Connect with us

Shqip

A mund ta padisë Kosova Serbinë për gjenocid?

Avatar

Published

on

Në një intervistë para pak kohësh për “Irish Times” presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, paralajmëroi se Kosova planifikon ta padisë Serbinë për gjenocid, nuk kishte saktësuar para cilës gjykatë, por kishte theksuar se shumica e dëshmitarëve janë ende të gjallë dhe se provat ekzistojnë.

Padinë për gjenocid kundër Serbisë e kishte paralajmëruar edhe ish presidenti i Kosovës, në atë kohë Ministër i punëve të jashtme, Hashim Thaçi në vitin 2015.

“Serbia padyshim ka kryer gjenocid në Kosovë. Kemi provat, kemi dëshmitë dhe e gjithë bota e di këtë”, kishte thënë Thaçi në atë kohë. Nuk mund ta saktësonte kur do të parashtrohej padia saktësisht, por kishte thënë se Prishtina do të parashtroj padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pasi të vlerësoj “rrethanat e brendshme dhe të jashtme”.

Paralajmërimi i Kosovës kishte has në kritika se është e pamundur nga ana juridike dhe se shërben për PR të tij personal.

Vjosa Osmani, në atë kohë deputete në Kuvendin e Kosovës kishte thënë për BIRN në vitin 2015 se ky rast ishte i pamundur.

“Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, nuk është palë në Statutin e GJND dhe nuk ka ndërmarrë masa për të pranuar juridiksionin e gjykatës”, kishte thënë Osmani për BIRN.

Edhe pse në ndërkohë këto rrethana nuk kanë ndryshuar, Osmani në vitin 2021 megjithatë paralajmëron ngritje të padisë kundër Serbisë, por nuk është e vetmja. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij të parë pas votimit të Qeverisë, më 22 mars, theksoi se gjatë mandatit të tij planifikon të ngre padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Serbisë. Të njëjtën e konfirmoi edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Paralajmërimet e deritashme për ngritjen e kësaj padie deri tani kanë rezultuar vetëm me një “Rezolutë të Kuvendit për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit të shtetit serb, të kryera në Kosovë”, më 16 maj 2019 dhe formimin e komisionit parlamentar për harmonizimin e qëndrimeve për themelimin e “Tribunalit ndërkombëtar për gjenocid të Serbisë në Kosovë” më 30 maj të po të njëjtit vit.

Kah mesi i dhjetorit të vitit 2020 Vjosa Osmani kishte kërkuar nga Parlamenti Shqiptar të miratojë një rezolutë me të cilën “dënohet gjenocidi serb”.

“Duam që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë me të cilën do të dënohej gjenocidi ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kuvendi i jonë e ka bërë këtë dhe duam që Shqipëria të qëndroj pas nesh, që të jemi të unifikuar”, kishte thënë Osmani.

Përveç paralajmërimeve që Kosova do ta padisë Serbinë në GNJD, vëmendjen e mediave përsëri e ka tërheq fakti se padinë do të mund ta inicionte Shqipëria duke marrë parasysh se ajo, për dallim nga Kosova, është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Millosh Hërnjaz (Miloš Hrnjaz), docent në Fakultetin e shkencave politike në Beograd, në një përgjigje për CBS, sqaron se ekzistojnë tri nivele të pyetjeve lidhur me padinë eventuale në GNJD kundër Serbisë për shkeljen e pretenduar të Konventës për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit lidhur me krimet në Kosovë:

Nëse Kosova mund të ngre padi kundër Serbisë në GNJD, nëse këtë mund ta bëjë Shqipëria dhe nëse ajo këtë e bën në emër të vet ose në emër të Kosovës dhe nëse GNJD eventualisht do të shpallte veten kompetente, çfarë janë gjasat që Serbia të shpallej përgjegjëse para GJND për shkeljen e Konventës në fjalë.

Në vijim mund të lexoni sqarimet e tij.

Nëse Kosova mund të ngre padi kundër Serbisë në GNJD?

Para GJND mund të paraqiten shtetet (duke mos elaboruar nëse Kosova e plotëson këtë kusht apo jo) të cilat janë anëtare të KB (anëtaret e KB me automatizëm janë nënshkruese të Statutit të GNJD), pastaj shtetet që nuk janë anëtare të KB, por janë nënshkruese të Statutit (kjo mundësi është e paraparë me nenin 35 të Statutit dhe është shfrytëzuar disa herë në praktikë), ndërsa ekziston edhe mundësia që në kushte të caktuara para Gjykatës të paraqitet edhe një shtet i cili as nuk është anëtar i KB e as nuk është nënshkrues i Statutit.

