Connect with us

Shqip

Biznesi në kohë të koronës

Avatar

Published

on

Viti i kaluar ka sjell shumë ndryshime në jetën tonë të përditshme. Investuam shumë mund për t’iu përshtatur rrethanave të reja të cilat me vete i solli pandemia e koronavirusit. Përveç goditjes më të rëndë ndaj shëndetit, goditi edhe stabilitetin financiar dhe sigurinë e shumë familjeve. Megjithatë, më së shumti preku bujqit, ndërmarrësit dhe të gjitha ata që punojnë në sektorin privat.

Zharko Ristiq (Žarko Ristić), njëzetë e tetë vjeç, është bujk nga Sllatina afër Leposaviqit. Me bujqësi merret që nga mosha pesëmbëdhjetë vjeç, nga rinia e hershme. Në bahçen dhe serrën e ti më së shumti mbjellë perime sezonale: sallatë, patate, spinaq, tranguj, domate, speca të vendit, gjelbërime dhe nga kjo jeton.

“Bujqësia është veprimtaria që më sjell financa në shtëpi. Përveç pensionit të nënës, nuk kemi burime të tjera të ardhurash”.

Në përgjithësi, produktet e veta i shet në treg, në Mitrovicë, të shtunave, ku pazar bëjnë edhe serbët edhe shqiptarët dhe ku, siç thotë, sundon një tolerancë shumë e mirë. Por, me paraqitjen e virusit, puna i ka rënë shumë.

“Para koronës çdo gjë shitej shumë mirë. Kishte më shumë njerëz. Tash ky numër ka rënë ndjeshëm. Vala e parë e koronës ishte shumë e rëndë, pazaret nuk punuan 3-4 muaj, nuk kisha ku t’i shisja produktet bujqësore dhe i gjithë malli më shkoi dëm. U detyrova të ja bëja disi dhe gjeta disa shitore të vogla të cilat paguanin pak për produkte. Për bujkun e vogël kjo paraqet shpenzim të madh. Bujqit frikën më të madhe e kanë nëse do të mund ta shesin produktin e tyre. Vala e dytë ishte paksa më e lehtë sepse pazaret punuan dhe patëm mundësi të dalim e të shesim me të gjitha masat e kujdesit dhe maskat. Të gjithë kishim frikë për sigurinë tonë dhe në përpikëri i përmbaheshim masave të përshkruara se mbrojtja është në rend të parë. Në atë kohë një muaj nuk kam shit në pazar se frikohesha për vete dhe për nënën, me të cilën jetoj. Tash është më ndryshe. Popullit i ka ardh në majë të hundës kështu që askush nuk brengosët më për koronën dhe janë të rrallë ata që bartin maska”.

Sipas mendimi të tij edhe numri i bujqve që marrin me qira tezga në pazar ka rënë po ashtu, ndërsa vendin e tyre e kanë zënë shumë stërshitës. Qiraja e tezgave ka mbet e njëjtë, 1.500 dinarë [sh.p. rreth 13€], plus bileta javore, varësisht nga sasia e mallit, që në muaj i bie rreth 2.000 dinarë [sh.p. rreth 17€]. Në këto kushte është shumë e vështirë të flitet për mundësinë e rritjes së prodhimit.

“Korona ndjehet në çdo mënyrë, në veçanti financiare pasi një e shtunë mund të jetë e mirë, ndërsa tjetra shumë e dobët. Këtu mediat luajnë një rol shumë të rëndësishëm, njerëzit frikohen. Shumica shikojnë televizionin dhe nisen nga lajmet që transmetohen në media. Fshatari duhet të jetojë nga diçka. Në koronë bujku është i vogël dhe e ka më së vështiri pasi nuk ka ku t’i shesë produktet e veta organike. Për bujqit e mëdhenj është shumë më lehtë pasi kanë një sistem të përpunuar. Humbim mjaft edhe për shkak të Mëhallës së Boshnjakëve se stërshitësit në shumicën e rasteve blejnë aty, me çmime më të vogla, e pastaj i shesin në veri me çmime shumë më të larta, me arsyetimin se po shesin perimet e tyre, jo të spërkatura”.

Thotë se vërehet dhe ndryshimi i kërkesës për produkte krahasuar para dhe gjatë koronës.

“Kemi kërkesë të madhe për qepë dhe hudhra, sallatë, panxhar, spinaq, raki dhe mjaltë. Arsyeja e kësaj është me siguri nevoja për vitamina dhe preventivë, si dhe forcimi i organizmit në luftë kundër sëmundjes me rrugë natyrore”.

“Para koronës ishte më mirë se nuk ishe i kufizuar si tani”, thotë Gordana Radojkoviq (Gordana Radojković), pronare e restorantit “Mirna dolina”, e cila tashmë dhjetë vjet punon në Joshevik.

