Connect with us

Shqip

Gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë në vitin 2020

Avatar

Published

on

Politikanët kryesorë dhe udhëheqësit kryesorë të shoqërisë civile, posaçërisht organizatat e veteranëve, publikisht e denoncuan Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Kosovës në Hagë (Gjykata Speciale) dhe punuan për ta dobësuar mbështetjen e publikut për punën e saj;

Autoritetet nganjëherë nuk i respektuan urdhrat e gjykatave, përfshirë urdhrat e Gjykatës Kushtetuese, posaçërisht kur aktvendimet ishin në favor të pakicave, si në shumë raste të kontesteve pronësore të serbëve të Kosovës;

Mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehën një gamë të gjerë të pikëpamjeve, në përgjithësi pa kufizim. Megjithatë, pati raportime që zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me Qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur ushtruan presion ndaj pronarëve të mediave, redaktorëve individualë dhe reporterëve për të mos publikuar storje apo materiale të caktuara;

Procesi i kthimit në disa zona të vendit vazhdoi të shënohej nga incidente të sigurisë dhe ngurrimi i komuniteteve lokale për ta pranuar kthimin e serbëve ose vizitat nga serbët e Kosovës;

Dhuna shoqërore kundër serbëve dhe komuniteteve të tjera pakicë vazhdoi, të gjitha ishin të prekura nga diskriminimi shoqëror dhe diskriminimi në punësim;

Ngacmimi i anëtarëve serbë të Kosovës në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) nga serbët e tjerë etnikë ishte i rëndomtë, ndonëse zakonisht ishte vështirë të gjurmoheshin incidentet e tilla. Në shumicën e rasteve, viktimat nuk i raportuan incidentet në polici nga frika e përshkallëzimit dhe hakmarrjes;

Këto janë disa prej gjetjeve Raporti për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë në vitin 2020 të Departamentit Amerikan të Shtetit. Më poshtë mund të lexoni më gjerësisht.

Moszbatimi i vendimit për pronësinë e KOS të tokës në Deçan

„Autoritetet nganjëherë nuk i respektuan urdhrat e gjykatave, përfshirë urdhrat e Gjykatës Kushtetuese, posaçërisht kur aktvendimet ishin në favor të pakicave, si në shumë raste të kontesteve pronësore të serbëve të Kosovës”, konkludohet në raport.

Përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, autoritetet qendrore e lokale në Deçan edhe në vitin 2020 vazhduan ta refuzonin zbatimin e këtij vendimi, me të cilin konfirmohet pronësia e Kishës Ortodokse Serbe për më tepër se 24 hektarë tokë që gjendët pranë Manastirit të Deçanit. Në raport theksohet se asnjëri prej zyrtarëve të përfshirë në moszbatimin e urdhrit të gjykatës nuk është sanksionuar.

Kthimi i “ndërlikuar” i pronës

“Një përzierje konfuze e ligjeve, rregulloreve, udhëzimeve administrative dhe praktikave gjyqësore, si dhe rizënia ilegale e pronave dhe ankesat e shumta për të njëjtën pronë, vazhduan ta pengonin zgjidhjen e rasteve të rikthimit të pronës që buronin nga lufta dhe pas saj”, thuhet më tej.

Mbi 96 për qind të këtyre ankesave ishin parashtruar nga serbët.

Nga ana tjetër, personat privat dhe komunitetet fetare “nuk ishin shumë të suksesshëm në paraqitjen e kërkesave për rikthim të pronës së sekuestruar apo të konfiskuar gjatë kohës së Jugosllavisë”.

Sipas ligjit, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) ka autoritetin t’i gjykojë pretendimet lidhur me shtrirjen, vlerën dhe pronësinë e parcelave të tokës dhe t’i zgjidhë mospërputhjet ndërmjet dokumenteve kadastrale. Mungesa e regjistrave kadastralë, që Serbia i largoi nga Kosova në vitin 1999, e pengoi AKKVP-në që ta përmbushte plotësisht mandatin e saj, thuhet.

