Connect with us

Shqip

Kampi ushtarak kroat në Kosovë? Deklarata e pretenduar, reagimet dhe demanti

Avatar

Published

on

“Kroacia ngrit një kamp ushtarak në Kosovë dhe Metohi”; “U konfirmua: Kroacia themelon kamp ushtarak në të ashtuquajturën Kosovë”, “KROACIA NDËRTON KAMPIN E VET USHTARAK NË KEM”: Pas ofrimit të ndihmës për themelimin e “ushtrisë së Kosovës”, nga Zagrebi vjen provokimi i ri” – shkruanin ditët e fundit mediat beogradase. Lajmin për kampin e pretenduar ushtarak, gjatë vizitës së shefit të diplomacisë kroate, Gordan Gërlliq Radman (Gordan Grlić Radman) Prishtinës më 6 maj – kishte nxitur një mori reagimesh të zyrtarëve më të lartë nga Beogradi. Lajmin e kanë transmetuar edhe mediat shqiptare. Megjithatë, Gërlliq Radman në asnjë moment nuk kishte përmendur krijimin e kampit ushtarak gjatë konferencës për media në Prishtinë, në të cilën edhe thirreshin mediat.

Prej nga erdhi deklarata për themelimin e pretenduar të kampit ushtarak kroat në Kosovë? “Vendosëm të krijojmë një kamp ushtarak në Kosovë i cili do t’i kontribuonte stabilitetit” – kishte cituar RTS Radman Gërlliqin në lajmin e vet. Një pjesë e madhe e mediave serbe edhe e ka transmetuar këtë lajm, si dhe reagimet e zyrtarëve të lartë beogradas.

Nga ana tjetër, edhe disa media kosovare dhe shqiptare kanë transmetuar këtë lajm dhe citimin e njëjtë, por duke ia atribuuar Donika Gërvallës – ministres së Kosovës për punë të jashtme dhe diasporë, e cila kishte mbajt konferencë për medie me Gërlliqin.

“Kroacia si duket ka vendos t’i ndihmojë Kosovës në kontekst të mbrojtjes. Pritet që ky shtet të ndërtojë një bazë ushtarake në Kosovë. Këtë e ka paralajmëruar ministri kroat në takimin me Gërvallën, i cili kishte thënë se ky projekt ka për qellim rritjen e sigurisë në rajon. “Kemi vendos që në Kosovë të themelojmë një kamp i cili do të ndikonte në stabilitetin e rajoni” kishte thënë Gërvalla” – shkruante Insajderi.

Top Channel i Shqipërisë në lajmin e vet nuk ka përdor as citimin e Gërlliqit e as të Gërvallës, por kishte përmendur se pritet ndërtimi i kampit:

“Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kolegen kosovare Donika Gërvallën, ministri kroat i punëve të jashtme, Gordan Gërlliq Radman kishte paralajmëruar se vendi i tij vendos një kamp ushtarak në Kosovë”.

Në konferencë për medie vetëm për rritjen e numrit të ushtarëve në KFOR

Radman Gërlliq kishte fol gjatë konferencës për ushtrinë, por vetëm në kontekst të rritjes së kontingjentit ushtarak kroat në kuadër të KFOR-it.

“Republika e Kroacisë para pak kohësh ka marrë vendim për rritjen e kontingjentit të vet ushtarak në kuadër të operacionit paqësor të NATO-së në Kosovë – KFOR. Përderisa operacioni i KFOR-it ka një rëndësi të veçantë për Republikën e Kroacisë pasi gjendet në fqinjësinë e afërt tonën, që mund të ketë implikime të veçanta në stabilitetin e rajonit tonë” – ishte e vetmja çfarë kishte thënë Radman Gërlliq lidhur me forcat ushtarake kroate në konferencë për media në Prishtinë, duke mos përmendur në asnjë moment krijimin e kampit, siç nuk e kishte përmendur as Gërvalla.

Pasuan reagimet e furishme të zyrtarëve të Beogradit. Por edhe demanti.

Gërlliq Radman menjëherë ditën e nesërme nga Mali i Zi, siç ka transmetuar Vijesti, ka thënë se fjala është për një spin dhe se nuk flitet për hapjen e kampit ushtarak, duke sqaruar se fjala është për rritjen e numrit të ushtarëve të tyre në kuadër të KFOR-it.

“Kroacia, si anëtare e NATO-së ka të drejtë, nuk e di pse duhet të prekët dikush, unë kisha thënë se kjo ishte një spin. Nuk e di pse po ndodh kjo histeri kundër kroatëve në Serbi”, kishte thënë Gërlliq Radman dhe kishin transmetuar Vijesti.

KFOR-i dhe Kroacia.

Siç thuhet në dokumentin zyrtar të Qeverisë kroate respektivisht propozimin për rritjen e numrit të ushtarëve kroat në KFOR, për momentin në operacionin e KFOR-it është i zhvendosur kontingjenti i 33 kroat me 38 pjesëtar të Forcave të Armatosua të Republikës së Kroacisë dhe 2 helikopterë të Forca Luftarake Ajrore të Kroacisë. Zona e vendosjes janë Prishtina, Ferizaji dhe kampi Vilagjo (Villaggio) afër Pejës.

Republika e Kroacisë kishte propozuar rritjen e kontingjentit kroat nga 40 pjesëtarë ekzistues në 150 me deri dy helikopterë të Forcave Luftarake Ajrore të Kroacisë, me mundësinë e rotacionit

Thuhet se kontingjenti kroat është i dedikuar drejt kryerjes së detyrave të transportit ajror, punën e stafit në Shtabin operativ të KFOR-it dhe punë në ekipin këshillëdhënës në nivel të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Përktheu Bruno Neziraj

Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Fact-check it out”, i cili zbatohet nga Crno beli svet (CBS) [Bota bardh e zi].

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Preporučeno