shumë kanë krijuar familje, janë punësuar, prandaj gjasat për kthimin e tyre janë shumë të vogla” thotë Lubisha.

Fjalët e këtij prizrenasi më së miri përshkruajnë situatën aktuale në qytet lidhur me të kthyerit.

Vala e parë e refugjatëve nisi në vitin 1999 dhe më pas edhe në vitin 2004 pas trazirave të marsit, kur u dogjën shumë shtëpi serbe. Disa nga dy herë.

Kjo është pikërisht ajo që i ndodhi të moshuarës 77-vjeçare Svetllana Nikolliq (Svetlana Nikolić), e cila përkundër të gjithave jeton vetëm në shtëpinë e saj të rindërtuar. Thotë se ndjehet e sigurt dhe pa ndonjë problem lëviz në qytetit dhe fol me njerëzit.

Nuk kam probleme në qytet. Shumë më njohin, madje edhe shumë prej tyre më njohin nga mbiemri i vajzërisë – Çuçanoviq (Čučanović)”, thotë Svetlana.

Ajo shton se problemi më i madh i saj është varfëria me të cilën përballet. Ajo ka punuar në Printeks për 37 vjet dhe tani merr rreth 90 euro nga Serbia. Thotë se nuk mjaftojnë për një jetë normale.

“Me këto para i mbuloj të gjitha shpenzimet: rrymën, ujin, mbeturinat, tatimet dhe çfarë më mbetet pastaj nga ato? Nuk më mbetet as për ilaçe, e lerë më për furnizime të tjera”, thotë Svetllana, duke shtuar se nga askush nuk merr ndihmë në ushqim, dru për ngrohje ose ndonjë gjë tjetër.

Kthimi në mjediset multietnike

Prizreni është një qytet mbi lumin Lumbardh që ndodhet në jug të Dukagjinit në pellgun e Prizrenit. Është një qytet me një numër të madh të vendbanimeve dhe monumenteve të shumta kulturore e historike dhe objekteve fetare. Sipas regjistrimit të vitit 1981, numri i përgjithshëm i banorëve në komunën e Prizrenit ishte rreth 134.000, nga të cilët 11 650 serbë.

Deri në qershor të vitit 1999, në territorin e komunës së Prizrenit, sipas regjistrimit të vitit 1991, jetonin pak më shumë se 10.000 serbë. Regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 tregoi të gjithë vëllimin dhe madhësinë e eksodit. Nga 177.000 banorë të komunës, vetëm 237 janë serbë.

Aspak më mirë nuk është as në pjesën tjetër të Kosovës. Pas konfliktit të vitit 1999, sipas të dhënave të UNHCR-it, të cilat citohen shpesh nga Prishtina zyrtare, rreth 72.000 serbë, pa llogaritur rreth 50.000 boshnjakë dhe rreth 10.000 romë dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera, u larguan nga Kosova. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Serbisë shpesh theksojnë faktin se nga Kosova u larguan më shumë se 220.000 njerëz.

Sipas të dhënave të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, nga viti 2004 deri më sot në Kosovë janë kthyer rreth 6.800 persona. Pas luftës, falë, para së gjithash, institucioneve ndërkombëtare dhe donatorëve të huaj, në Kosovë u nisën shumë projekte që kishin për qëllim mundësimin e kthimit të personave të zhvendosur. Realizimi i projekteve të tilla shpesh u pengua nga rrethana të shumta.

Mundësitë ekonomike, prona e uzurpuara, incidentet e sigurisë dhe, para së gjithash, mungesa e gatishmërisë së komuniteteve lokale për të pranuar të kthyerit janë vetëm një pjesë e pengesave që e vështirësojnë zbatimin e procesit dhe realizimin e programit të kthimit. Secila komunë ballafaqohet me specifika të veçanta, të cilat në masë më të vogël ose më të madhe ndikojnë në procesin e kthimit.