“Kufizimi i parë ishte vitin e kaluar kur nuk punuam një muaj. Pastaj nuk na lejuan orarin e plotë të punës, por na duhej të gatuanim ushqimin për “me vete”, e pastaj edhe atë e ndalën. Kush jeton vetëm nga hoteleria dhe nuk ka burim tjetër të ardhurash kalon shumë keq. E nëse përveç këtyre ke edhe kredi, atëherë është shumë vështirë. Ne i paguajmë kredi bankës KEP dhe kemi vendosur të pranojmë një moratorium që na ofruan. Kjo na solli vetëm kokëçarje pasi gjashtë muajt e ardhshëm këstin e kredisë paguanim 360 euro në vend të 315 eurove, që është e tmerrshme. Fatmirësisht nuk paguajmë qira se nuk do t’ia dilnim”.

Thotë se me hapjen e pishinës në Banjskë puna kishte nisur mirë, por ndërprerjet e përhershme të punës dhe ndalesat e ndryshme kanë ndikuar që të dështoj i gjithë sezoni.

“Vitin e kaluar kishte mjaft vendime të habitshme në kuptim të mbylljes dhe kjo vazhdon edhe tani. Në vjeshtë kemi punuar me orar të shkurtuar, deri në orën 18, tani kjo është deri në orën 22. Mysafirët nga qyteti zakonisht vijnë pas orës 20 sepse në mbrëmje është heshtje dhe qetësi, ajri është i pastër. Por, nëse orarin e ke të kufizuar deri në orën 22, kjo i bie që për më pak se dy orë të duhet ta gatuash darkën, ta shërbesh, t’i përcjellësh mysafirët dhe ta mbyllësh. Shpesh më ka ndodh që isha e detyruar ta paketoja darkën. Çdo natë je në ankth nëse do t’ia dalësh ta bësh edhe këtë pasi policinë nuk e intereson nëse askush nuk është në restorant dhe se ke mbetur më gjatë se ora 22 vetëm për të pastruar me thithëse elektrike dhe për rregulluar çdo gjë pas largimit të mysafirëve. Në atë kohë është strikte që drita duhet të jetë e ndalur dhe restoranti i mbyllur”.

Kur krahason vizitat para dhe gjatë koronës, thotë se numri i mysafirëve është shumë më i vogël.

“Diçka është kthyer në normalitet, por jo edhe aq. Sa herë paraqitet ndonjë alarm, populli tërhiqet. Secili frikohet edhe pse në përpikëri i përmbahemi masave mbrojtëse dhe respektojmë çdo gjë të përshkruar”.

Millica Illiq (Milica Ilić), terapiste manuale – masazhuese dhe një nga pronarët e “Welness Centar Professional”, e cila ka saunë, dhomë të njelmët, stimulues elektro-muskulor, me lloje të ndryshe të masazheve, trajtimin e fytyrës dhe shputave, ka eksperiencë tjetër.

“E vetmja pauzë që kishim ne ishte në vitin e kaluar në prill. Ishte karantina për të gjithë, në atë kohë edhe për neve. Ishte i vetmi muaj kur ne patëm vështirësi sa i përket anës financiare. Nuk mund të thuhet se nuk ishte e vështirë pasi është biznes privat dhe me automatizëm për një muaj je pa të ardhura. Je në minus edhe sa i përket lokalit afarist dhe sigurisë financiare, pra nuk ishte diçka e këndshme. Por, ashtu siç ia dolën të gjithë ia bëmë edhe ne. Në fund të fundit, një muaj nuk është ndonjë periudhë domethënëse”.

Thotë se korona kishte shkaktuar një frikë sa i përket punës, por para se gjithash në kontekst shëndetësor.

“Derisa nuk e kalova koronën pata frikë. Të duhet me dal në punë, e ke detyrim. Edhe pse ndjen obligimin për të kryer atë pjesë të detyrës, nga ana tjetër përherë e ke frikën e infektimit, pa marrë parasysh se ne kemi përdor maska, dorëza dhe mjete dezinfektuese. Maskat dhe dorezat gati asnjëherë nuk i kemi heq, madje edhe masazhin e bënim me dorëza, pasi puna jonë përfshin kontakt të drejtpërdrejt me njerëzit, me trupin. Nga klientët kërkonim të mbajnë maska, por gjithnjë ekziston një nivel i frikës, kur vjen dikush, mos po e bart virusin pahiri e pastaj unë e çoj në shtëpi. Por, me kohë kjo frikë u zvogëlua. Kur e kalova koronën, tani pasi e di që kam pak antitrupa është pak më e lehtë”.

Në përgjithësi, klientët janë të njëjtit.

