Votat serbë në Kosovë: nga të dëshiruarat tek jolegjitimet

FOTO: Crno beli svet

Votat serbe, të cilat sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përbëjnë rreth 7% të numrit të përgjithshëm të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, janë një nga kundërthëniet kryesore të cilat, përveç fitores bindëse të partive opozitare, shënuan procesin e fundit zgjedhor në Kosovë.

Precedentët e shumta të cilat autoritetet e Kosovës i kishin pranuar lidhur me votimin brenda komunitetit serb, e synimi i të cilave ishte të nxitej dalja dhe dhënia e legjitimitetit proceseve të mëparshme zgjedhore kosovare në Kosovë, sot ngadalë po etiketohen dhe hidhen poshtë si jolegjitime.

Shkruan: Milica Andrić Rakić (Millica Andriq Rakiq)

Ndalimi i votimit me letërnjoftimet e Serbisë pas pesë cikleve zgjedhore, problemet shëndetësore të zyrtarëve shqiptarë të KQZ-së pas kontaktit me votat e ardhura me postë nga Serbia, verifikimi i mëvonshëm i votave nga Serbia qendrore në rroba mbrojtëse dhe ankesat për “kushtetutshmërinë” e votave nga Serbia dhe kërkesat për refuzimin e tyre.

E në fund, akuzat e koalicionit të Fatmir Limajt dhe Behgjet Pacollit (NISMA-AKR-PD) se ata nuk e kaluan pragun mu për shkak të pranimit të votave “joligjore” nga Serbia qendrore, janë tema që kanë mbajtur votat e serbeve të Kosovës në qendër të vëmendjes së publikut të Kosovës gjatë dy muajve të fundit të procesit më të ri zgjedhor.

Në listën zgjedhore, por pa të drejtë vote

Në vjeshtën e vitit 2013 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) azhurnoi listën votuese, e cila për herë të parë do të përfshinte edhe votuesit e regjistruar në listën votuese të Serbisë për qytetet në territorin e Kosovës, e të cilët në të njëjtën kohë nuk posedonin domosdoshmërisht dokumente të Kosovës.

Për të ushtruar të drejtën e votës, këtyre votuesve iu ishte mundësuar qasja në votim me dokumente të Serbisë. Këtë vit, 6 vjet pas bashkimit të listave votuese të Kosovës dhe Serbisë, KQZ, megjithatë, vendosi që, për herë të parë, me javë më herët të paralajmëroj vendimin për ndalimin e përdorimit të dokumenteve të Serbisë gjatë votimit.

Këtë 6 tetor, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës, disa votues të regjistruar në listën votuese nuk mund të ushtronin më të drejtën e tyre të votës me dokumente të Serbisë, pasi nga ky vit dokumentet dhe numrat amzë, sipas të cilëve ishin regjistruar në listën e vitit 2013, konsiderohen të pavlefshme.

“Institucionet e Kosovës në 2013 e mbyllën njërin sy”

Me Vendimin e 9 shtatorit KQZ-ja urdhëronte Komisionet Komunale Zgjedhore dhe Komisionet Votuese për identifikimin e votuesve, se identifikimi i votuesve në zgjedhjet e ardhshme është i mundur vetëm me dokumentet e lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Shpend Emini, Demokracia për Zhvillim

Kur u pyet si ndodhi që personat e përfshirë në listën votuese të Kosovës në vitin 2013 tash megjithatë nuk do të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, Shpend Emini, Drejtor Ekzekutiv i një organizate joqeveritare që merret me mbikëqyrjen e zgjedhjeve dhe reformën zgjedhore, Demokracia për Zhvillim, tha se ishte fjala për një vendim politik, e jo ligjor.

“Në vitin 2013, institucionet e Kosovës e mbyllën njërin sy për të inkurajuar votuesit serbë që të dalin në zgjedhje”, shpjegon Emini për CBS.

______________________________________________________________________________
Zgjedhjet e para lokale në tërë Kosovën u organizuan në vitin 2013. Si pjesë e pakos së Marrëveshjes së Brukselit, këto zgjedhje u organizuan më 3 nëntor 2013 edhe në komunat në veri.

Deri atëherë, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok organizoheshin vetëm zgjedhjet lokale të Serbisë. Në atë kohë njëkohësisht ishte edhe fushata më e spikatur për të bojkotuar zgjedhjet e Kosovës.