“AKKVP-ja kishte vështirësi në zbatimin e vendimeve për dëbimin e uzurpuesve të paligjshëm dhe në përgjithësi dështoi në largimin e strukturave ilegale të ndërtuara në tokë pasi parashtruesve të kërkesave u ishte konfirmuar e drejta e tyre. Shumica e parashtruesve të kërkesave ishin serbë”, vazhdon aty.

Autorët shtojnë se organizatat e shoqërisë civile janë ankuar se Kosovës i mungon një sistem efektiv për t’u mundësuar serbëve të zhvendosur nga Kosova, që jetonin jashtë vendit, për të paraqitur kërkesa pronësore dhe për të marrë njoftime lidhur me vendimet për kërkesa pronësore.

Naser Shala u emërua Drejtor i AKKVP-së në vitin 2019 edhe pse nuk ishte në gjendje të siguronte emërimin nga parlamenti në këtë pozitë në vitin 2018 “për shkak të pikëpamjeve të përhapura se ai ishte i korruptuar, i pakualifikuar dhe nën hetim penal”. Pavarësisht thirrjeve të shumta ndërkombëtare për dorëheqjen e tij, ai vazhdoi në këtë pozitë, që sipas autorëve rezultoi me uljen e kredibilitetit të kësaj organizate duke zvogëluar kështu besueshmërinë e institucionit.

Rasti Teodosijeviq (Todosijević)

Në pjesën dedikuar lirisë së fjalës është përmendur edhe aktgjykimi nga viti 2019 kundër ish-ministrit të administratës së pushtetit lokal, Ivan Teodosijeviq, me të cilën u dënua me dy vjet burg për mohimin e një masakre ndaj shqiptarëve në vitin 1999. Në raport thuhet se gjykata vendosi “që fjalët e Todosijeviqit nxitnin urrejtje dhe jotolerancë, ndërsa mbrojtja e tij argumentoi se nuk kishte asnjë bazë ligjore për një vendim të tillë”. Procedura ankimore ende vazhdon.

Liria e mediave – presioni ndaj shtëpive mediale me më pak burime financiare

Kur vjen fjala tek liria e mediave, vlerësohet se mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehën pikëpamje të llojllojshme “në përgjithësi pa kufizim”.

“Megjithatë, pati raportime që zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me Qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur ushtruan presion ndaj pronarëve të mediave, redaktorëve individualë dhe reporterëve për të mos publikuar storje apo materiale të caktuara”, shtohet tutje.

Autorët konkludojnë se “disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik hulumtues për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës”.

Mediat me më pak burime “nganjëherë pranuan ndihmë financiare në shkëmbim për raportim pozitiv apo mospublikim të storjeve negative që do të mund t’i dëmtonin interesat e financuesve”.

Shtohet se edhe që “sipas disa redaktorëve, financimi ishte i kufizuar pjesërisht për shkak të ngurrimit të qeverisë për t’i reklamuar programet e saj në media që publikonin materiale kritike për politikat e qeverisë”.

Deri në fund të shtatorit 2020, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shtëpitë mediale raportuan për 18 raste në të cilat zyrtarë qeveritarë, grupe afariste, grupe të komunitetit apo grupe radikale fetare cenuan lirinë e shtypit duke i sulmuar fizikisht ose kërcënuar gojarisht gazetarët, thuhet në raport.

Janë përmendur edhe rastet individuale të dhunës dhe ngacmimit të gazetarëve në veri të Kosovës – sulm ndaj një gazetari shqiptar të Kosovës gjersa po raportonte për situatën COVID-19 dhe arrestimin e kryeredaktores së portalit KoSSev, Tatjana Llazareviq (Tatjana Lazarević).

Në mars një gazetar shqiptar i Kosovës u lëndua pasi autorë të panjohur e sulmuan atë dhe ekipin e tij gjersa po raportonin për situatën COVID-19 në veri të Kosovës. Mediat raportuan se policia arrestoi një person në lidhje me këtë incident, shkruan në raport.