“Kemi klientët e përhershëm, të cilët vijnë me vite dhe kanë besim. Por, gjithnjë kemi njerëz të rinj të cilët janë të kënaqur me shërbimin dhe kthehen përsëri dhe kështu fitojmë klientë të rinj. Në fillim të valës së parë të gjithë frikoheshin. Me kalimin e kohës, njerëzit liroheshin çdo herë e më shumë. Tani në përgjithësi vijnë ata që kanë kaluar koronën. Atë që nuk e kanë kaluar nuk vijnë, pasi me siguri mendojnë se mund të infektohen. Ndërsa kemi edhe prej atyre që nuk e kanë kaluar, të cilët bartin maska, për një lloj sigurie. Megjithatë, kjo është punë ku çdo gjë duhet të jetë e pastër dhe e dezinfektuar. Te ne gjithnjë spërkatet, pas secilit klient dezinfektohen tavolinat, peshqirët, çarçafët. Pllakat pastrohen rregullisht, sipërfaqet e punës rregullisht fshihen dhe dezinfektohen”.

Korona ka kontribuar që disa shërbime të jenë më të kërkuar nga të tjerat, edhe pse, siç thonë vëllimi i punës ka mbet i njëjti.

“Edhe pse jemi veprimtari shërbyese, megjithatë kërkesa për shërbimet tona është gati e përditshme, në veçanti me ata që kanë kaluar koronën pasi çdo herë e më shumë njerëz vijnë me dhembje shpine, vështirësi në eshtra, muskuj dhe nyje. Në përgjithësi, më të kërkuara janë masazhet terapeutike. Pra, masazhi i shpinës, masazhi i këmbëve, kjo pjesë është më e prekur. Edhe sauna përdoret për arsye të njëjta. Për detoksim, djersitje që organizmi të pastrohet nga antibiotikët dhe terapia e rëndë. Kërkohet edhe masazhi antistres pasi korona ka ndikuar edhe nga ana psikologjike. Njerëzit ishin të mbyllur, të izoluar gjatë, nuk kanë punuar dhe shpesh paraqitet ankthi dhe depresioni. Thjesht, iu duhet të vijnë në heshtje dhe qetësi, të çlirohen pak”.

Dragana Millosavleviq (Dragana Milosavljević), nga Graboci, e cila tash shtete vjet merret me prodhimin e brumërave pa aditiv dhe konservues, ka përvojë të ngjashme.

“Korona më ka sjell shumë më shumë fitime se më parë. Me siguri sepse njerëzit janë të mbyllur në shtëpi dhe porosisin pa ndërprerë”.

Prodhimet e veta i shet në disa shitore, edhe pse çdo ditë rritet numri i klientëve që vijnë drejt shtëpinë e saj, ndërsa edhe dorëzimi është rritur. Produktet gjithnjë i ka të freskëta, pasi kjo tërheq blerësit. Thotë se tash ka punë sa për të punuar 24 orë në ditë. Nganjëherë rri zgjuar deri në orën 3 të mëngjesit për t’i kryer të gjithat. Por, pasi punon edhe në Shtëpinë e shëndetit në Zveçan, e ka shumë vështirë t’i mbuloj të gjitha, në veçanti kur është fjala për kujdestari natën ose kur nga ndërrimi i ditës vazhdon drejt me punë në shtëpi.

Sipas mendimit të saj, në përgjithësi edhe para edhe pas koronës kërkohen produkte të njëjta, vetëm sasia rritet. Megjithatë, kërkesa gjithnjë rritet para Pashkëve.

“Tash, për shkak të punës, gatuaj mantia pa yndyrë, shkopinj me susam e mak, precëll, pogaçe të vogla dhe pite me spinaq me kore të shpërndara – të gjithat pa yndyrë. Prej para pak kohësh kam filluar të gatuaj kifle të vogla me krem dhe plazma keks dhe shiten shumë mirë. Të gjithat shiten shumë mirë”.

Mbylljen në kohë të koronës nuk e ka ndjerë aspak, as nuk ka ndikuar në punën e saj.

“Puna private në një mënyrë me ka sjell çlirim. Në Shtëpinë e shëndetit luftoni bashkë me njerëzit për jetë dhe pandërprerë keni frikë. Bëni çdo gjë për të ofruar ngushëllim dhe shpresë, e kjo nganjëherë përfundon me rezultatin më të keq. Prandaj është shumë bukur kur ktheheni në shtëpi dhe bëni atë që ju pëlqen, duke ndjerë se me këtë do të gëzoni dikë, njëkohësisht duke u munduar t’i lini ngjarjet e këqija pas vetes. Pa marrë parasysh sa e mundimshme, gjithnjë ju del buzëqeshja në fytyrë kur e dini se puna e duarve tuaja do të gëzoj dikë. Kjo vërteton se jeta nuk ndalet dhe vazhdon pa marrë parasysh kushtet. Kjo nuk ka çmim dhe gjithnjë punohet me dashuri”.

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Preporučeno