Duke pas parasysh se Kosova as nuk është anëtare e KB e as nënshkruese e Statutit, së paku në teori, mbetet mundësia e tretë. Në këtë rast zbatohet paragrafi 2 i nenit 35 të Statutit në të cilin thuhet se kushtet për këtë i cakton Këshilli i Sigurimit të KB, që edhe është bërë në Rezolutën 9 nga viti 1946, e cila edhe sot është në fuqi pasi KB nuk e ka ndryshuar e as nuk e ka zëvendësuar me një më të re.

Nuk shoh mënyrë që Kosova sipas kësaj baze të ngre padi para GNJD, përveç në një rast krejtësisht teorik që Serbia të pajtohej me këtë.

Pastaj vijmë te pyetja e dytë, a mund ta bëjë Shqipëria këtë në emër të vet ose të emër të Kosovës.

Menjëherë, në këtë kontekst mund të ju them se nuk ka mundësi që ta bëjë këtë në emër të Kosovës, por vetëm në emër të vetin.

Edhe Shqipëria edhe Serbia janë nënshkruese të Konventës për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit, shtuar kësaj faktin se Serbia ka dorëzuar një rezervë (kundërthënëse) për këtë Konventë, sipas së cilës ndaj saj nuk do të zbatohet neni IX i Konventës, respektivisht në rast të kontestit nuk do të jetë kompetent GNJD.

Sidoqoftë, edhe nëse nuk do të pranohej kjo rezervë e Serbisë, mbesin probleme të tjera lidhur me një padi të tillë. Mu tani para GJND është një rast ndërmjet Gambisë dhe Mjanmarit, në të cilin Gambia ka paditur shtetin tjetër për shkelje të Konventës në fjalë, edhe pse shkelja e pretenduar nuk ka kurrfarë lidhje me Gambinë. GNJD megjithatë në vendimin për masa të përkohshme ka konkluduar se kjo është e mundur, së paku në teori, pasi Konventa është e një natyre të tillë që të gjitha palët nënshkruese janë “palë të interesuara” kur flitet për krim siç është gjenocidi.

Nga ana tjetër, vendimi për kompetencën nuk është marrë ende dhe pyetja nëse GNJD në rastin e Shqipërisë dhe Serbisë do të konstatonte që ekziston kompetenca varet nga shumë gjëra të cilat është e pamundur të parashikohen në këtë moment (rezervimi i përmendur i Serbisë, nëse Gjykata do të konstatonte që ndërmjet tyre ekziston një kontest lidhur me këtë çështje, momenti konkret kur do të paraqitej padia etj.). Pra, në teori është e mundur që Shqipëria të provoj të padisë Serbinë në këtë rast, por ka një mori pengesash për vendosjen e kompetencës së GNJD në atë situatë.

Pyetja e tretë është nëse GNJD do të gjykonte se ka kompetencë në njërën nga situatat e mëparshme, çfarë janë gjasat që do të vendoste se në Kosovë kishte ndodhur krimi i gjenocidit gjatë viteve 1998 ose 1999. Mendimi im është: minimale.

Me fjalë të tjera, në punën e vet deri tani GJNPJ (Tribunali i Hagës) në asnjë aktgjykim të vetin, me sa unë kam njohuri, nuk ka vendos për krim të gjenocidit në Kosovë edhe pse disa prej krerëve të shtetit të asaj kohe janë dënuar për krime të tjera. Madje as për Millosheviqin aktakuza nuk përmbante pjesë për gjenocid të pretenduar në Kosovë. GNJD natyrisht nuk është formalisht e detyruar nga praktika e GJNPJ, por gjasat janë shumë të vogla që në këtë situatë të vendoset ndryshe (sipas rregullit GNJD është një institucion gjyqësor më konservator dhe gjasat janë shumë të vogla që ata do të merrnin një qëndrim më liberal në këtë çështje krahasuar nga prokuroria e GJNPJ!). edhe pse në literaturë mund të gjejmë edhe qëndrime se në Kosovë ka ndodh një krim gjenocidi, mua më duket që për këtë nuk ekzistojnë argumente mjaft të mira, në veçanti jo të tilla që do të kalonin para GNJD.

 

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Preporučeno