“Më 11 prill, kryeredaktorja e portalit në gjuhën serbe KoSSev, Tatjana Llazareviq, u arrestua nga policia gjersa po shkonte në një qendër shëndetësore për t’i hetuar ankesat që ajo mori në lidhje me gatishmërinë e qendrës për COVID-19. Edhe pse i paraqiti letrat e saj kredenciale si gazetare, Llazareviq u ndalua për të paktën një orë e gjysmë dhe u mbajt pa akuzë. Autoritetet e zbatimit të ligjit thanë se ajo u mor për shkak të shkeljes së orës policore, edhe pse qeveria i kishte liruar gazetarët nga kufizimi i lëvizjes që synonte ta ngadalësonte përhapjen e COVID19. Llazareviq tha se arsyeja e vërtetë e arrestimit të saj ishte për ta frikësuar atë nga vazhdimi i raportimit të saj”, thuhet aty.

Kthimi i refugjatëve – problem

“Kthimi në vend i refugjatëve të pakicave etnike mbeti problem”.

Sipas përfaqësuesve të komunitetit ashkali, egjiptian dhe rom, paragjykimi shoqëror ka penguar kthimin e rreth 400 të zhvendosurve të këtyre komuniteteve.

UNHCR-ja vlerësoi se më shumë se 90.000 individë kishin nevoja të lidhura me zhvendosjen për shkak të konfliktit të vitit 1999 në Kosovë, përfshirë 65.000 në Serbi, 16.406 në Kosovë, 7.500 në “vendet e treta”, 729 në Mal të Zi dhe 394 në Maqedoninë e Veriut.

Sipas pohimeve, Ministria për Komunitete dhe Kthime pengesat për kthim janë “incidentet e sigurisë, mbrojtja e pamjaftueshme e të drejtave pronësore, dështimi i gjykatave për t’i zgjidhur kontestet pronësore, mosbindja ndaj vendimeve të gjykatës, mungesa e qasjes në shërbime publike, çështjet me zbatimin e të drejtave gjuhësore, perspektivat e kufizuara ekonomike dhe diskriminimin shoqëror”.

Deri në mesin e vitit të kaluar, 408 të zhvendosur, kryesisht serbë të Kosovës, ishin duke jetuar në strehimore kolektive gjithandej Kosovës.

“Ndërtimi i banesave të strehimit social për 255 PZHBV dhe refugjatë që banonin në pesë strehimore kolektive ishte në vazhdim, dhe projekti pritej të mbaronte në fund të vitit. Komunat e Leposaviqit dhe Zveçanit ndanë tokë për ndërtimin e banesave sociale për banorët e mbetur të 10 strehimoreve kolektive, me financim që pritej nga BE-ja dhe Ministria për Komunitete dhe Kthime”, thuhet aty.

“Procesi i kthimit në disa zona të vendit vazhdoi të shënohej nga incidente të sigurisë dhe ngurrimi i komuniteteve lokale për ta pranuar kthimin e serbëve ose vizitat nga serbët e Kosovës”, theksohet në raport.

Si shembull përmendet protesta në Gjakovë.

“Në janar, shqiptarët në Gjakovë, përfshirë personat anëtarët e familjes së të cilëve mbeten të zhdukur, protestuan kundër pelegrinazhit të planifikuar të serbëve të zhvendosur në kishën ortodokse serbe të qytetit. Shoqata e pelegrinëve tha se vizitën e anuloi për shkaqe të sigurisë”.

UNHCR-ja ka regjistruar 45 incidente që “ndikonin kryesisht në të kthyerit dhe në pronën e tyre, kryesisht në rajonin e Pejës”.

“UNHCR-ja tha se shënjestrat e incidenteve besohet të jenë serbët e Kosovës, përveç një rasti ku përfshihej një ashkali i kthyer”.

Shtohet se Policia e Kosovës “vazhdoi praninë e saj në zonat me pakica etnike dhe të kthyer si masë për ndërtimin e besimit për të kthyerit dhe për ta mbrojtur pronën e të kthyerve”.

Vazhdimi i dhunës shoqërore ndaj komunitetit të serbëve të Kosovës dhe pakicave të tjera etnike

“Dhuna shoqërore kundër serbëve dhe komuniteteve të tjera pakicë vazhdoi, të gjitha ishin të prekura nga diskriminimi shoqëror dhe diskriminimi në punësim”, është një nga të gjeturat e raportit.

