Connect with us

Shqip

RTK dhe etiketimi seksist i zyrtares së UNMIK-ut

Milica Radovanovic

Published

on

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka “zbuluar një spiune të bukur dhe të rrezikshme” në Kosovë. Bazat për këto pohime ishin “informatat e shërbimeve të sigurisë”, deklaratat e “ekspertëve të sigurisë” dhe “provat ekskluzive” nga Facebook-u. Edhe pse institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarr asnjë veprim lidhur me këtë “spiunazh të zbuluar”, kjo nuk e ka penguar RTK-në të ndajë fotografitë private dhe hollësitë nga jeta e zyrtares së Misionit OKB-së në Kosovë, duke e targetuar si spiune dhe kërcënim për Kosovën.

RTK ka filluar të etiketoj zyrtaren e UNMIK-ut në mars të vitit 2019 me tekstin “Ruse të bukura, spiune të rrezikshme”.

Këtij teksti i ka paraprirë rasti i supozuar i vjedhjes në të cilin kanë qenë të përfshirë zyrtarja e UNMIK-ut dhe bashkëshorti i saj, të cilin ishin përcjellë në stacionin policor dhe pastaj ishin liruar. Ky rast i kishte dhënë shkas mediave të caktuara në Kosovë të spekulojnë së ishte fjala për spiunazh, e ndër të tjera ishte edhe Radio Televizioni i Kosovës.

“Shërbimet e fshehta në radhët e tyre kanë shumë femra. Përveç punës për interes nacional, ato duhet të jenë të shkathëta dhe të mençura.Mirëpo, rusët e kanë edhe një kriter: agjentet e tyre sekrete duhet të jenë edhe të bukura”, thuhej në artikullin e RTK-së i cili ishte botuar në mars të vitit 2019

Tutje në tekst RTK thekson se për Rusinë është “karakteristikë punësimi i spiuneve të bukura” që pastaj “të pranohen më lehtë në shoqërinë e infiltruar”.

“Rasti i Jana Minochkinës, e cila ka një rrjet të gjerë të bashkëpunëtorëve shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, është ilustrimi më i mirë për këtë”, thotë RTK-ja.

Provat të cilat i ka ofruar RTK-ja për këto pohime ishin “të dhënat e supozuara të institucioneve të sigurisë” dhe deklarata e “ekspertit për siguri” i cili donte të mbetej anonim dhe i cili ndër të tjera kishte sqaruar se “pamja e jashtme, paraqitja e dinjitetshme dhe bukuria” e agjenteve të fshehta “janë vetëm karrem për të ardhur më shpejtë tek informacioni me interes”.

RTK dhe “ekspertët e sigurisë”

RTK-ja edhe në vitin 2020 ka shpërndarë dezinformata të ngjashme me pohime të pavërtetuara, duke u thirrur ndër të tjera edhe në deklaratat e ekspertëve të pretenduar të sigurisë. Kështu në vitin 2020 kishte publikuar lajmin se “kisha serbe në Prishtinë lufton kundër COVID-19 me një metodë të paverifikuar ruse”. “Eksperti i sigurisë”, Agim Musliu, kishte vlerësuar rrahjen e kambanave në kishën ortodokse në Prishtinë si “metodë primitive ruse dhe trend provokues” dhe e kishte lidh këtë me shërbimet sekrete serbe dhe ruse.

Një muaj më vonë, transmetuesi publik transmetoj edhe një lajm të rrejshëm, duke pohuar se mercenari i cili ishte vrarë në Libi në fakt ishte një serb i Kosovës. Duke u nisur nga informatat e paverifikuara në Twiter, RTK kishte thënë edhe se fjala është për një person i cili kishte marrë pjesë në konfliktin e Kosovës në vitin 1999, ndër të tjera, duke e publikuar edhe fotografinë e Tibor Cerne, pjesëtarit të Ushtrisë së Jugosllavisë, i cili kishte humbur jetën në betejën e Koshares. “Eksperti i sigurisë”, Agim Musliu, me këtë rast kishte deklaruar se “fotografitë në rrjetet sociale qartë vërtetojnë se mercenari serb ishte vrarë në Libi, i njëjti si në fotografinë deri sa ishte në shërbim ushtarak në ish Jugosllavi dhe të tjerët nga lufta në Kosovë”.

Ngjashëm, transmetuesi publik kishte publikuar edhe dezinformatën për “pacientin zero” të infektuar me korona virus në komunat në veri të Kosovës, duke pohuar se fjala është për një zyrtar të UNMIK-ut, me origjinë ruse, e duke u thirrur në burime të paidentifikuara.

Megjithatë, RTK përsëri pas dy vjetësh ka “ringjallur” këtë tregim, duke e transmetuar pjesën e parë të “dokumentarit” “Virussia”, i cili merret me spiunazhin rus në Ballkanin Perëndimor. Zyrtarja ruse edhe këtë herë ishte paraqitur si spiune, pa prova kredibile që do të vërtetonin këto pretendime. “Mediat në Ballkan shpesh kanë raportuar për aktivitetet spiunazhe ruse dhe tendencat e saj për të shkaktuar trazira. I vetmi rast i cili përfshin një grua të spiunazhit rus është Jana Minochkina. Ky rast ka një tjetër specifikë. Bukuroshja ruse, siç e quajnë mediat, përkundër zbulimit ka vazhduar të punojë në organizata ndërkombëtare në Kosovë, në Shqipëri dhe në Serbi” – thuhet në “dokumentarin” e RTK-së.

RTK thotë se mediat e quajnë “bukuroshe ruse” edhe pse ishte mu RTK-ja ajo e cila e kishte etiketuar me këtë term në mars të vitit 2019. Përveç kësaj, RTK tërheq vërejtjen se “rasti i Jana Minochkina ishte i vetmi rast i cili përfshin një grua nga spiunazhi rus”, duke harruar që në tekst të vitit 2019 një tjetër shtetase ruse ishte akuzuar nga RTK-ja për spiunazh në Kosovë.

Përveç kësaj, RTK del me akuza edhe në llogari të UNMIK-ut, duke theksuar se ishte përdorur nga ana e agjencisë sekrete ruse si mbulesë, pa ofruar ndonjë provë kredibile për këto pohime.

Në ndërkohë, vetëm disa ditë pas transmetimit të “dokumentarit”, RTK ia “ka dalë të sigurojë një provë të re” për “lidhjet e zyrtares së UNMIK-ut me strukturat shtetërore ruse”.

“Prova e re” për këto pohime është kur ajo shihet në një video duke kërcyer me parashutë nga një “aeroplan ushtarak rus”.

Fjala është për një video klip të cilin vetë Minochkina e kishte shpërndarë në profilin e saj në Facebook në vitin 2011 me përshkrimin “Kërcimi im i parë me parashutë”.

Në këtë tekst RTK, duke u thirr në dokumentarin e vet, pohon se Minochkina përdor UNMIK-un për të “krijuar lidhje të reja në favor të Rusisë”.

Edhe përkundër shkeljeve të qarta të kodit të gazetarisë, RTK paralajmëron transmetimin e pjesëve të reja të “dokumentarit Virussia” në muajt në vijim.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Preporučeno