Sipas përvojës së deritashme, të kthyerit në përgjithësi kanë vendosur të kthehen në mjedise multietnike ose të pastra serbe. Shumë më i vështirë ishte kthimi, ose thuajse është inekzistent, në ato zona me popullatë shumicë shqiptare. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës shpesh përmendin Prizrenin si shembull të një kthimi të organizuar me sukses.

Kthim ka, para se gjithash falë donatorëve të huaj dhe programeve të realizuara, por edhe mbështetjes së ofruar nga vetëqeverisja lokale, shumë shtëpi dhe objekte kishtare janë rindërtuar. Megjithatë, nëse vlerësohet nga numri i atyre që janë kthyer, kthimi në këtë qytet vështirë se mund të konsiderohet i suksesshëm.

Me përjashtim të rasteve kur gjatë kremtimit të festave të rëndësishme fetare këtu vijnë dhe mblidhen me dhjetëra ish-prizrenas dhe dëgjojnë kambanat e Katedrales së Shën Gjergjit.

Zyrtarët e institucioneve në Komunën e Prizrenit, kryesisht nga Zyra për Kthim dhe Komunitete, menjëherë në vitin 2002 kishin filluar hartimin e programeve strategjike për kthimin në disa faza. Me shumë kujdes, projekti i parë i kthimit në Komunën e Prizrenit u realizua në fshatin Gornjasellë në vitin 2002, pasuar pastaj nga projektet në qytet.

Në fillim zbatoheshin në kuadër të programit “Shko-shih vizita” në vendet ku ishte planifikuar kthimi. Pas “Strategjisë Komunale për Komunitete dhe Kthim 2012-2015”, sot është në fuqi “Strategjia Komunale për Komunitete dhe Kthim 2016-2020”, për kujdesin për personat e zhvendosur dhe kthimin e tyre të sigurt.

Igballe Rama-Fazli, koordinatore e Zyrës për Kthim dhe Komunitete në Komunën e Prizrenit, thekson se zbatimi i projektit me “Këshillin Danez për Refugjatë”, i mbështetur me mjete financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar kishte filluar në vitin 2002 zbatimi i projektit “REK” për qëndrueshmërinë dhe integrimin e refugjatëve brenda qytetit – më saktësisht në lagjen serbe Nënkalaja në qendër të Prizrenit.

Igballe Rama

Projekti zgjati deri në vitin 2018. “Organizatat ndërkombëtare të përfshira në procesin e kthimit të personave të zhvendosur, në përgjithësi në të gjitha lokacionet, përveç të përmendurave janë edhe UNHCR-i (Agjencia e KB për Refugjatë), OSBE-ja dhe Ministria për Kthim dhe Komunitete. “Në Nënkala deri sot janë ndërtuar 43 shtëpi familjare për të kthyerit serbë”, thotë Rama.

Të kthyerit e parë

Kthimi i serbëve në regjionin e Sredskas fillimisht u nis në vitin 2002 në Gornjasellë, kur siguria për të kthyerit serbë ishte e paparashikueshme. Sllobodan Vuçkoviq (Slobodan Vučković) nga Gornjasella ishte i pari i kthyer në regjion. Ai u kthye nga Serbia në fillim të vitit 2002.

“Të jem i sinqertë, nuk gjeta paqen personale atje, sepse me tërhiqte ky vend dhe u ktheva i pari. Rrija më shpesh në Brezovicë, Shtërpcë dhe me përcjelljen e KFOR-it gjerman, hyra në shtëpinë time të djegur. Pas rindërtimit të saj, solla edhe gruan time”, thotë Vuçkoviq. Ai shton se nuk ka pasur ndonjë problem nga fqinjët boshnjak, lëviz lirshëm nëpër Prizrenit dhe fshatrat përreth.

Vuçkoviq thotë se çdo ditë mirëmban kishën e Shën Gjergjit, si dhe mbikëqyr varrezat serbe. Lajmërohet nga kambanorja e kishës çdo të diel dhe në festat ortodokse, veçanërisht për Shëngjergj, kur këtu mblidhet një numër i madh i serbëve.