“Komuniteti serb, përfaqësuesit e tij, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar shprehën shqetësim lidhur me incidentet ku përfshiheshin vjedhjet, plaçkitjet, ngacmimet verbale dhe dëmtimet e pronës së serbëve të Kosovës, veçanërisht të të kthyerve në zonat rurale”.

Shtohet se OJQ-ja AKTIV raportoi për shumë se 20 incidente ndërmjet marsit dhe qershorit që synonin serbët e Kosovës, përfshirë zjarrvëniet, sulmet fizike dhe grabitjet. Përveç kësaj, midis janarit dhe tetorit, Ministria për Komunitete dhe Kthime pranoi ankesa për 49 incidente të sigurisë që prekën serbët e Kosovës dhe të kthyerit.

Thuhet se përfaqësuesit serbëve të Kosovës pretenduan se “urrejtja etnike ishte motivi kryesor për disa incidente, si gjuajtja me gurë e shtëpive të të kthyerve, rastet e zjarrvënies dhe mbishkrimet me grafit” por edhe që qeveria nuk i është përgjigj në mënyrë adekuate këtyre incidenteve.

“Në disa raste, hetimet e policisë rezultuan në arrestimin e autorëve”, konkludohet aty.

Ngacmimi i pjesëtarëve të FSK-së nga komunitetit serb

“Ngacmimi i anëtarëve serbë të Kosovës në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) nga serbët e tjerë etnikë ishte i rëndomtë, ndonëse zakonisht ishte vështirë të gjurmoheshin incidentet e tilla. Në shumicën e rasteve, viktimat nuk i raportuan incidentet në polici nga frika e përshkallëzimit dhe hakmarrjes”, thuhet në raport.

Përmendet se në qershor, një gjykatë lokale urdhëroi ndalimin 30-ditor të një serbi të Kosovës për ngacmimin e një pjesëtari serb të FSK-së në mediat sociale. “Sipas prokurorisë, viktima mori porosi kërcënuese pasi i dyshuari postoi një foto të viktimës me uniformë bashkë me Ramush Haradinajn, një ish-kryeministër e komandant i UÇK-së. I dyshuari e hoqi postimin, por viktima vazhdoi të merrte porosi kërcënuese”.

Përveç kësaj, thuhet se “pjesëtarët serbë të FSK-së gjithashtu ndaloheshin në mënyrë rutinore nga autoritetet serbe në pikat kufitare Kosovë-Serbi”.

Qasja në drejtësi

Edhe pse qasja në drejtësi për serbët e Kosovës ishte përmirësuar në sajë të integrimit të gjyqësorit në vitin 2017, ende ka probleme.

“Përkthimi i dobët ose i vonuar në procedura gjyqësore, numri i madh i lëndëve të grumbulluara në veri, mosekzekutimi i vendimeve të gjykatave, numri i kufizuar i stafit të pakicave, dhe mospërputhja midis përkthimeve të legjislacionit në gjuhën shqipe dhe serbe vazhduan ta pengonin ofrimin e duhur të drejtësisë për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera pakicë”, konkludohet aty.

Diskriminim në punësim në sektorin publik

Zyra e Kryeministrit për Çështje të Komuniteteve dhe Institucioni i Avokatit të Popullit vërejtën diskriminim në punësim në sektorin publik pothuaj në të gjitha institucionet lokale dhe nacionale.

“Ndonëse ligji obligon që 10 për qind e nëpunësve në nivelin lokal dhe nacional të qeverisë të jenë anëtarë të pakicave, përfaqësimi i tyre mbeti i kufizuar dhe në përgjithësi ishte i kufizuar në pozita të nivelit të ulët. Komunitetet më të vogla, si goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, ishin të nën-përfaqësuar”.

Krimet e luftës

Autorët e raportit theksojnë se deri në fund të shtatorit të vitit 2020, 101 raste të krimeve të luftës ishin nën hetim zyrtar nga Prokuroria Speciale. Gjatë vitit, PSRK-ja lëshoi një aktvendim për fillimin e një hetimi.