Edhe pse pjesëmarrja e votuesve në veri nuk ishte e madhe (17% deri 31%), zgjedhjet u shpallën legjitime dhe përfaqësuesit politik të zgjedhur me atë rast formuan strukturat komunale në sistemin e Kosovës, në radhë të parë kuvendin komunal dhe kabinetin e kryetarit të komunës.
______________________________________________________________________________

Lista votuese e Kosovës u azhurnua për herë të fundit në vitin 2017, por personat e regjistruar në vitin 2013 që nuk posedonin dokumente të Kosovës nuk u hoqën nga ajo listë, prandaj edhe në këto zgjedhje ata ishin në listën e votuesve të regjistruar, por pa mundësi votimi. Kjo është e mundur sepse procedura për largimin e personave nga lista votuese është e ndërlikuar, shpjegon Emini.

“Është e vështirë të largoni votuesit nga lista, madje edhe nëse raportoni, për shembull, vdekjen e një anëtari të familjes në shërbimin komunal të regjistrimit civil, për shkak të mungesës së komunikimit midis organeve lokale dhe Agjencisë qendrore të regjistrimit civil, dhe ky informacion mund të mos arrijë në KQZ kur të vjen koha për azhurnimin e listës votuese dhe ai person nuk do të largohet nga lista”, thotë Emini për CBS.

“Atëherë familjes i mbetet vetëm t’i drejtohet gjykatës së shkallës së parë, vendimet e së cilës janë të detyrueshme për KQZ-në”, shton ai, duke sqaruar se pak njerëz do të zgjedhin një proces të tillë burokratik për të larguar një anëtar të familjes nga lista votuese.

Për më tepër, sipas çfarë kriteri do të mund të hiqeshin këta votues nga lista votuese në fund të fundit?

Me këtë vendim u pezullua praktika e deritashme sipas të cilës e drejta e votimit mund të ushtrohej edhe me dokumente të Serbisë, e, sipas vlerësimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për shkak të këtij vendimi, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka humbur rreth 3.500 vota.

Ishte kjo parti që më së shumti kundërshtoi këtë vendim dhe e kundërshtoi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e më pas edhe në Gjykatën Supreme, por të dy instancat mbështetën vendimin e KQZ-së, duke ngritur pyetjen nëse proceset e mëparshme zgjedhore që nga viti 2013 ishin të rregullta.

Sidoqoftë, vendimi nuk ndikoi në pjesëmarrjen e votuesve që votuan për opsionet politike serbe, kështu që këtë vit, për legjislativin e shtatë të Kuvendit të Kosovës, partitë serbe bashkë mblodhën madje 60,358 vota, prej të cilave më shumë se 57,000 i shkuan Listës Serbe.

Ky përndryshe është edhe rezultati më i mirë i Listës Serbe në zgjedhjet parlamentare të Kosovës në të cilat kanë marrë pjesë, në 2014 dhe 2017.

Problemi në qasje në dokumentet e Kosovës

Vendimi i KQZ-së shkurtimisht përsëri ngriti çështjen e qasjes në dokumentet e Kosovës, por kjo shumë shpejt ra në harresë. Problemi vazhdon për një shtresë të qytetarëve që përpiqen, por nuk ia dalin të regjistrohen në Regjistrin Civil të Kosovës dhe të marrin dokumente identifikimi. Kjo është më e theksuar për personat që me origjinë nuk janë nga Kosova dhe që janë martuar në Kosovë dhe banojnë këtu.

Edhe pse në korrik të vitit 2018 Qeveria e Kosovës ka lejuar regjistrimin e mëvonshëm të vdekjeve dhe lindjeve me ekstraktet nga librat amzë të Serbisë, si dhe të asaj që quan regjistrim i “martesave të paligjshme serbe”, ky vendim është ende i kufizuar vetëm në ndryshime në gjendjen civile që kanë ndodhur deri më 14.09.2016.

Njëkohësisht, kjo mundësi e regjistrimit të mëvonshëm vlen vetëm deri më 31 dhjetor të këtij viti, ndërsa më vonë vazhdimi i së njëjtës do të varet nga disponimi politik brenda Qeverisë së re të Kosovës.

BE para zgjedhjeve: Ka kohë të mjaftueshme për votuesit që të nxjerrin dokumentet e Kosovës

Fatkeqësisht, ky problem i komunitetit serb nuk është zyrtarizuar, madje as nga ata që janë më të thirrur për ta emëruar këtë problem si të tillë – përfaqësuesit politik serb – e as nga vëzhguesit e huaj, të pavarur.

Viola von Kramon-Taubadel

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me problemet e komunitetit serb në qasjen në dokumentet e Kosovës, krye vëzhguesja e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve EU (EOM), Viola von Kramon-Taubadel sqaroi se qëndrimi i misionit ishte që “të gjithë personat që janë në listën votuese duhet të kenë të drejtën e votës”.