Ndërsa në fshatin Zhivinjanë, në regjionin e Sredskas, jeton një familje pesë anëtareshe e Tihomir Stojanoviqit (Stojanović), e cili u kthye këtu para dhjetë vjetësh.

Ai, bashkëshortja, djali, nusja dhe mbesa janë shembuj të të kthyerve të suksesshëm. Tihomiri thotë se ai mbijetoi sepse merrej me zanatin e riparimit të drynave për dyer, si dhe me punën në pronën e tij bujqësore.

Tihomir Stojanoviq

Ai u rekomandon bashkatdhetarëve të tij “të dëgjojnë zemrën e tyre dhe të provojnë recetën e tij”. “Që secili person i zhvendosur të vjen, sheh dhe vendos të qëndrojë, sepse nuk ka asgjë për tu frikësuar, përveç se, natyrisht, duhet të punohet. Sepse, pa punë nuk ka asgjë askund, sikundër gjithandej”.

U them atyre të vijnë dhe personalisht të binden se çdo gjë është në rregull dhe të ndjekin rrugën time”, thotë Tihomiri dhe vazhdon: “Unë jam çdo ditë në regjion dhe në Prizren. Unë punoj me të gjithë dhe nuk kam kurrfarë problemi. Personalisht jam i kënaqur me punën që merrem si dhe me stafin e “Zyrës për Kthim”.

Përndryshe, Komuna e Prizrenit, deri më sot, në këtë fshat të regjionit ka ndërtuar rreth dhjetë shtëpi. Pas Gornasellës në regjionin e Sredskas, fshati Novakë ishte vendi i dytë në të cilin ishte punuar me plan në kthimin e serbëve refugjat. Në këtë fshat janë rindërtuar 43 shtëpi familjare të cilat ishin shkatërruar.

Fshati Novakë gjendet rreth dhjetë kilometra nga Prizreni, në drejtim të Suharekës. Të kthyerit e parë serbë arritën në këtë fshat në mars të vitit 2003.

Zyrtari i Zyrës për Kthim dhe Komunitete në Komunën e Prizrenit, Spasa Andrijeviq (Andrijević), i cili përndryshe jeton në këtë fshat, thotë se rrethanat për qëndrueshmërinë e të kthyerve janë shumë më të vështira në zonat urbane, se sa në zonat rurale.

“Përparësitë në zonat rurale reflektohen në vetëpunësimin përmes zhvillimit të aktiviteteve të vogla biznesore, kultivimin e kulturave bimore, prodhimin e mishit dhe produkteve të qumështit për mbulimin e nevojave personale dhe kryerjen e veprimtarive të vogla zejtare. Ndërsa në zonat urbane rrethanat për të gjetur burimin dhe për të krijuar të ardhura për qëndrueshmërinë e të kthyerve janë shumë më të vështira”, thotë Andrijeviq.

Ai thekson se sot në Novakë jetojnë rreth pesëmbëdhjetë serbë që kanë një lloj biznesi familjar dhe produktet e veta ja shesin popullatës lokale.

Në fshatin Verbiçanë situata është e ngjashme. “Shoqata e Vërbiçanasve”, e kryesuar nga Vellimir Spasiq (Velimir Spasić), inkurajon banorët e këtij fshati për kthimin e tyre dhe organizon vizita të shpeshta. Përveç fshatit, ka vizita të rregullta edhe në Seminarin e Prizrenit, Arkangjujve të Shenjtë dhe varrezave të qytetit. Sipas të dhënave të tij, pas konfliktit të armatosur nga Komuna e Prizrenit u zhvendosën gjithsej 29.910 persona, nga të cilat rreth gjysma janë serbë (15.028 persona).

Velimir Spasiq

“Kemi filluar me projektin e ndërtimit të kishës së fshatit në themelet e “Trinisë së shenjtë” të vjetër e të rrënuar dhe shpresoj se çdo gjë do të përfundoj mirë me mjetet e Qeverisë së Serbisë dhe të Komunës së Prizrenit”, thotë Spasiq.