Në raport gjetën vend edhe rastet “Drenica I dhe II”, që ishin nën hetim të prokurorit special dhe përfshinin 15 ish-anëtarë të UÇK-së të dyshuar për krime lufte kundër civilëve. Akuzat përfshijnë torturim, keqtrajtim të të burgosurve dhe vrasje në fshatin Likoc në rajonin e Drenicës në vitin 1998.

Edhe pse rastet fillimisht rezultuan në 11 dënime në vitin 2015, gjashtë nga të dënuarit iu shmangën shërbimin të burgimit deri në korrik 2019, kur gjykata i ktheu ata në burg.

Një rast tjetër i krimeve të luftës u dërgua për rigjykim në vitin 2017, por seanca fillestare, porse seanca e parë e caktuar të mbahej në dhjetor 2019 nuk u mbajt sepse qeveria nuk e paraqiti dëshmitarin e vet të mbrojtur. Seanca e radhës u caktua të mbahej në dhjetor 2020, një vit pasi seanca fillestare ishte anuluar, dhe e cila nuk ishte mbajtur deri në fund të vitit, siç shkruan.

Në raport përmenden edhe rastet kundër Darko Tasiqit (Darko Tasić) dhe Millorad Zajiqit (Milorad Zajić).

Në qershor, Gjykata Themelore e Prizrenit e dënoi Darko Tasiqin, një serb i zhvendosur, me 22 vjet burg për krime lufte të kryera kundër shqiptarëve etnikë në vitin 1999 në fshatin Krushë e Vogël të komunës së Prizrenit. Tasiq u akuzua për pjesëmarrje në konfiskim, grabitje, përdhosje të mbetjeve njerëzore dhe shkatërrim të paligjshëm e të qëllimshëm të pronës.

“Sipas raporteve të mediave, një grup i të rinjve shqiptarë të Kosovës u përpoq të hynte në stacionin e policisë prapa gjykatës gjatë dënimit të tij, duke u përleshur më pas me policinë pasi një grup e sulmoi automjetin në të cilin transportohej Tasiqi. OJQ-ja Qendra për të Drejtën Humanitare raportoi se aktgjykimi i tejkaloi maksimumet ligjore. Në dhjetor, Gjykata e Apelit ia uli dënimin në 11 vjet, brenda maksimumit ligjor”.

Në qershor të vitit 2020, Millorad Zajiqi u lirua nga akuzat për përfshirja në vrasje dhe dëbime të shqiptarëve etnikë gjatë luftës në vitin 1998. Në raport thuhet se sipas shkrimeve në media, Gjykata Supreme kishte vendosur që “aktgjykimet ishin të pasakta, por Gjykata Supreme nuk ishte në gjendje të urdhëronte rigjykim të rastit, pasi nuk mund ta rrëzonte një vendim të formës së prerë në dëm të të pandehurit”.

“Zajiq u lirua nga Gjykata Themelore në Pejë në mars 2019 për vrasjen e dy personave dhe dëbimin e shqiptarëve etnikë nga një fshat gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998 si anëtar i një grupi të armatosur. Në tetor 2019, Gjykata e Apelit e mbështeti lirimin. Një gjykatës i Gjykatës së Apelit citoi dëshmitë “kundërthënëse” të dëshmitarëve të gjykimit si arsye për lirimin e Zajiqit”, shkruan në raport.

Në pjesën ku flitet për punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykata Speciale), me seli në Hagë, autorët shkruajnë se “politikanët kryesorë dhe udhëheqësit kryesorë të shoqërisë civile, posaçërisht organizatat e veteranëve, publikisht e denoncuan ZPSK-në dhe DHSK-në dhe punuan për ta dobësuar mbështetjen e publikut për punën e ZPSK-së dhe DHSK-së. Këto përpjekje përfshinin protesta publike, një kërkesë për peticion për ta shfuqizuar gjykatën dhe një nismë legjislative të propozuar nga ish-presidenti Thaçi që mund ta kishte dëmtuar mandatin e DHSK-së”.

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Preporučeno