Megjithatë, ajo shtoi, se KQZ u kishte sqaruar përfaqësuesve të këtij misioni se personat në listën votuese që nuk kanë dokumente të Kosovës kanë kohë të mjaftueshme për të paraqit kërkesën dhe për të nxjerrë dokumentet e Kosovës.

Deri në fund të procesit vëzhgues, Misioni Zgjedhor i BE-së kishte ardhur në përfundim se nuk kishte “prova të prekshme se ka persona që nuk mund të marrin letërnjoftimet e Kosovës”.

______________________________________________________________________________
Gjetje të tjera të EOM në 2017

Në kundërshti me gjetjet e këtij viti, EOM dhe ekipi i saj në vitin 2017 kishin regjistruar njoftime nga zyrtarët e Kosovës se përdorimi i dokumenteve të lëshuara jashtë Kosovës do të mund të ndalohej në ciklin e radhës të zgjedhjeve dhe kishte ardhur në këtë përfundim:

“EOM ka pranuar raporte, veçanërisht por jo ekskluzivisht nga katër komunat në veri, në lidhje me vështirësitë për komunitetet jo-shumicë (veçanërisht serbët dhe romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët) për të konfirmuar statusin e banorit dhe për të marrë letërnjoftimet e Kosovës.

Kjo është e vërtetë për të kthyerit, si dhe për personat që asnjëherë nuk kanë pasur një letërnjoftim (të Kosovës ose) të UNMIK-ut, e që nuk ka qenë e nevojshme deri më tani për shumë serbë të Kosovës që jetojnë në komunat e veriut, e as për pjesëtarët e komunitetit RAE, për të cilët ishte më lehtë të regjistroheshin në sistemin e Serbisë”.
______________________________________________________________________________

Edhe votimi me postë problematik

Votimi me letërnjoftime të Serbisë nuk është vendimi i vetëm i autoriteteve të Kosovës që rrjedh nga praktika e mbajtjes së zgjedhjeve të para lokale në veri në vitin 2013 dhe e cila u vu në dyshim këtë vit.

Një kundërthënie shumë më të madhe kanë nxitur votat që duhet të vijnë nga Serbia me postë. Përderisa votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Serbi iu është mundësuar që të regjistrohen me postë dhe të votojnë në zgjedhjet e Kosovës, nëse dëshirojnë, për shkak të mungesës së bashkëpunimit zyrtar midis Postës së Serbisë dhe Postës së Kosovës, transportimi i këtyre votave nuk bëhet nga Posta, por bartja e tyre organizohet nga institucione të tjera.

Deri në këtë vit, votimi me postë nga Serbia qendrore organizohej nga OSBE-ja me ç’rast të gjitha votat grumbulloheshin në disa qendra kolektive në Serbi dhe më vonë, në organizimin e këtij misioni, barteshin në Kosovë. Këtë vit, megjithatë, sipas mediave kosovare, transportimi i votave ishte përgjegjësi e Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

Për shkak të mënyrës specifike të ardhjes së votave me postë nga Serbia, shumë subjekte politike në Kosovë konsiderojnë se ato nuk duhet të pranohen. Në mesin e tyre në vitet e kaluara printe Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa këtë vit ligjshmërinë e këtyre votave e vuri në dyshim koalicioni NISMA-AKR-PD, i cili edhe paraqiti një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. PZAP-i refuzoi këtë ankesë si të parakohshme.

“Që prej vitit 2013, aplikimet nga jashtë nga Serbia dhe Mali i Zi kanë ardhur përmes kanaleve ilegale, ato nuk kanë ardhur as me postë, as me faks, e as me e-mail… Ato vijnë në pako të organizuara fizike dhe kolektive, pa fahun postar të KQZ-së, nuk ka dyshim për këtë. Ky ishte një aspekt tjetër i jo legjitimitetit të këtyre votuesve, por kjo është një temë tjetër që duhet të theksohet në mënyrë që të mos përsëritet herën tjetër”.

Ishin këto vërejtjet e përfaqësuesit të Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rrustemi, të paraqitura në një takim të KQZ-së në vitin 2017 e në lidhje me praktikën e veçantë të KQZ-së kur është fjala për votat nga Serbia qendrore.

Artikulli u shkrua në kuadër të projektit “Zhvillimi i gazetarisë hulumtuese te gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë”, të cilin e zbatojnë CBS dhe InTER. Ky grant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë”, të cilin e financon Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhon Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Artikulli është përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e CBS dhe InTER.

Leave a Reply

Your email address will not be published.