Bashkëbiseduesit tanë theksojnë se punësimi, arsimi i fëmijëve dhe kujdesi joadekuat shëndetësor ndikojnë shumë në qëndrueshmërinë dhe mbijetesën e të kthyerve. Mosnjohja e gjuhës shqipe është një problem tjetër që e bën të vështirë komunikimin e përditshëm, thonë të kthyerit.

Në Drajçiq, një fshat i vogël që gjendet në Bjeshkët e Sharrit, jetojnë afërsisht dhjetë serbë. Për momentin janë ndërtuar dymbëdhjetë shtëpi familjare, disa prej të cilave vetëm janë adaptuar, jo vetëm për serbët, por edhe për komunitetin boshnjak. Një grup serbësh nuk u largua kurrë nga fshati i tyre.

I tejkaluan të gjitha vështirësitë e pasluftës. Në fshat gjithashtu funksionon edhe kisha e fshatit “Shën Nikolla”, kambanat e së cilës kumbojnë për besimtarët ortodoks duke iu falënderuar të riut Dejan Simiq (Simić). Gjallëri ka në veçanti verës, kur shumë kthehen në vendlindje. Zllatko Cvetkoviq (Zlatko Cvetković) jeton vetëm në një shtëpi të ndërtuar nga mjetet e donatorëve për kthimin e personave të zhvendosur.

Zllatko Cvetkoviq

“Unë kam lindur këtu dhe ndihem si në vendin tim, plotësisht i sigurt dhe kurrë nuk kam hasur në ndonjë provokim, nga askush. Lirisht lëvizi nëpër Prizren, fshatrat përreth, shitore dhe objektet hoteliere. Mediat publike serbe shpesh raportojnë gabimisht, për sa i përket sigurisë”, thotë Cvetkoviq.

Bashkëbiseduesi ynë thotë se një nga problemet kryesore me të cilin përballen të kthyerit është i natyrës ekonomike pasi shumica e tyre janë të papunë.

Ai konsideron se në këtë kuptim mungon një mbështetje më e madhe nga institucionet e Republikës së Serbisë: “Pak ndihma vijnë, përveç një herë në vit me disa kanaçe dhe mjete higjienike” thekson Zllatko, më mirë i njohur me nofkën “Minatori (Rudar)”. Siç kemi mësuar nga zyrtarët komunalë në “Listën për Kthim” për momentin janë edhe shtatë persona që presin t’iu ofrohen kushtet themelore për qëndrimin e tyre.

Nadezhda Ristiq (Nadežda Ristić)

Te familja Ristiq gjejmë Nadezhdan, një grua shtatëdhjetë e tre vjeçare pranë shporetit me dru të markës “Smedereva”, të zënë me përgatitjen e shujtës. Për vizitë e ka djalin, Vlladimirin. Ka ardhur pak ditë më parë për të vizituar nënën e tij, si dhe dy vëllezërit që qëndruan për të jetuar këtu:

“Jam i martuar dhe jetoj në Beograd. Edhe pse disi më tërheq vendlindja ime, mendoj se këtu nuk ka kushte adekuate që do të më jepnin mundësinë dhe do të nxisnin ëndrrën time për kthim”, thotë ky beogradas.

Ristiqët jetojnë në një shtëpi e cila, afër shtëpisë së vjetër dhe të dëmtuar, ishte ndërtuar e re me mjetet e organizatës donatore nga Gjermania “ABS”, por theksojnë se shtëpia është ndërtuar në mënyrë jo cilësore, izolimi është i dobët prandaj shpenzohet shumë për ngrohje. Përndryshe, ata rregullisht marrin ndihmë sociale nga Republika e Serbisë, kështu që me pensionin e nënës së tyre në Kosovë mbijetojnë disi.

Takimi i Dojniçasve me zyrtarët komunalë

Që shumë serbë këtu janë të interesuar të kthehen jemi bindur para pak kohësh në takimin që u mbajt me përfaqësuesit e qytetit, UNHCR-në dhe Zyrën për Kthim. Rreth njëzet Dojniças kishin shprehur vullnetin për kthim të organizuar, në grup, dhe kështu edhe nënshkruan kërkesat para këtyre zyrtarëve. U diskutua për kushtet për kthim në fshatin e lindjes, por ata parashtruan edhe kërkesën për t’u takuar me banorët vendas, fqinjët e tyre, nga fshatrat boshnjake; Gërnçarë, Novosellë dhe Skorobishtë për të marrë mbështetjen e tyre.

Amvisja Vesna Spasiq i jep ëmbëlsira personave në festë në fshatin Vërbiçanë

Shefi i Zyrës për Kthim Ajradin Alia propozoi kthimin në grupe me nga pesë familje. Kthimi i tyre do të mbështetet nga “IOM” në kuadër të REK-ut “Kthimi i qëndrueshëm dhe integrimi i personave të zhvendosur në Prizren”.

Me këtë projekt është paraparë që kjo zyre, me ndihmën e partnerëve të saj (Ministrisë për Kthim, Komunën e Prizrenit, IOM-in, Këshilli Danez për Refugjatë, donatorët vendas dhe të huaj), të ndërtojë shtëpi familjare, të ndajë paketa humanitare dhe nga 2.000 euro për secilin të kthyer për të filluar biznes familjar.

Nënkryetarja e Komunës së Prizrenit për Komunitetet – Memnuna Ajdini rekomandoi që Dojniçasit të fillojnë kthimin e organizuar nëpër shtëpi dhe të zgjidhin problemet e tyre. Ajo tha se komuna është e përkushtuar në kthim, por se procesi është i vështirësuar: “Edhe pse sipas të gjitha ligjeve dhe sipas Kushtetutës, pakicat kosovare kanë të drejta që janë të përcaktuara shumë mirë, fatkeqësisht nuk zbatohen në praktikë”.

Prizren FOTO: Crno beli svet – CBS (Bota bardh e zi)

Igballe Rama, zyrtare e Zyrës për Kthim dhe Komunitete, thotë se procesi i kthimit mbështetet në nivel komunal, si dhe nga të gjitha organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Një nga të kthyerit, profesor në pension – Petar Stojkoviq (Stojković), thekson se fillimisht do të ishte e dëshirueshme të fitohej besimi ndërmjet fqinjëve, respektivisht ndërmjet banorëve të Novosellës, Grnçarit dhe Skorobishtës. Sipas tij, mbështetja e tyre do të ishte e rëndësishme, kryesisht për zgjidhjen e infrastrukturës së përbashkët.

“Ai që nuk është larguar nga shtëpia, ai nuk e njeh fuqinë e dëshirës për vendlindje”, thotë profesori Stojkoviq. Në këtë takim, Dojniçasi Vlladimir Stevanoviq u dorëzoi të pranishmëve listën e Dojniçasve të humbur, e në mesin e të cilëve është edhe vëllai i tij, Vllastimiri.

Zyrtarja e Zyrës për Kthim dhe Komunitete, Igballe Rama thotë se ka burime financiare për kthim në fshatrat Dojnicë, Vërbiçanë dhe Mahalla e epërme në Gornasellë në regjion.

“Për momentin është e rëndësishme që ka mjete dhe besoj se do ta implementojmë me sukses këtë projekt. Këtë vit janë pranuar 153 kërkesa, të cilat do të shqyrtohen në vitin 2019 brenda grupit ekzistues, e cila është krijuar mu për qëndrueshmërinë e vërtetë të të kthyerve”, premtoi Rama.

Artikulli u shkrua në kuadër të projektit “Zhvillimi i gazetarisë hulumtuese te gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë”, të cilin e zbatojnë CBS dhe InTER. Ky grant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë”, të cilin e financon Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhon Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Artikulli është përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e CBS dhe InTER.

Përktheu nga serbishtja: Bruno Neziraj

Leave a Reply

Your email address will not be published.